Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Firmoset marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Sigurisë dhe Akademisë së Forcave të Armatosura

Është firmosur, më datë 12.4.2017, në ambientet e Akademisë së Sigurisë, një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Akademisë së Sigurisë dhe Akademisë së Forcave të Armatosura (AFA). Marrëveshja u firmos nga dy Rektorët e Akademive – nga Drejtues i Lartë Dr. Bilbil Memaj, Drejtori i Përgjithshëm/Rektori i Akademisë së Sigurisë dhe nga Komandanti/Rektori i Akademisë së Forcave të Armatosura, Kolonel Dr. Ruzhdi Kuçi. Nga Akademia  të Akademisë e Forcave të Armatosura, ishin edhe Zëvendëskomandanti /Zvëvendësrektori i AFA-së, Kolonel \ Prof. Asc. Dr. Edmond Braneshi si dhe Dekani i Fakultetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, Kolonel Prof. Asc. Dr. Zaho Golemi. Ndërkohë, nga Akademia e Sigurisë, morën pjesë Dekani i Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit Prof. Dr. Drejtues i Parë Ilirjan Mandro, Drejtori i Kolegjit Policor Drejtues Ylli Vasili, Drejtori i Administratës Drejtues Mendi Çanga etj.

Firmosja është pjesë e zgjerimit të veprimtarisë akademike të institucioneve përkatëse dhe pati vlerësim të anasjelltë.

“Kjo është një marrëveshje bashkëpunimi, e cila do të na krijojë mundësitë si institucione që të shkëmbejmë eksperiencën tonë dhe të zgjerojmë kapacitetet në të mirë të arsimimit në fushën e sigurisë. Dihet mirë, lidhja mes sigurisë publike dhe asaj kombëtare dhe për këtë arsye të thjeshtë, por jo vetëm, kemi një shtysë të fortë bashkëpunimi dhe një domosdoshmëri shkëmbimi eksperience. Vlerësojmë faktin që AFA është një institucion akademik, me një përvojë më të gjatë të mësimdhënies në vite se sa e AS-së dhe urojmë, që ky bashkëpunim të këtë një vijimësi të gjatë e të suksesshme.”- u shpreh në fjalën e tij, Rektori i AS-së, Drejtues i Lartë Dr. Bilbil Memaj.

Me po të njëjtat nota vlerësuese dhe me të njëjtën frymë vlerësimi e respekti institucional, u shpreh në fjalën e tij edhe Komandanti/Rektori i AFA-së, Kolonel Dr. Ruzhdi Kuçi. “Ndihem i lumtur që jam unë, përfaqësuesi i firmosjes së kësaj marrëveshje, të cilën duhet ta kishim realizuar që më parë. Edhe pse Drejtor Memaj vlerësoi përvojën e gjatë në fushën e arsimimit që ka AFA, duhet të nënvizoj faktin se ekziston një qëndrim i përgjithshëm në institucionin tonë, në të cilin shprehen nota të larta vlerësimi për standardet dhe paraqitjen cilësore që po shfaq AS në zhvillimin e programeve të saja – edhe pse vjen nga një periudhë e gjatë mbylljeje e aktivitetit të saj siAkademi. Për këto standarde, jemi edhe vetë dëshmitarë, pasi sapo ka përfunduar edhe një kurs trajnimi në AS, i Policisë Ushtarake. Shpreh vlerësimin më të lartë për këtë bashkëpunim, nga institucioni që përfaqësoj dhe jam i bindur që do kemi një bashkëpunim të suksesshëm mes institucioneve tona.”- tha ndër të tjera, Komandat Kuçi.

Pas fjalëve të rastit, në mënyrë ceremoniale u firmos edhe marrëveshja e bashkëpunimit, sipas së cilës dy akademitë do të shkëmbejnë lektorë, botime akademike e kontribute në botimet shkencore; do të nxisin projekte të përbashkëta kërkimore e shkencore; do të kenë bashkëpunime në konferenca shkencore, udhëheqje temash të programeve “master” e “doktoraturë” nga pedagogët e tyre, etj. Kjo marrëveshje bashkëpunimi do të jetë në fuqi për një periudhë pesëvjeçare.