Port Durrës – Vihet në pranga 1 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër

✅Arrestohet në flagrancë një 32-vjeçar kosovar, pasi tentoi të kalonte kufirin me një leje qëndrimi false.

✅Procedohet penalisht edhe një 26-vjeçar, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port Durrës, bazuar në analizën e riskut, kanë intensifikuar kontrollet, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi. Si rezultat, janë konstatuar 2 raste në këtë fushë, për të cilat:

-është arrestuar në flagrancë shtetasi A. K., 32 vjeç, banues në Kosovë, pasi ka tentuar të dalë nga vendi ynë, me një leje qëndrimi në shtetin francez, të dyshuar të falsifikuar, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale;

-janë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 26 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ka kaluar kufirin, në kundërshtim me ligjin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.