Inaugurohet rikonstruksioni i Stacionit të Policisë Fushë Krujë

Me një donacion prej 4.5 milionë lekësh të rinj, nga administratori i fabrikës së çimentos në Fushë Krujë, është bërë i mundur rikonstruksioni i godinës dhe i ambienteve të Stacionit të Policisë Fushë Krujë.

Në ceremoninë e inaugurimit, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Neritan Nallbati theksoi se duke parë amortizimin tejet të rënduar të Stacionit të Policisë Fushë Krujë, me iniciativën e shefit të Komisaritatit të Policisë Krujë, kanë marrë kontakt me administratorin e fabrikës së çimentos në Fushë Krujë, z. Charles Bouri, i cili ofroi me dëshirë donacion për restaurimin e godinës, për ta rikthyer atë në parametra normale.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano është shprehur se ambientet e rikonstruktuara do të krijojnë kushte më optimale pune për punonjësit e Policisë, po ashtu edhe një pritje dinjitoze për qytetarët që vijnë dhe kërkojnë shërbime nga Policia e Shtetit. Nano falënderuar donatorin Charles Bouri dhe të gjithë donatorët e tjerë që kanë mbështetur Policinë e Shtetit, duke i cilësuar si mjaft të rëndësishme donacionet që shërbejnë për përmirësimin e kushteve të punës të punonjësve të Policisë dhe të cilësisë së shërbimit që u ofrohet qytetarëve.

Prefekti i qarkut z. Nasto, pasi ka uruar efektivët për ambientet e rikonstruktuara, ka theksuar se tashmë jemi në një aksion të madh, atë të parandalimit të kanabisit, ndaj duhet të punojmë të gjithë së bashku për ta përmbushur këtë prioritet.

Në përfundim të ceremonisë, të pranishmit kanë vizituar ambientet e rikonstruktuara.