Raporti ditor i ngjarjeve, 28 mars 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Deklaratë për shtyp e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë-Në vijim të njoftimit të dhënë mëngjesin e datës 27.03.2023, për ngjarjen e ndodhur në Mëzez, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës së televizionit Top Channel dhe për pasojë ka mbetur i vrarë punonjësi i sigurisë, shtetasi Pal Kola, ju informojmë si më poshtë:Më datë 27.03.2023, rreth orës 00:30, shtetas ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri automatik model AK-47, në drejtim të godinës së Top Channel dhe për pasojë ka mbetur i vrarë shtetasi Pal Kola, 61 vjeç. Po nga të shtënat është dëmtuar fasada ballore e godinës së televizionit, si dhe dy automjete të parkuara në oborr.Nga veprimet hetimore të kryera deri tani rezulton se në orën 00:27 të datës 27.03.2023, automjetit i autorëve është fiksuar nga kamerat e sigurisë, në zonën e Kasharit. Ky automjet ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, ka dalë përballë godinës së televizionit Top Channel dhe në atë moment autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës së televizionit.Autorët, pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit, dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit. Në orën 00:55, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e qujatur “Përroi i Agait”.Menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen e ndodhur, në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, si dhe janë organizuar pika kontrolli në të gjitha akset rrugore të vendit.U formua grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe u kryen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në vendin e ngjarjes dhe në vendin e djegies së automjetit.Nga veprimet hetimore në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 25 gëzhoja model 56, 5 predha dhe 9 copëza predhash municioni luftarak. Janë këqyrur dhe sekuestruar kamerat e sigurisë të televizionit, si dhe disa kamera sigurie të subjekteve private  përrreth vendit të ngjarjes dhe në drejtimin e lëvizjes së automjetit të përdorur nga autorët.Në vendin e djegies së automjetit është këqyrur dhe sekuestruar automjetit i djegur dhe një gëzhojë model 56, e cila u gjet jashtë automjetit. Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri model AK-47, si dhe sende të tjera që lidhen me automjetin, si targa e parë e automjetit, 4 gëzhoja model 56 të plasura si pasojë e djegies etj.Janë pyetur në cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, të gjithë personat e pranishëm në vendin e ngjarjes, si dhe disa persona të tjerë të evidentuar nga Policia, në Kavajë, Vlorë etj.Nga ekspertimi i provave të sekuestruara në të dyja vendngjarjet, ka rezultuar se  autorët i kanë përdorur të dyja armët e zjarrit, ku 20 gëzhoja janë qitur nga një armë zjarri dhe 6 gëzhoja janë qitur nga arma tjetër. Për provat e tjera të sekuestruara janë përgatitur vendimet e ekspertimit dhe nga Instituti i Policisë Shkencore vazhdon puna për ekzaminimin e tyre.Automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale  të Lezhës. Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë  kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës.Më datë 27.03.2023, në orën 19:00, nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është zhvilluar një analizë e detajuar e veprimeve hetimore të kryera, janë përcaktuar versionet hetimore dhe një grup i posaçëm hetimor po vazhdon kryerjen e veprimeve hetimore të deleguara me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.

Po kështu, po analizohen të gjitha informacionet që disponon Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese të cilat do të ndihmojnë grupin hetimor, për kryerjen e këtij hetimi.Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe vendos shpërblim 100 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifkimin e autorëve. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 069 41 10 299, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.

Shëngjin, Lezhë-Vijon operacioni policor i koduar “Eksplozivi”, për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 19.11.2020, në Shëngjin, ku në një objekt privat në ndërtim u vendos një sasi lënde shpërthyese.Vihet në pranga autori i tretë i dyshuar i kësaj ngjarjeje.Më parë janë arrestuar edhe 2 autorët e tjerë të kësaj ngjarjeje.Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, pas një pune të mirëfilltë profesionale hetimore, në kuadër të operacionit “Eksplozivi”, kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e autorit të tretë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 19.11.2020, në Shëngjin, shtetasit:Z. K., 52 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese e municionit luftarak”.Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit A. S. dhe E. P. (të arrestuar më parë në kuadër të operacionit “Eksplozivi”), dyshohet se më datë 19.11.2020, kanë vendosur lëndë shpërthyese në një subjekt privat objekt në ndërtim e sipër, në pronësi të shtetasit L. Gj., në Shëngjin, ku si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Krujë-Finalizohet operacioni policor i koduar “Pëllumbi”, nga Policia e Krujës dhe strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.Operacioni, falë inteligjencës informative, në vazhdën e goditjeve të njëpasnjëshme ndaj kultivimit të kanabisit, në ambiente të mbyllura, me anë të llambave.Zbulohen 2 ambiente të përshtatura me llamba dhe pajisje të tjera elektrike, për kultivimin e bimëve narkotike.Sekuestrohen 268 bimë kanabisi, 51 llamba dhe pajisje të tjera elektrike që i shërbenin kultivimit në ambiente të mbyllura.Vihen në pranga 2 vëllezër, autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, si rezultat i kontrolleve intensive që kanë si prioritet evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, me anë të llambave, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antikanabis të koduar “Pëllumbi”.Si rezultat i këtij operacioni, në fshatin Qerekë, Krujë, në banesën e shtetasit Sh. H., u zbuluan 2 ambiente që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike dhe që ishin përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera, për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.Gjatë kontrolleve në këto ambiente, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 268 bimë të dyshuara narkotike kanabisi, 51 llamba, 1 aspirator, 2 ventilatorë dhe 51 rritës të energjisë elektrike.Si rezultat i veprimeve operacionale në kuadër të këtij operacioni, u vunë në pranga shtetasit Sh. H., 39 vjeç (pronari i banesës) dhe F. H., 32 vjeç (vëllai i pronarit të banesës), të dy banues në Qerekë, Krujë. Shtetasi F. H. ka kryer lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 69 shtetas, konkretisht: 23 shtetas janë vënë në pranga, 37 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshdhe penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste-3 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje, janë evidentuar 2 raste me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për një rast të ndodhur më parë të kësaj veprimtarie kriminale, është vënë në pranga 1 shtetas.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 3 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, për rastet e tjera-1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 6 raste- 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Është evidentuar edhe 1 rast i krimeve kompjuterike me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” është evidentuar 1 rast me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 9 raste. Për zbardhjen e tyre dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve, Policia vijon punën. 3 shtetas janë vënë në pranga për vjedhje të energjisë elektrike.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 10 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 9 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe është plotësuar 1 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Dhunimi i banesës”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Fyerja”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar gjithashtu, 4 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i veprimtarive të kundërligjshme në fushën e prostitucionit, me 6 shtetas të arrestuar dhe 1 rast i veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, si pasojë e të cilave 5 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 11 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 6 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.