110-vjetori i Policisë së Shtetit, vlerësohen 2 struktura dhe 127 punonjës

Policia e Shtetit

Në kuadër të 110-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, Ministri i Brendshëm vlerësoi me medaljen “Për Veprim Profesional”, 2 struktura shumë të rëndësishme të Policisë së Shtetit, konkretisht Institutin e Policisë Shkencore dhe Interpol Tirana.

Po në kuadër të 110-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit shqiptar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku akordoi 127 certifikata “Për shërbime të dalluara” dhe “Certifikata karriere”, për punonjës të strukturave qendrore, me motivacionin “Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe për kontributin e dhënë gjatë viteve të punës për zhvillimin e vazhdueshëm të standardeve policore, në shërbim të Policisë së Shtetit.”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit:

“Fati më përzgjodhi mua që ta përshëndes këtë datë jubile, dhe në të njëjtën kohë, të kem mundësinë të vlerësoj dhe të përulem me nderim, para punës dhe përkushtimit të të gjithë atyre që e kanë mbajtur dhe që e mbajnë veshur uniformën e Policisë së Shtetit, si edhe para atyre që në periudha të ndryshme dhe në ato më të vështirat, mbajtën stafetën e drejtimit të Policisë së Shtetit, duke i dhënë vlerat më qëndrestare këtij institucioni.

Vlerësim dhe mirënjohje e përzemërt edhe për familjet tuaja që ndajnë me ne shqetësimet dhe triumfet, që nuk ankohen për privimet fizike dhe kohore që sjell puna si punonjës i Policisë së Shtetit, por na qëndrojnë në krah dhe na mbështetin, për të realizuar misionin tonë, sa të vështirë aq edhe fisnik.

Nga jashtë, imazhi i një punonjësi policie është po aq komod sa imazhi i një punonjësi administrate, po askush më mirë se ne, të angazhuar në çdo strukturë dhe në çdo nivel, nuk e njeh peshën e sakrificës, të orëve të gjata të punës, të sfidave profesionale, të lodhjes dhe të guximit, të rasteve dhe të ngjarjeve, të uniformës dhe të armës së shërbimit”.

Certifikatat janë shpërndarë gjatë ceremonive të organizuara në qendër dhe në qarqe, për kremtimin e 110-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit.