Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Kutia e Pandorës”

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Goditet një grup kriminal që ushtronte veprimtarinë kriminale të shpërndarjes në sasi dhe në doza, të drogave të forta heroinë dhe kokainë.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Kutia e Pandorës”, pas një hetimi disajavor, me metoda proaktive.

Vihen në pranga 4 shtetas, pjesëtarë të këtij grupi kriminal.

Sekuestrohen 6 kilogramë heroinë dhe kokainë, si dhe 1100 doza heroine dhe kokaine.

Gjithashtu, janë sekuestruar shuma të mëdha parash në euro dhe në lekë.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta, bazuar dhe në inteligjencën informative, se një grup kriminal shpërndante me shumicë dhe në doza, lëndët narkotike heroinë dhe kokainë, referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila regjistroi një procedim penal në janar të këtij viti.

Si rezultat i hetimit disajavor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur sigurimi i provave të nevojshme, për pjesëtarë të një grupi kriminal që shpërndante lëndë narkotike heroinë dhe kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës.

Bazuar në këto prova, u organizua dhe u finalizua me sukses, operacioni policor i koduar “Kutia e Pandorës”.

Në kuadër të këtij operacioni, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-B. F., 40 vjeçe, banuese në Tiranë drejtuese e këtij grupi kriminal;
-H. B., 41 vjeçe, anëtare e grupit kriminal;
-A. K , 45 vjeç, anëtar i grupit kriminal;
-K. B., 20 vjeç, anëtar i grupit kriminal.

Nga kontrolli i ushtruar në banesat e shtetasve B. F. dhe A. K., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 6 kilogramë lëndë narkotike heroinë dhe kokainë, përkatësisht 3 kg e 891 gramë lendë të dyshuar narkotike heroinë dhe 2 kg e 110 gram lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Një pjesë e tyre ishte e ndarë në 1100 doza, të gatshme për shitje.

Gjithashtu, nga kontrolli u gjetën shuma të mëdha parash në euro dhe në lekë, konkretisht 83 555 euro dhe 420 000 lekë të rinj që u sekuestruan së bashku me 2 automjete, 2 motoçikleta, 3 peshore elektronike dhe 4 aparate celulare.

Nga hetimit e kryera, rezulton se këta shtetas vepronin në formën e grupit kriminal që drejtohej nga shtetasja B. F., e cila siguronte lëndën narkotike në sasi të mëdha dhe më pas furnizonte shpërndarësit me doza.

Po nga hetimet është bërë e mundur që të identifikohet edhe personi që furnizonte me sasi kokaine dhe heroine shtetasen B. F., por për arsye hetimi, nuk bëjmë me dije të dhënat, pasi operacioni është në vijim, për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Thkesojmë faktin se vetëm gjatë muajit janar 2023, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë janë finalizuar me sukses 4 procedime proaktive.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.