3 donacione me vlerën 9 mijë euro, për Policinë e Shtetit

Me interesimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Gledis Nano, për gjetjen e donacioneve, me qëllim pajisjen me logjistikën e nevojshme të zyrës së shtypit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe të gjitha Drejtorive Vendore të Policisë, me podiumet për zhvillimin e konferencave për shtyp, Policisë së Shtetit iu ofruan tre biznese të cilat kontribuuan me rreth 9 mijë euro.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka falënderuar përfaqësuesit e këtyre bizneseve, për blerjen e aksesorëve të rëndësishëm për krijimin e kushteve me teknologji bashkëkohore për Sektorin e Komunikimit me Median e Publikun në Policinë e Shtetit dhe ka ftuar edhe përfaqësues të bizneseve të tjera, që ta mbështesin Policinë e Shtetit.

Biznesi “Fab Construction sh.p.k”, me përfaqësues Shaban Xhabrahimi, ka sponsorizuar blerjen e 4 kompjuterave me parametra optimalë, bashkë me aksesorët, dhe të një fonie të lëvizshme, me vlerë rreth 4800 euro.

Biznesi “Gremi Clinic sh.p.k”, me përfaqësues Dritan Gremi, ka sponsorizuar blerjen e kamerës dhe të aksesorëve të tjerë, me vlerën rreth 2600 euro.

Firma e përpunimit të drurit, me përfaqësues Arenc Koçiaj, ka sponsorizuar prodhimin e 14 podiumeve, me vlerën rreth 1600 euro, duke unifikuar të gjitha DVP-të dhe Drejtorinë e Përgjithshme, me podiume për zhvillimin e konferencave për shtyp.

Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e vendosur në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi, për të garantuar sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, si dhe për të krijuar një ambient sa më të sigurt e në këtë kuadër fton qytetarët që ta mbështesin akoma më shumë Policinë e Shtetit.