Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Ceremonia e Certifikimit të punonjësve të Policisë që përfunduan kursin e trajnimit për gradën “Nënkomisar”

Gjatë ditës së sotme në datë 02.05.2017, në ambientet e Akademisë së Sigurisë, u zhvillua ceremonia e certifikimit të punonjësve të Policisë që përfunduan kursin e trajnimit për gradën “nënkomisar”. Të pranishëm në këtë ceremoni, ishin Drejtori i Policisë së Shtetit, drejtues madhor Haki Çako, zv/Drejtori i Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Rebani Jaupi,Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë, drejtues i lartë Bilbil Memaj, dekani i Fakultetit të Hetimit të Krimit, drejtues i parë Ilirjan Mandro, si dhe përfaqësues të tjerë të Policisë së Shtetit.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë, z. Bilbil Memaj, ka vlerësuar kursin intensiv, angazhimin e suksesshëm të së gjithë studentëve dhe ka falënderuar gjithashtu të gjithë trupën pedagogjike për punën e kryer.

“Për ju sot fillon një betejë tjetër. Ju tashmë jeni menaxherë të vijës së parë, nuk jeni më inspektorë, por kjo është një përgjegjësi e madhe, është një përgjegjësi dyfishe për ju. Nga ana tjetër, ju jeni përsëri studentë. Ju jeni studentë për të mbaruar dhe për t'u diplomuar në Fakultetin e Sigurisë Publike, në Akademinë e Sigurisë. Ndaj, në emër të Akademisë, ju uroj suksese në punën tuaj dhe në detyrat tuaja të reja!”- u shpreh rektori i Akademisë, z. Bilbil Memaj, gjatë ceremonisë.

Dekani i Fakultetit të Hetimit të Krimit, drejtues i parë, prof. dr. Ilirjan Mandro, ka përshkruar programin mësimor të trajnimit për specialistët e hetimit të krimit dhe rëndësinë e këtij programi, për të formuar specialistë me nivel të lartë profesional dhe me standarde të larta etike profesionale. “Programi synonte të jepte njohuri bazë mbi format, metodat për menaxhimin, si dhe të trajtonte problematikat teorike dhe praktike në fushën e hetimit të krimit. Qëllimi i trajnimit ishte formimi i specialistëve me nivel të lartë profesional në fushën e hetimit të krimit, me kulturë e dije jo vetëm të nivelit universitar, me standarde të larta etike profesionale dhe njohës të ligjit, misionit, përgjegjësive institucionale të Policisë, por edhe me aftësi praktike e shprehi në menaxhimin e situatave të hetimit të krimit.” – tha ndër të tjera dekani Mandro.

Gjithashtu, në fjalën e saj, një studente pjesëmarrëse në këtë program, Xhulia Zyfi, shprehu falënderimet e saj për stafin pedagogjik të Akademisë së Sigurisë dhe suportin e tyre, pasi është zhvilluar një mësim intensiv duke pasur përkushtimin maksimal dhe gjithashtu duke theksuar se dijet, informacionet, praktikat e mara, do të vendosen në punë me përkushtim dhe korrektesë.

Drejtori i Policisë së Shtetit, z. Haki Çako, ka përgëzuar studentët për këtë arritje të rëndësishme profesionale në jetët e tyre, duke theksuar se dijet nuk mbarojnë me shkollën, por ato merren gjatë jetës dhe gjatë karrierës. Gjithashtu, z. Çako shprehu rëndësinë e Akademisë së Sigurisë si një institucion që ka për qëllim forcimin e drejtuesve, formimin dhe krijimin e kapaciteteve të reja me njohuri të plota dhe të thella për kryerjen e detyrave policore por edhe për të krijuar bërthamën e qëndrueshme të liderëve të suksesshëm në të ardhmen e Policisë.

“Më lejoni, që në fillim t’ju përgëzoj për këtë arritje të rëndësishme në jetën tuaj profesionale; t’ju uroj suksese të mëtejshme në detyrën e rëndësishme që do të kryeni! E bashkë me gëzimin e natyrshëm të kësaj arritjeje, vijnë edhe përgjegjësi më të mëdha, detyra dhe angazhime më komplekse, që kërkojnë nga ana juaj, jo vetëm njohuri të thella profesionale por edhe aftësi menaxheriale, për të drejtuar dhe marrë vendime për realizimin e objektivave të vendosura. Do të dëshiroja të theksoja se dijet nuk mbarojnë me shkollën, ato merren gjatë jetës dhe gjatë karrierës, kërkohet vetëm përkushtim dhe vullnet nga ana juaj për të mësuar më të mirën për vete, për të gjithë organizatën dhe për kolegët.

Ju e keni fare të qartë se sot, Akademia e Sigurisë, por dhe në tërësi të gjithë kapacitetet formuese të saj, japin mundësi për të gjitha mësimet dhe kalimin në nivelin e specializimeve të tjera, të cilat së shpejti do të fillojnë edhe për nivele të larta drejtuese dhe do të jeni pikërisht ju, ata të cilët, pas përfundimit të plotësimit të afateve kohore do të konkurroni dhe do të mundësoni drejtimin qendror, por pse jo edhe strategjik të Policisë së Shtetit.

Njëkohësisht do të dua të përshëndes dhe t’ju uroj suksese edhe të gjithë specialistëve të Hetimit të Krimit të “Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe të Ankesave”, të cilët gjithashtu certifikohen edhe janë bashkë me ju sot, në të njëjtin auditor, jo thjesht dhe vetëm për ta konceptuar si një pjesë të shkëputur, por si një pjesë të përbashkët, për të rritur ndërgjegjen dhe vetëdijen, për një polici sa më me integritet, në përputhje të plotë me të gjithë objektivat dhe prioritetet që ka sot Policia e Shtetit.

Gjithashtu do të dëshiroja t’ju thosha se ju, me shembullin, por edhe me nevojën për të vazhduar përsëri edhe veprimtarinë studimore - por edhe detyrën - do t’ju duhet të jeni shembulli më i mirë në kryerjen e të gjitha detyrave, pasi perspektiva, është e juaja. Suksese!” – tha ai në fjalën e tij.

Në përfundim të kësaj ceremonie, u shpërndanë certifikatat përkatëse për studentët pjesëmarrës në program. Lista emërore e punonjësve të Policisë që morën gradën “Nënkomisar”.

Lista emërore me emërimet e punonjësve të Policisë që morën gradën "Nënkomisar"