Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

U zhvillua ceremonia e betimit dhe certifikimit të kursantëve që përfunduan kursin e X-të në “Kolegjin e Policisë” në Akademinë e Sigurisë

Gjatë ditës së hënë, më datë 24.04.2017, në ambientet e Akademisë së Sigurisë, është zhvilluar ceremonia e betimit dhe certifikimit të kursantëve që përfunduan programin e shkollimit në “Kolegjin e Policisë”, kursi i X-të, në Akademinë e Sigurisë. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Drejtori i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako, përfaqësues të Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Dr. Bilbil Memaj, Drejtori i Përgjithshëm/Rektori i Akademisë së Sigurisë, Drejtori i Kolegjit të Policisë, Drejtues Ylli Vasili, përfaqësues të misioneve policore që asistojnë Policinë e Shtetit, si dhe familjarë të kursantëve.

Në fjalën e tij, Drejtori i Policisë së Shtetit, z. Çako, ka përgëzuar kursantët për përfundimin me sukses të programit të shkollimit të Kolegjit të Policisë, program i cili synon pajisjen me njohuri dhe aftësitë e nevojshme, për tu bërë punonjës Policie të denjë dhe të aftë, për t’iu përgjigjur në kohë nevojave për sigurinë e komunitetit.
Kjo në kuadër të reformave të ndërmarra vitet e fundit, ku reformimi arsimor policor ka qenë dhe mbetet një nga pikat më të rëndësishme të kësaj reforme.
“Të gjithë reformat që Policia e Shtetit ka ndërmarrë këto vitet e fundit nën kujdesin e veçantë të Qeverisë dhe të Ministrit të Punëve të Brendshme, kanë synuar jo vetëm demokratizimin e këtij shërbimi, por mbi të gjitha formimin e një punonjësi Policie të aftë, për t’iu përgjigjur në kohë nevojave për sigurinë e komunitetit dhe mbi të gjitha një punonjësi me integritet të lartë dhe të pacenuar.
Gjatë këtyre viteve u bë e mundur hapja e Akademisë së Sigurisë që synon krijimin e liderëve të ardhshëm të Policisë, por edhe një rimodelim i trajnimit bazë policor me qëllim krijimin e bazave të qëndrueshme dhe në përshtatje me kërkesat e kohës, për një Polici të re, për një Polici të gjeneratës tjetër.
Të nderuar kolegë!
E ndjej shumë të nevojshme dhe të domosdoshme t’ju quaj që të gjithëve kolegë dhe kjo është sa në kënaqësinë time, por edhe në besueshmërinë time se jemi të gjithë të barabartë.
Virtytet mbi të cilat ju do të betoheni sot si besnikëria ndaj ligjit, ndershmëria dhe paanshmëria janë dhe duhet t’ju shoqërojnë gjatë gjithë karrierës suaj në Policinë e Shtetit.
Përpara keni një karrierë të gjatë ndaj dhe ju inkurajoj që asnjëherë të mos dorëzoheni para vështirësive apo pengesave, mbajeni gjithmonë këtë pasion që keni sot për këtë profesion, luftoni dhe kërkoni gjithmonë më të mirën nga vetja nga shoku nga kolegët dhe nga gjithë shoqëria"

Drejtori i Kolegjit të Policisë, Drejtues Ylli Vasili, ka theksuar rëndësinë e procesit mësimor të Kolegjit të Lartë profesional, në përvetësimin e programit teorik dhe trajnimit praktik, koncepteve të reja të policimit, duke synuar arritjen e prioriteteve dhe standardeve bashkëkohore që kërkojnë më shumë përgjegjësi, përkushtim, profesionalizëm, angazhim maksimal dhe rezultate konkrete.
"Shkollimi policor është një ndër kriteret bazë më të domosdoshme të organizatës së Policisë, për të formuar dhe trajnuar strukturat Policore të nivelit operues e më tej për të pasur sukses në misionin e saj.
Në Policinë e Shtetit trajnimi bazë për Patrullën e Përgjithshme ka marrë nismën e shkollimit që prej vitit 2006, falë suportit dhe mbështetjes së misioneve ICITAP dhe PAMECA të cilat asistojnë arsimimin policor në vendin tonë dhe më pas si rezultat i punës së palodhur dhe përpjekjeve të lavdërueshme profesionale dhe arsimore të stafit të Akademisë së Sigurisë, të realizuara vitet e fundit, duke përfituar kemi arritur këtë kolegj policor që kemi sot, të aftë për përgatitjen e një produkti profesional e ligjor. Synimi ynë është dhe mbetet formimi dhe kualifikimi i një brezi të ri të shërbimeve të Policisë së Shtetit, për të konsoliduar një trupë policore të qëndrueshme me integritet të lartë për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike dhe për të fituar besimin e qytetarëve duke përballuar çdo sfidë me paligjshmërinë"

Vilma Imeraj, një prej kursanteve që përfunduan me sukses kolegjin për Patrullë të Përgjithshme, ka vlerësuar si shumë të domosdoshme nismën e ndërmarrë kohët e fundit për futjen e femrave në Polici, duke falënderuar Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, që kanë suportuar përfshirjen e grave dhe vajzave në Policinë e Shtetit.
"Unë jam Vilma dhe deri para pak çastesh, kursante e Kolegjit të Lartë Profesional dhe tani, pjesë e strukturës së Policisë së Shtetit. Ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë ditë kaq të rëndësishme për ne. Prania juaj sot, në këtë ceremoni që simbolizon hapat e para të misionit tonë si punonjës policie, na motivon dhe na jep një pasqyrë të qartë se si ne, me dinjitet dhe me kokën lart, mund t'ia dalim mbanë.
Sot, përfaqësoj zërin e të gjithë kolegëve dhe e them me plot bindje që e gjej veten shumë të përfaqësuar dhe të barabartë, me aspak dallim vajza nga djem.
A është kjo një risi? Sigurisht që po. Një risi dhe një hap i madh që ka ndodhur sidomos vitet e fundit si një kërkesë e domosdoshme për krijimin e një organizate siç është Policia.
Policia nuk duhet parë si puna e të fortëve kundër të tjerëve, Policia është për zbatimin e ligjit, ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, zgjidhjen e konflikteve, krijimin e një mjedisi të sigurt për njerëzit, dhe së fundmi arritjen e një bashkëpunimi të suskseshëm me vetë komunitetin për çdo lloj problemi që u del përpara.
Policia është humanitet mbi të gjitha dhe kush me shumë se femra është një qenie humane, një jetë për jetë. Nëse më përpara në organizatën e Policisë përfshiheshin vetëm meshkujt, sot mendoj se kemi bërë një hap akoma më të madh, duke reformuar të gjithë sistemin në përfshirjen e figurës së femrës në atë botë të quajtur ekskluzivisht të meshkujve.
Unë jam një vajzë, por ama nuk jam ekstremisht feministe, që do të thotë se respektoj dhe vlerësoj rolin e rëndësishëm dhe të padiskutueshëm të burrave në organizatën e Policisë, si edhe në jetë, por nga ana tjetër dua të theksoj, se edhe gruaja luan një rol të rëndësishëm në bërjen e këtij profesioni, sa më të denjë dhe fisnik.
Përfshirja e grave dhe vajzave në Polici po mbështetet fuqishëm si nga institucionet shtetërore ashtu edhe nga shoqëria dhe familja. Rritja e numrit të vajzave dhe grave vit për vit në organizatën e Policisë, tregon për suksesin e kësaj nisme, por nga ana tjetër na ngarkon ne me një përgjegjësi shumë të madhe, që jo vetëm të luftojmë stereotipin gjinor, por edhe të ndërtojmë një rrugë më të sigurt për vajzat dhe gratë e tjera që e shohin veten në këtë profesion.
Së fundmi dua të them se ne jemi të përgatitur dhe të gatshëm që ta kryejmë detyrën tonë sa më mirë, të jemi të vëmendshëm dhe kritikues ndaj çdo vendimi që do të marrim, mund të jemi bashkëpunues me njëri tjetrin për të arritur qëllimin e përbashkët "të qenit Policia që të gjithë duam".

Gjëja më e rëndësishme që Kolegji na mësoi ishte se Policia është si një familje e madhe, ne jemi një familje dhe si e tillë duhet të përkrahim njëri tjetrin, të falim ndjenjën e sigurisë, të kuptojmë shpirtin e sakrificës dhe ta përcjellim atë edhe tek komuniteti.
Ne jemi punonjës policie, ne jemi humanë, ne japim jetë dhe mbrojmë jetë.
Një falënderim i veçantë shkon dhe për familjarët tanë, të cilët na mbështetën në këtë nismë duke na inkurajuar dhe motivuar që të japim më të mirën e mundshme, dhe ta vlerësojmë ashtu siç duhet këtë profesion.” – tha Vilma Imeraj në fjalën e saj.

Në mbyllje të aktivitetit, Drejtori i Përgjithshëm/Rektori i Akademisë së Sigurisë, Drejtues i Lartë, Dr. Bilbil Memaj, i uroi kursantët për përfundimin me sukses të programit të shkollimit të Kolegjit të Policisë dhe i uroi suksese në punën e tyre.
Në përfundim të ceremonisë, drejtuesit e lartë të institucioneve përkatëse u kanë dorëzuar certifikatat kursantëve të pranishëm.