Raporti ditor i ngjarjeve, 11 shkurt 2023

Raporti ditor i ngjarjeve, 11 shkurt 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Krujë – Goditi me mjet të mprehtë, një shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga 46-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasin B. K., 46 vjeç, banues në fshatin Gramëz, Krujë, pasi në këtë fshat, ka goditur me mjet të mprehtë (kosore), për motive të dobëta, shtetasin E. L.(K.), 39 vjeç, banues në Arrameras, i cili po merr mjekim në Spitalin e Traumës, Tiranë. Policia e ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin e mprehtë me të cilin dyshohet se është goditur 39-vjeçari. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Vau i Dejës, Shkodër – Dogjën një magazinë me bazë ushqimore dhe vegla pune, kundërshtuan me dhunë dhe kanosën për vrasje punonjësit e Policisë, arretohen në flagrancë dy 26-vjeçarë nga Bushati i Shkodrës. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, pas njoftimit se në fshatin Fshat i Ri, Vau i Dejës, kishte rënë zjarr në një magazinë me bazë ushqimore dhe vegla pune, menjëherë janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes. Gjatë rrugës për në vendin e ngjarjes, shërbimet e Policisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara për 2 shtetas si autorë të dyshuar të ngjarjes, kanë lokalizuar në fshatin Rranxa, një automjet me të cilin po qarkullonin 2 shtetas dhe i kanë bërë shenjë për ndalim. Në momentin e ndalimit, shtetasit A. S. dhe P. D. kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë kanosur për vrasje punonjësit e Policisë, por falë reagimit të punonjësve të Policisë, ata janë neutralizuar dhe arrestuar në flagrancë. Në përfundim te veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës arrestuan në flagrancë shtetasit A. S., 26 vjeç dhe P. D., 26 vjeç, të dy banues në Bushat, Shkodër. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë djegur një magazinë me bazë ushqimore dhe vegla pune, në Fshatin e Ri, në Vaun e Dejës, në pronësi të shtetases Z. Gj. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të kryera në bashkëpunim.

DVP Vlorë/Vihen në pranga 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin E. M., 36 vjeç, banues në Selenicë, pasi ka kanosur me mjet prerës thikë, bashkëshorten e tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje. Specialistët e Qarkullimit Rrugor Sarandë arrestuan shtetasin A. M., 42 vjeç, banues në Ksamil, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur. Materialet iu referuan Prokurorisë së Vlorës dhe Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme. Sot, në lagjen “Isa Boletini”, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i tretë i një ndërtese, shtetasi B. M., 64 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 61 shtetas, konkretisht: 17 shtetas janë vënë në pranga, 42 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste-6 shtetas janë vënë në pranga, 2 janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, është evidentuar 1 rast i mbajtjes së armëve të ftohta-1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 2 raste, njëri rast me 1 autor të vënë në pranga dhe rasti tjetër me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 6 raste-6shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i kontrabandës së mallrave-1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale dhe objekt kalimin e paligjshëm të kufirit, është evidentuar 1 rast-1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 6 raste, 4 prej tyre dhe autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon punën Policia, ndërsa për rastet e tjera-2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.  

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”-1 shtetas është vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 4 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 3 raste-1 shtetas është vënë në pranga, 2 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar i rast i “Shkatërrimi i pronës”, 1 rasti “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe 1 rast i “Vetëgjyqësia”, me nga 1 autor që po procedohet penalisht në gjendje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 2 shtetas të vënë në pranga; 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësve të policisë”, me 2 autorë të vënë në pranga”; 1 rast i “Ngacmimi seksual”, 2 raste të “Prishja e qetësisë publike”, 1 rast i “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, 1 rast i “Dhunimi i banesës”, 1 rast i “Fyerja”, 1 rast i “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, 1 rast i “Marrja pa të drejtë e fëmijës” dhe 1 rast i “Vjedhja e energjisë elektrike”, me nga 1 shtetas të proceduar penalisht.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, si pasojë e të cilave janë dëmtuar 4 shtetas. Janë evidentuar në total 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor-3 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.