Belsh / Inaugurohet Stacioni i Policisë, i rikonstruktuar nga Programi Suedez

Ditën e sotme, me pjesëmarrjen e zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Albert Dervishaj, Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan Ardian Çipa, kryetarit të bashkisë Belsh Arif Tafani, zv/ambasadores së Suedisë në Shqipëri Petra Burcher dhe përfaqësuesve të Projektit SCPA, është zhvilluar ceremonia e inaugurimit të Stacionit të Policisë Belsh.

Rikonstruksioni i Stacionit Policor Belsh është tregues i vijimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes nga Programi Suedez për Forcimin e Policimit në Komunitet në Shqipëri, që ka bërë disa ndërhyrje të tilla në disa godina të tjera që janë pjesë e DVP Elbasan.

Fjala e zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Albert Dervishaj, gjatë ceremonisë:

E nderuar zonja zv/ambasadore,

I nderuar zoti kryetar i bashkisë Belsh,

Të nderuar drejtues dhe punonjës policie,

Të nderuar pjesëmarrës,

Në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, ju përshëndes, dhe për shkak të një ndryshimi të axhendës në minutën e fundit, më ka autorizuar ta përfaqësoj në këtë takim.

Prania jonë sot ka si objekt një ngjarje që lidhet me përmirësimin e infrastrukturës institucionale, për strukturat e Policisë së Shtetit, në të gjitha këndet gjeografike ku e shtrin veprimtarinë e saj.

Rikonstruksioni, modernizimi dhe ceremonia e inagurimit të këtij investimit të rëndësishëm, aq më tepër kur financimet e kryera janë nga partnerët tanë, përbën në vetvete një mesazh shumë thelbësor, pasi tregon qartë rritjen e besueshmërisë të partnerëve te Policia e Shtetit dhe kjo për ne, për misionin dhe detyrën që ushtrojmë, përmban një mesazh të drejtpërdrejtë besimi dhe bashkëpunimi të ndërsjellë, për përmbushjen e një qëllimi të vetëm: mbarëvajtjen dhe sigurinë e shtetasve, kudo ku ata ndërtojnë dhe zhvillojnë jetën e tyre.

Për ne si drejtues të Policisë së Shtetit është nder dhe përgjegjësi të ndodhemi sot bashkë me ju në inaugurimin e këtij stacioni policor, tashmë të rikonstruktuar dhe në shërbim të qytetarëve. Padyshim të gjithë jemi të vetëdijshëm se nevojat dhe prioritetet sa i përket fushës së investimeve janë të shumta dhe ne po i përgjigjemi ndryshimit të këtij realitetit hap pas hapi, duke u përpjekur me të gjitha mundësitë për ta shndërruar këtë realitet dhe për t’i dhënë trajtën e duhur në përputhje me të gjitha standardet e kohës.

Nuk mund të lëmë pa përmendur faktin se me investimin e qeverisë shqiptare vitet e fundit u ndërtuan shumë godina të Policisë dhe së fundi, po me investimin e kësaj qeverie dhe të BE-së, u ndërtua reparti model i forcës elitë, RENEA.

Sigurisht që nevojat janë të shumta, pasi trashëguam godina të amortizuara dhe në kontrast me performancën që kërkon koha.
Ndaj ofrimi i projekteve dhe mbështetja e donatorëve ndërkombëtarë është një tjetër ndihmesë në këtë drejtim, por edhe në drejtim të rritjes së cilësisë së shërbimit dhe rritjes profesionale të punonjësve të Policisë.

Sot, falë këtij investimi, ndryshimi është i dukshëm, ndaj përfitoj nga rasti për të falënderuar Programin e Policimit në Komunitet të financuar nga qeveria suedeze, për këtë ndërhyrje të kryer në këtë objekt.

Përmirësimi i kushteve të punës për punonjësit e Policisë së Shtetit është një proces, objektiv të cilit i kemi kushtuar këtë periudhë dhe do të vijojmë t’i japim një vëmendje të veçantë, duke e shndërruar në një proces i cili po ecën paralel me përmirësimin e imazhit të Policisë tek qytetarët.

Mbështetja afatgjatë e përfituar nga programi i qeverisë suedeze ka qenë mjaft i dukshëm dhe domethënës. Krijimi i Zyrave të Shërbimit për Qytetarët dhe rikonstruksioni i vazhdueshëm i tyre në të gjithë Shqipërinë e ka konsoliduar ndjeshëm imazhin e Policisë së Shtetit dhe efikasitetin e saj në shërbim të komunitetit.

Krahas krijimit të kushteve nëpërmjet zyrave të pritjes, ndryshoi edhe ofrimi i shërbimeve në mënyrë dinjitoze, në një zyrë të gjitha shërbimet, pa vonesa, pa kërkesa dokumentare të tepruara, tashmë edhe online, gjë e cila ka rritur nivelin e besueshmërisë së publikut tek Policia.

Ndërhyrja e projektit në qarqet Elbasan dhe Kukës ka modernizuar dukshëm kushtet e punës për punonjësit e Policisë. Më vjen mirë që pas ndërhyrjeve në Librazhd, në Drejtorinë Vendore Elbasan, me dhomën e intervistimit për të miturit dhe Sallën e Komandimit dhe rikonstruksionin e zyrave policore në zonat rurale, sot gjendemi këtu në Belsh, për të inauguruar rikonstruksionin e Stacionit të Policisë.

Për të gjithë ata që e vizitojnë Belshin, është mëse e dukshme se në tërësi ky qytet ka marrë një zhvillim të veçantë vitet e fundit dhe kryetari i bashkisë përmendi këtu shifra që janë sinjifikative për këtë ceremoni. Ky vend është kthyer vërtetnë një destinacion për shumë qytetarë dhe turistë vendas dhe të huaj. Për këtë arsye, ky stacion i rikonstruktuar do t’i shërbejë edhe më mirë atyre sepse ai i përshtatet më së miri edhe ndërhyrjeve të kryera për përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.

Në këtë kuadër, edhe kërkesën që kryetari i bashkisë shtroi para drejtuesve të Policisë, mendoj se në njëfarë mënyre e kemi zgjidhur me emërimet që Drejtori i Përgjithshëm së Shtetit bëri ditët e fundit, për 443 punonjës policie të rolit bazë, një pjesë e të cilëve janë emëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan dhe në Stacionin e Policisë Belsh, me qëllim plotësimin e nevojave me efektivë policie.

Mbështetja infrastrukture nga Programi Suedez ka ecur në një kohë me rishikimin e procedurave të punës për oficerët e Policimit në Komunitet dhe të Patrullës së Përgjithshme. Me mbështetjen e këtij projekti, ne kemi ndërmarrë një rishikim të praktikës së punës për këto dy kategori punonjësish policie, duke filluar nga ndryshimi i përshkrimeve të punës tek zbatimi në praktikë i tyre.

Qëllimi ka qenë fokusimi i oficerëve të Policimit në Komunitet në detyrat e tyre thelbësore, përmirësimi i marrëdhënieve me publikun dhe parandalimi i veprave penale, duke mënjanuar detyrat dytësore, të cilat konsumonin shumë kohë dhe nuk prodhonin rezultatet pozitive.

Pas pilotimit në Elbasan, praktika është shtrirë gradualisht edhe në 7 drejtori të tjera dhe deri në qershor të këtij viti parashikojmë ta shtrijmë në të gjithë Shqipërinë.

Edhe ky është një proces që po e zhvillojmë në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e Projektit Suedez për Policimin në Komunitet.

Projekti ka ofruar mbështetje edhe për përmirësimin e punës së Policisë Rrugore, në parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë dhe në këtë fushë ndërhyrja ka qenë në disa dimensione kyçe.

Është bashkëpunuar për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për zbatimin e rregullave dhe sjelljen e duhur në rrugë, përmes prezantimeve në shkolla, spoteve promovuese dhe aktiviteteve në terren.

Nga ana e Projektit është bërë e mundur mbështetja me 6 radarë inteligjentë dhe 110 tableta e printera, për Patrullat e Policisë Rrugore, me një vlerë prej 240.000 euro, të cilat tashmë kemi filluar t’i përdorim pas trajnimeve të kryera për punonjësit e Policisë.
Aktualisht po bashkëpunojmë me projektin, për ndërtimin e një sistemi të menaxhimit elektronik të radarëve dhe të mbikëqyrjes në kohë reale të shpërndarjes së efektivëve në terren, performancën e tyre në punë dhe impaktin që puna e tyre ka në përmirësimin e sigurisë në rrugë.

Shpresoj që në pranverë ta vendosim sistemin në punë dhe të marrim rezultatet e para.
Pa u zgjatur më tej, dëshiroj t’i shpreh përfaqësuesve të Ambasadës Suedeze, zonjës zv/ambasadore, falënderimet tona për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në fushën e Policimit në Komunitet. Suedia është një partner ku ne jemi mbështetur vazhdimisht dhe ndihma e ofruar ka qenë jashtëzakonisht e vlefshme për ne.

Shpresojmë shumë të vazhdojmë këtë bashkëpunim edhe në vitet në vijim. Përkushtimi jonë për këtë qëllim është i madh.

Përfitoj nga rasti të falënderoj krejt ekipin që punoi mbi këtë projekt të Policimit në Komunitet dhe të gjithë bashkëpunëtorët në Policinë e Shtetit, për punën e tyre.

Së fundi, dua të siguroj qytetarët se Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e fokusuar për garantimin e rendit dhe sigurisë, parandalimin dhe goditjen e krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti, si dhe për rritjen akoma më shumë të cilësisë së shërbimit për qytetarët në krejt territorin e vendit.

Ju faleminderit të gjithëve!