Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Një delegacion i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike viziton Akademinë e Sigurisë

 Më datë 9 dhjetor 2016, një delegacion i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, përkatësisht nga Fakulteti i Sigurisë Publike, zhvilloi një vizitë pranë Akademisë së Sigurisë të Policisë së Shtetit. Në kuadër të kësaj vizite, u zhvilluan takime me drejtues dhe staf të Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë, si dhe me studentë të saj. Delegacionin e kryesonte prof. asc. dr. Bejtush Gashi, Dekan i Fakultetit të Sigurisë Publike, i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike. Në përbërje të këtij delegacioni kishte staf akademik nga akademia e Kosovës, e konkretisht, mësimdhënësit: Vilard Bytyqi, Ferid Azemi, Florentina Shala, Fatos Haziri dhe Halil Asllani. Krahas tyre, pjesë e delegacionit ishin edhe Këshilli i Studentëve të FSP-së dhe pjesëtarë nga stafi administrativ i kësaj akademie. Delegacioni, pasi kreu një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Akademisë së Sigurisë, drejtues i lartë dr. Bilbil Memaj, vizitoi ambientet e Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit, ku u prit nga dekani i këtij fakulteti, prof. dr. Ilirjan Mandro si dhe nga stafi i profesorëve të Akademisë së Sigurisë. Ata u takuan gjithashtu edhe me studentët e Këshillit Studentor të Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë. Më pas, ky delegacion vizitoi gjithë hapësirat e tjera të Akademisë së Sigurisë. Kjo vizitë u krye në nota të larta miqësie dhe fryme të lartë bashkëpunimi. Vlen të theksohet se bashkëpunimi i dy akademive ka qenë shumë i frytshëm dhe premton për zhvillime po aq të mbara edhe në të ardhmen.