Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Zhvilloi me sukses punimet, konferenca shkencore kombëtare e Akademisë së Sigurisë, “Depresioni dhe Vetëvrasja"

Me qëllim mbledhjen, përpunimin dhe zhvillimin e mendimit të kualifikuar shkencor si dhe eksplorimin në thellësi, trajtimin në këndvështrim analitik dhe psikosocial të dukurisë së vetëvrasjeve, i trendit të saj sidomos në dhjetëvjeçarin e fundit, analizës shumëdimensionale e kësaj dukurie për të evidentuar problematikat, faktorët që e nxitin, e mundësojnë e që krijojnë terren për zhvillim e saj, ndikimin e tyre ne fushën e sigurisë, dhënien e rekomandimeve për hartimin e politikave për parandalimin e reduktimin e kësaj dukurie, në shërbim të një policimi më efektiv, Akademia e Sigurisë (Qendra Kërkimore Shkencore) në zbatim të programit të saj vjetor të punës, me datë 28 prill 2017, në bashkëpunim me përfaqësinë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Institutin e Shëndetit Publik, Fakultetin e Shkencave Sociale, Institutin e Policisë Shkencore, Institutin e Mjekësisë Ligjore si dhe repartin e Toksikologjisë të QSUT-së, organizoi konferencën shkencore kombëtare “Depresioni dhe vetëvrasja”.
Punimet e konferencës i hapi Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë, drejtues i lartë Bilbil Memaj. Konferencën e përshëndetën Drejtori i Policisë së Shtetit, drejtues madhor Haki Çako, përfaqësuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, dr. Nazira Artykova. Në emër të ministrit të Punëve të Brendshme, zotit Fatmir Xhafaj, konferencën e përshëndeti zonja Elona Gjebrea, zëvendësministre e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Organizimit të kësaj konference i paraprin realizimi nga Qendra Kërkimore Shkencore e Akademisë së Sigurisë, me mbështetjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Akademisë së Sigurisë dhe të Drejtorit të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Shërbimin e Toksikologjisë në QSUT, të studimit të thelluar me titull “Vetëvrasja në Shqipëri, prognozë analitike e psikosociale dhe rekomandimet për hartimin e politikave”.
Gjetjet interesante dhe me vlerë të këtij studimi, na nxitën që të ndërmarrim nismën për organizimin e kësaj konference shkencore për trajtimin e fenomenit të vetëvrasjes në Shqipëri, duke pasur si objektiv rekomandimet për hapat dhe masat që duhen ndërmarrë në parandalimin e kësaj dukurie, me synim sensibilizimin e institucioneve përgjegjëse për hartimin e një Strategjie Kombëtare për parandalimin e vetëvrasjes. Trajtimi i dukurisë komplekse e gjithëpërfshirëse të vetëvrasjes, nën një këndvështrim historik, analitik e psikosocial, shërben për të evidentuar problematikat, faktorët nxitës, nivelin e riskut të vetëvrasjes, grupet potencialisht më të rrezikuara në shoqërinë shqiptare, si dhe dhënien e rekomandimeve për hartimin e politikave për parandalim dhe reduktim të vetëvrasjeve, që do të shërbejnë si bazë për hartimin e strategjisë kombëtare për këtë çështje. Kjo i shërben punës së institucionit të policisë për normimin dhe institucionalizimin e bashkëpunimit me aktorë të tjerë shtetërorë dhe joshtetërorë, grupeve potencialisht të rrezikuar nga kjo dukuri si dhe gjithë shoqërisë shqiptare.
Nisma e Akademisë së Sigurisë për organizimin e kësaj konference, në bashkëpunim edhe me aktorë të tjerë të angazhuar në këtë fushë, i shërben jo vetëm identifikimit dhe trajtimit të vetëvrasjeve si një formë specifike e krimit jo shumë e trajtuar në vend, por edhe thellimit të një analizë shumëdimensionale të kësaj dukurie, në kuadër të parandalimit dhe përmirësimit të punës së strukturave policore dhe të bashkëpunimit me aktorë të tjerë shtetërorë dhe joshtetërorë.
Në konferencë referuan, Drejtori i Përgjithshëm të Akademisë së Sigurisë, dr. Bilbil Memaj; dr. Alban Ylli, Instituti i Shëndetit Publik; dr. Xhavit Shala, QKSHN; dr. Merita Poni, departamenti i sociologjisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, UT; prof. dr. Zihni Sula, Reparti i Toksiologjisë QSUT; prof. asc. Stavri Sinjari dhe prof. asc. Pandeli Taçi, Akademia e Sigurisë; dr. Admir Sinamati, Instituti i Mjekësisë Ligjore; prof. dr. Ilirjan Mandro si dhe referues të tjerë.
Në përfundim të konferencës, pas trajtimit të thelluar të dukurisë komplekse e gjithëpërfshirëse të vetëvrasjes, në bashkëpunim dhe me aktorët të tjerë pjesëmarrës në konferencë, janë dhënë rekomandimet e nevojshme për hartimin e politikave për parandalim dhe reduktim të vetëvrasjeve, të cilat do të shërbejnë si bazë për hartimin e një strategjie kombëtare për këtë çështje. Kjo konferencë përkon edhe me fushatën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi depresionin “Depression: Let’s Talk”, fushatë e cila do të zgjasë një vit.