Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Drejtori i Policisë Greke dhe një delegacion i lartë, vizitojnë Akademinë e Sigurisë

 

Në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë, drejtorit i Policisë Greke, z. Tsouvalas dhe delegacioni që e shoqëronte, kryen në datën 4.11.2016 edhe një vizitë në Akademinë e Sigurisë, si pjesë e axhendës së kësaj vizite. Delegacioni grek, mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza”, Rinas, në datën 3.11.2016 dhe u largua nga vendi ynë në datën 5.11.2016. Ky delegacion përbëhej nga disa prej funksionarëve më të lartë të Policisë Greke: drejtori i Policisë Greke, z. Konstatinos Tsouvalas; shef i kabinetit të Drejtorisë së Policisë Greke, zj. Zaharoula Tsirigoti; drejtori i Drejtorisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar, z. Ilias Ksanthakis; shefi i sektorit kundër drogës në Drejtorinë e Sigurisë, Atikë, z. Kostandin Panajotopulos; shefi i sektori kundër krimit të organizuar dhe trafikimit në Drejtorinë e Sigurisë, Atikë, z. Fotios Graikusis; z. Spyridon Marakis, z. Dimitrios Gyfteas dhe z. Dimitrios Gkytselis.

Në takimin që drejtori i Policisë së Shtetit, z. Haki Çako, pati me drejtorin e Policisë Greke, z. Konstantinos Tsouvalas, ky i fundit theksoi ndër të tjera se: “Qëllimi takimeve tona është që të inkurajojmë vartësit tanë që të kenë takime mes tyre për çështje të veçanta të interesit reciprok; të krijojmë pika të përbashkëta kontakti sepse ne besojmë se kur njerëzit njihen mes tyre e kanë më të lehtë zgjidhjen e çështjeve që ju përkasin. Marrëdhëniet mes drejtorive që luftojnë trafikun e narkotikëve, si dhe marrëdhëniet mes policive kufitare, i vlerësoj si mjaft të mira. Ta forcojmë më tej këtë bashkëpunim edhe në fushën e luftës kundër terrorizmit.”

Po ashtu edhe drejtori i Policisë së Shtetit, z. Haki Çako, vlerësoi pozitivisht bashkëpunimin mes palëve dhe shprehu gatishmërinë për të zgjidhur problematikën e përbashkët nëpërmjet bashkëpunimit: “Ky takim vjen në kuadër të vazhdimit të bashkëpunimit rajonal e më gjerë, bashkëpunim i bazuar në frymën e seriozitetit dhe sinqeritetit reciprok mes partnerëve. Gjuhën s'kemi të njëjtë, por kundërshtarin e kemi të përbashkët - ai është krimi i organizuar dhe të gjitha organizatat kriminale që cenojnë sigurinë dhe jetën e qytetarëve. Lufta kundër terrorizmit është një ndër prioritetet kryesore të punës tonë. Ne do të konsolidojmë protokollet tona për të penguar dhe për të ndaluar depërtimin e personave me tendenca kriminale dhe radikale për të lëvizur drejt Europës ose dhe për tu bërë rezidentë në vendin tonë. Jemi të gatshëm për të forcuar akoma më shumë bashkëpunimin në luftë kundër krimit të organizuar të çdo lloj forme.”

Në takimin e zhvilluar në Akademinë e Sigurisë, z. Tsouvalas dhe z. Çako u pritën nga drejtori i kësaj Akademie, drejtues i lartë, Bilbil Memaj. Drejtori i Akademisë, e ka njohur drejtorin e Policisë Greke me vizionin që ka Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit në drejtim të arsimimit të policisë, gjë e cila tregohet qartë në rihapjen e shkollës së policisë, - Akademia e Sigurisë së tanishme - duke e ngritur atë në nivel universiteti.

Z. Tsouvalas, në takimin e kryer shfaqi një qëndrim mjaft pozitiv për bashkëpunime të mundshme në fushën e arsimimit, duke u shprehur se: “Për çfarëdo lloj çështje që ju mendoni se ne mund të ndihmojmë në specializim dhe arsimim të punonjësve të Policisë Shqiptare, ne do ta bëjmë me shumë dëshirë. Kontaktet mes dy akademive, shkëmbimi i vizitave të studentëve, do shërbenin për të përfituar përvoja nga njëri-tjetri”.

Gjatë vizitës në Akademinë e Sigurisë, delegacioni grek, vizitoi ambientet e kësaj akademie, kreu një vizitë në Muzeun Historik të Policisë së Shtetit, në Akademinë e Sigurisë si dhe në mjediset e Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit. Vizita u mbyll në nota miqësie dhe optimizmi për bashkëpunime të ardhshme.