DVP Korçë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight 6”

DVP Korçë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight 6”.

Transportonte me një automjet që e drejtonte i dehur, 13 emigrantë, për të kaluar kufirin ilegalisht, arrestohet në flagrancë 33-vjeçari.

Në pranga edhe vëllai i tij, pasi shoqëronte me një automjet tjetër, automjetin që transportonte emigrantët, për të sinjalizuar praninë e Policisë në rrugë.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt përfitimeve monetare, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 6”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit E. P., 33 vjeç dhe A. P., 45 vjeç (vëllezër), të dy banues në Laprakë, Tiranë.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, për 2 shtetas që do të transportonin emigrantë, për të kaluan kufirin ilegalisht, organizuan veprimet dhe në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në Qafë Plloçë, bënë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e automjeteve tip “Volkswagen” me drejtues shtetasin E. P. dhe tip “BMW” me drejtues shtetasin A. P.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues 33-vjeçarin, u gjetën 13 emigrantë nga vendet e treta, të cilët ky shtetas do t’i transportonte drejt BE-së, kundrejt fitimit. Pas kryerjes së testit të alkoolit, rezultoi se shtetasi E. P. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur.

Nga hetimet e kryera, rezultoi se vëllai i 33-vjeçarit, shtetasi A. P. shoqëronte me automjetin tip “BMW”, automjetin që transportonte emigrantët, për të sinjalizuar shtetasin E. P., për prezencë të shërbimeve të Policisë në rrugë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.