E martë, Korrik 29, 2014
Albanian-ALEnglish (United Kingdom)
   
Text Size

Kërkimi ASP

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Hysni Burgaj, takim me punonjës të strukturave të policisë të Qarkut Shkodër



Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Hysni Burgaj, zhvilloi dje  një takim me punonjës të strukturave të policisë të Qarkut Shkodër. Qëllimi i këtij takimi ishte evidentimi i arritjeve të deritanishme, i problematikës së konstatuar, si dhe vënia në dukje e disa prej detyrave, përparësive dhe objektiva që duhen patur parasysh nga të gjitha strukturat policore të Drejtorisë së Policisë, të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit dhe të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore të Qarkut Shkodër.

Në këtë takim Z. Burgaj, falenderoi gjithë efektivin dhe drejtuesit e strukturave policore në këtë qark për punën e mirë e përkushtimin e treguar për të siguruar rendin e qetësinë publike, për ruajtjen e kontrollin e kufirit, si dhe për treguesit e arritur në parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit e të shkeljeve të legjislacionit.


Në mënyrë të veçantë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ndal në punën e bërë nga strukturat e këtij qarku për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, duke e konsideruar këtë vit, si vitin më të suksesshëm në këtë drejtim, pavarësisht faktit se ato kultivohen në zona malore dhe të pabanuara.
“Një rol të veçantë në rezultatet pozitive të arritura krahas teknologjisë më të fundit të vënë në përdorim dhe angazhimit maksimal të strukturave të policisë së shtetit, ka luajtur dhe bashkëpunimi me strukturat e pushtetit vendor.” – theksoi z. Burgaj.

 
Gjatë këtij takimi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në mënyrë të veçantë e vuri theksin në drejtim të treguesve të punës për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit, sidomos të disa krimeve me rrezikshmëri të theksuar, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejt në publik.
Në këtë kontekst Z.Burgaj kërkoi angazhimin maksimal të strukturave të Policisë në bashkëpunim me Prokurorinë për zbardhjen e autorëve të vrasjes së punonjësit të policisë Kolë Ndreshaj.

Ndërkohë duke ju referuar treguesve të punës së strukturave të Policisë të Qarkut Shkodër për evidentimin e veprave penale dhe zbulimin e tyre, ku për këtë 9-mujor janë evidentuar 776 vepra penale dhe zbuluar 72% e tyre,  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u shpreh:
“Natyrisht unë e vlerësoj evidencimin e saktë të veprave penale të ndodhura, dhe punën e mirë të bërë nga ana Juaj në bashkëpunim me prokuroritë, por nga ana tjetër duhet të jeni më rezultativ për sa i përket rritjes së zbulueshmërisë së veprave penale, kryesisht vjedhjeve të pronës.”


Z. Burgaj u ndal gjithashtu në punën e bërë për parandalimin e aksidenteve rrugore, duke theksuar faktin se pas riorganizimit, fillimi i veprimtarisë së këtyre strukturave është mjaft rezultativ.
“Por ne presim një ndryshim thelbësor dhe ç’është më i rëndësishëm që ky ndryshim të ndihet dhe nga vetë qytetarët” – vuri në dukje Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duke kërkuar angazhimin maksimal të strukturave policore për rritjen e mëtejshme të treguesve të performancës në këtë drejtim.


Rezultatet pozitive të arritura nga Policia Kufitare dhe Migracionit në drejtim të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët shqiptarë dhe të huaj, ishte një tjetër çështje e trajtuar nga Z. Burgaj gjatë këtij takimi.
Por me liberalizimin e vizave kërkohet një angazhim akoma më i madh i këtyre strukturave për përmirësimin e mëtejshëm të standardeve të performancës – theksoi z. Burgaj.
Po ashtu Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ndal në rezultatet e arritura nga këto struktura falë implementimit të teknologjisë më moderne dhe integrimit së fundmi të dy sistemeve të Interpolit, duke bërë të mundur arrestimin e mbi 36 personave të kërkuar vetëm në tre muajt e fundit.
 

Në përfundim të takimit Z. Burgaj duke përgëzuar dhe një herë efektivat e Qarkut Shkodër për rezultatet e arritura, kërkoi angazhimin maksimal të këtyre strukturave në drejtim të përmirësimin e treguesve të punës dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve të ofruara për qytetarët.
“Ne jemi të vendosur të përmirësojmë performancën e shërbimeve tona, duke filluar nga kufiri, në rrugë, në zbulimin dhe parandalimin e krimit, si dhe për çdo aktivitet tjetër që na ngarkon me detyra ligji.”- evidentoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Login Form