Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare  

Zoti Pëllumb Seferi ka lindur më datë 05.10.1971 në Gosë, Kavajë dhe banon në Tiranë që nga viti 2002. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Në vitet 1986-1990 ka kryer shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, Shqipëri. Në vitet 1990-1992 ka kryer akademinë ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, Shqipëri. Në 1992-1994 ka kryer akademinë ushtarake në Modena, Itali. Në 1994-1997 ka kryer shkollën e lartë të aplikimit në Torino, Itali (konvertuar në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari”). Në vitet 1992-1997 ka mbaruar edhe Universitetin e Torinos, Itali, Fakulteti i Shkencave Politike, për Politikë Ndërkombëtare (diplomuar më 07.07.1997 në Torino, njohur edhe nga Ministria e Arsimit). Në vitin 2012 ka mbaruar Akademinë Kombëtare të FBI-së në Quantico në shtetin e Virxhinias, SHBA (konvertuar në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari”). Në vitet 2010-2012 ka mbaruar Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë (Diplomë master në Marrëdhënie Ndërkombëtare).

Pas mbarimit të studimeve në Itali, ai u kthye në Shqipëri dhe në vitin 1998 është emëruar Shef i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë. Në vitin 2000 është emëruar si Specialist i ZQK Interpol Tirana. Në vitin 2006 është emëruar Shef i ZQK Interpol Tirana.

Në vitin 2012, pasi mbaroi Akademinë e FBI-së (Zyra Federale e Hetimeve) dhe konkursin  e organizuar nga Policia e Shtetit të Shqipërisë, për gradën Drejtues i Parë, ai fitoi gradën Drejtues i Parë dhe u emërua Drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës. Në vitin 2013 emërohet Specialist/Koordinator në Sektorin e Analizës dhe Studimeve Strategjike të Drejtorisë së Studimeve Strategjike. Në vitin 2014 emërohet Shef i Zyrës së Oficerëve Ndërlidhës dhe Sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar. Në vitin 2016 emërohet Shef i Sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Koordinimit dhe Përkthimit. Në vitin 2017 është emëruar si Shefi i ZQK Interpol Tirana. Në 2018 është emëruar Drejtor i Kabinetit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe posti aktual, nga data 26 gusht 2020, është Drejtor i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (me gradën Drejtues i Lartë i  Policisë). 

Përveç arsimit të sipërpërmendur, ai ka përfunduar kurse të ndryshme profesionale, nga niveli i mesëm në atë strategjik në Shqipëri dhe në shtete të ndryshme si: SHBA, Hungari, Belgjikë, Poloni, Gjermani, Austri, Finlandë, Bullgari, Itali, Francë, Greqi, Turqi etj.

Gjatë karrierës së tij ai është vlerësuar nga partnerët ndërkombëtar si:

  • nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA (Byroja Federale e Hetimit), Drejtori i FBI James B. COMEY, me motivacionin “Për bashkëpunim të shkëlqyer me FBI në zhvillimin e përpjekjeve të ndërsjella kundër krimit në nivel ndërkombëtar. Meqenëse aktiviteti kriminal tani kalon shumë kufij, agjencitë e zbatimit të ligjit në të gjithë botën duhet të zhvillojnë nivele të larta bashkëpunimi. Ju keni patur një rol të rëndësishëm në nxitjen e këtyre përpjekjeve dhe FBI është mirënjohës për kontributet tuaja vetëmohuese”, në vitin 2014;
  • nga Prokuroria e New York-ut është vlerësuar për punën e jashtëzakonshme, përkushtimin dhe partneritetin e Policisë së Shtetin në, lidhje me arrestimin dhe ekstradimin e një shtetasi, në vitin 2011;
  • nga Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it Z. Ronald NOBLE, në vitin 2012;
  • nga Presidenti i Republikës së Italisë, duke i akorduar Medaljen e Kalorësit, në vitin 2022.
  • nga Ministri i Brendshëm i Spanjës i është aprovuar Urdhri i Meritës Policore me Kryqin e Bardhë, më datë 11.09.2023.  

Në të njëjtën kohë ai është vlerësuar edhe nga Policia e Shtetit Shqiptar, me:

  • Certifikatë për Shërbimet e Dalluara “Për merita të veçanta, profesionalizëm e përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës, për sigurimin e rendit e të qetësisë publike, në shërbim të Policisë së Shtetit”;
  • Certifikatë për Shërbime të Dalluara, “Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtim e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës, për zhvillimin e vazhdueshëm të standardeve policore, në shërbim të Policisë së Shtetit”;
  • Certifikatë për Shërbime të Dalluara, “Për merita të veçanta, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës për zhvillimin e vazhdueshëm të standardeve policore, në shërbim të Policisë së Shtetit”. Seferi mund të flasë rrjedhshëm italisht, anglisht dhe frengjisht (mirë).