Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Antiterrorizmi: pedagogë të Policisë turke, trajnojnë specialistët shqiptarë të antiterrorit

 

Në ambientet e Akademisë së Sigurisë, nga data 15-19 shkurt u zhvillua kursi trajnues me temë “Procesi i radikalizmit që çon në terrorizëm dhe masat parandaluese”, i cili u krye nën drejtimin e tre pedagogëve të Policisë turke: drejtues i lartë Ahmet Sula, drejtor në departamentin e terrorizmit; dr. drejtues Hasan Uzunbacak, drejtor i strukturës së terrorizmit në Mugla dhe nënkomisar Emre Altintop, specialist në departamentin e terrorizmit.

 Pjesëmarrës në këtë kurs ishin 25 specialistë nga drejtoria e Antiterrorit në drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe specialistë të antiterrorit nga drejtoritë vendore të Policisë. Pedagogët e Policisë turke kishin një eksperiencë të vlefshme në këtë fushë dhe u përkisnin departamentit të terrorizmit dhe strukturës së terrorizmit në Mugla. Më datë 19 shkurt, në sallën e konferencave të Akademisë  u zhvillua ceremonia e përfundimit të këtij kursi. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe zv. ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë si dhe oficeri i  kontaktit të Policisë turke në Tiranë. Nga Policia e Shtetit Shqiptar, në këtë ceremoni mori pjesë zv. drejtori i Policisë së Shtetit, drejtues i lartë Rebani Jaupi, drejtori i përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë, drejtues i lartë Bilbil Memaj, dekani i Fakultetit të Hetimit të Krimit, drejtues i parë Ilirjan Mandro dhe të ftuar të tjerë nga Policia e Shtetit dhe Akademia e Sigurisë.

Drejtori i përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë, z. Memaj, falënderoi Policinë turke dhe pedagogët e ardhur nga Turqia për organizimin dhe zhvillimin e këtij kursi. “Bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Sigurisë dhe Policisë turke është i një rëndësie të veçantë dhe ky trajnim është vetëm një produkt i këtij bashkëpunimi të frytshëm” - theksoi Z. Memaj në fjalën e mbajtur me rastin e mbylljes së kursit.

Këtë bashkëpunim e vlerësoi edhe zv. ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, i cili foli për rëndësinë e veçantë që i jep shteti turk marrëdhënieve me Shqipërinë ku shprehje e këtij bashkëpunimi janë edhe trajnimet që ofron Policia turke  për Policinë e Shtetit Shqiptar. Në përfundim u shpërndanë certifikatat për 25 pjesëmarrësit dhe dy përkthyesit e këtij trajnimi, komisar Adriatik Duqi dhe komisar Klement Zaçellari.