Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Akademia e Sigurisë, zhvillon analizën vjetore të vitit 2016

18 janar 2017. Akademia e Sigurisë ka zhvilluar analizën vjetore të vitit 2016. Krahas përfaqësuesve më të lartë të Akademisë së Sigurisë, në zhvillimin e kësaj analize ishte i pranishëm edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, drejtues i lartë Rebani Jaupi. Akademia e Sigurisë ka punuar me përkushtim dhe përgjegjësi të plotë për realizimin e objektivave që lidhen me Prioritetet Strategjike të Qeverisë në fushën e sigurisë publike, të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Shtetit për ngritjen e një sistemi të plotë arsimor për shkollimin e trajnimin e punonjësve të Policisë së Shtetit. Prioriteti kryesor për vitin 2016 ka qenë  reformimi i sistemit të arsimit policor si dhe reformimi i institucionit të arsimit policor, ndaj dhe puna është përqendruar në përgatitjen e akteve nënligjore dhe administrative.

Prioriteti i parë: Zhvillimi i arsimimit policor në standardet e shkollave policore të BE-së.

U realizuan të tre objektivat e këtij prioriteti; përfundoi me sukses viti i parë akademik dhe kursi i IX-të i Shkollës Bazë të Policisë; si pjesë e punës së planifikuar për vitin 2016-të, u realizuan me nivel, të gjitha trajnimet për zhvillimin profesional dhe të specializuar, me punonjësit e Policisë, u përgatiten programet “Master Profesional” në kuadër të zgjerimit të performancës arsimore të Akademisë drejt krijimit të një kulture profesionale të arsimimit policor.

Prioriteti i dytë: Konsolidimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve dhe zgjerimi i bashkëpunimit ndërinstitucional kombëtar e ndërkombëtar. U konsoliduan kapacitetet ekzistuese dhe u zhvilluan kapacitete të reja për të realizuar të gjitha trajnimet e planifikuara në Policinë e Shtetit; u zhvilluan kapacitete të qëndrueshme për përmirësimin e programit, kurrikulave dhe proceseve që lidhen me shkollim/trajnimin për ngritjen në nivel dhe grade, si dhe veprimtarisë së Qendrës Kërkimore Shkencore; u forcua bashkëpunimi ndërkombëtar me institucionet e tjera arsimore të vendeve të Bashkimit Europian, por edhe më gjerë, duke u fokusuar tek Kolegji Policor Europian (CEPOL).

Prioriteti i tretë: Zhvillimi dhe përafrimi i standardeve të Akademisë së Sigurisë me ato të akademive homologe në Europë. U rishikua struktura e Akademisë së Sigurisë në përputhje të plotë me kërkesat e ligjit të ri për Arsimin e Lartë, u vunë në eficencë të plotë të së gjitha strukturat e Akademisë së Sigurisë, si institucioni i vetëm përgjegjës i arsimit të lartë publik policor; u zhvillua analizimi, vlerësimi, rishikimi dhe përmirësimi i strukturës dhe akteve të brendshme që normojnë dhe standardizojnë aktivitetet e personelit dhe proceset brenda Akademisë së Sigurisë.

Analiza paraqiti në mënyrë të përmbledhur punën e  bërë gjatë këtij viti për arsimimin dhe trajnimin e punonjësve të strukturave të ndryshme të Policisë e Shtetit; treguesit kryesorë të punës së strukturave të saj dhe veçanërisht realizimin e objektivave të vendosura gjatë këtij viti për zhvillimin e konsolidimin e arsimimit policor si arsimim me parametra universitare.

U theksua se rezultatet e Akademisë së Sigurisë, si institucioni më i rëndësishëm dhe përgjegjës për formimin, kualifikimin, certifikimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të aftësive profesionale të punonjësve të Policisë së Shtetit, gjatë vitit 2016, kanë qenë shumë më të mira se më parë. Gjatë vitit 2016, krahas zhvillimit të programeve të arsimimit në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit dhe Kolegjit Profesional të Lartë ”Kolegji i Policisë”, pati edhe shumë trajnime e specializime të tjera, të cilat janë vlerësuar pozitivisht nga pjesëmarrësit, si për nivelin trajnues edhe për cilësinë e tyre.

Realizimi i prioriteteve dhe objektivave  nga ana e AS-së, ka ardhur jo vetëm si rezultat i punës së stafit drejtues, por edhe si rezultat i bashkëpunimit me strukturat, si dhe i mbështetjes  së vazhdueshme nga Drejtoria e Policisë së Shtetit. Gjatë gjithë aktivitetit të kryer nga AS dhe strukturat e saja, si p.sh. në planifikim, hartim programesh, kurrikulash apo në zhvillime  trajnimesh të specializuara,  nuk ka munguar   mbështetja në mënyrë aktive nga Projekti PAMECA IV dhe  programi ICITAP, nëpërmjet këshilltarëve përkatës të atashuar. Rezultatet pozitive të punës së Akademisë, janë shtysë dhe shpresë dhe se në të ardhmen do të vijojë ruajtja e një niveli të tillë dhe do të plotësohen edhe ato mangësi të cilat ekzistojnë aktualisht, si produkt i vakuumit disavjeçar të një sistemi të tillë arsimor policor.