Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

AS, fillon trajnimi i OSBE-së për krimet e urrjejtjes

  

Efektivë të Policisë  kanë  nisur një  trajnim për krimet e urrejtjes. Në  ceremoninë  e organizuar me rastin e nisjes së  këtij trajnimi, ku ishte i pranishëm edhe Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, z. Florian Raunig, drejtori i Policisë së Shtetit, drejtues madhor Haki Çako e cilësoi këtë  trajnim, si ndër më  të  veçantët për policinë. ”Jemi në  një  fazë  të  përzgjedhjes së  kursantëve për Shkollën Bazë të Policisë. Jemi të  kënaqur dhe jemi të  bindur që  procesi do të  vazhdojë  në  mënyrë  të  natyrshme, çka do të  sjellë  një  ngritje profesionale të  punonjësve  të  policisë, për të  ndjekur në  kohë  të  gjitha shqetësimet dhe për të  parandaluar të  gjitha ngjarjet, që në mënyrë të  veçantë  lidhen me krimet e urrejtjes, të  cilët sjellin më  pas krime me të rënda, të  dhunës në  familje, në shoqëri e që krijojnë edhe pasiguri“ - deklaroi drejtor Çako.

Nga ana tjetër Ambasdori i OSBE-së, z  Rauning, tha se të  mbrosh të  drejtat themelore të  çdo qytetari të  vendit, do të  thotë  të  mbrosh shoqërinë si një e tërë. “Dëshiroj t’ju inkurajoj që  t’i shfrytëzoni  maksimalisht mjetet dhe metodat që  do t’ju ofrohen në  këtë  trajnim dhe t’i vini ato në  zbatim në  punën e përditshme“, - u shpreh ambasdori Rauning.

Trajnimi dhe kualifikimi i vazhdueshëm i  instruktorëve mësimdhënës në Akademinë e Sigurisë është një nga prioritetet kryesore e Akademisë së Sigurisë. Ndikuar nga gama e trajnimeve të vazhdueshme që zhvillon Akademia e Sigurisë, lidhur me respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, nisi edhe kursi i trajnimit për krimet e urrejtjes. Ky trajnim mbështetet nga Prezenca e OSCE-së në Shqipëri, Departamenti për Bashkëpunim në Çështjet e Sigurisë dhe synon që pjesëmarrësit të marrin dijeni të zgjeruar mbi konceptin e krimit të urrejtjes, si dhe të aftësohen që të trajnojnë strukturat policore për mënyrën se si duhet të trajtohen dhe intervistohen viktimat e krimeve të urrejtjes.

“Duke qenë se aktualisht jeni në procesin e rishikimit të programit mësimor për “Patrullë e Përgjithshme”, por dhe të sistemit “bachelor”, dëshirojmë që në këto programe të përfshihen apo shtohen tema të lidhura me krimet e urrejtjes. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj Prezencën e OSCE-së në Shqipëri për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme lidhur me trajnimet e zhvilluara deri tani dhe siguroj se trajnimi i strukturave tona policore do të reflektohet në përmirësimin e imazhit të punonjësve të policisë dhe rritjen e përgjegjësisë nga ana e tyre, bazuar në aktet ligjore ndërkombëtare, të cilat trajtojnë në terren raste të krimeve të urrejtjes, duke përçuar frymën e të qenit i barabartë mes të barabartëve në shoqëri”, - tha ndër të tjera në fjalën e tij, drejtori i përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë, drejtues i lartë Bilbil Memaj.

Krimet e urrejtjes janë akte kriminale të kryera për motive paragjykimi. Ato mund të shndërrohen shumë shpejt në konflikte më të gjëra brenda shoqërisë dhe mund të shkaktojnë rebelime apo konflikte civile kur ndodhin në kontekste jo tolerante ndaj një prej shkaqeve që kanë të bëjnë me fenë, etninë, orientimin seksual apo kombësinë. Këto krime janë shpesh të frymëzuara nga një frymë me tone raciste dhe ksenofobe. Edhe në rastet kur nxitja e urrejtjes nuk rezulton në një krim urrejtje ajo mund të shkaktojë tensione sociale dhe të krijojë frikë në grupet e margjinalizuara. Ky trajnim do të plotësojë kuadrin e zhvillimit profesional të efektivëve të Policisë së Shtetit.