Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Certifikohen trajnerët kombëtarë për zbulimin e dokumentave false

Gjatë javës, në Akademinë e Sigurisë në Tiranë u zhvillua trajnimi i parë kombëtar për zbulimin e dokumenteve të falsifikuara, në kuadër të projektit rajonal IPA II “Mbështetje Rajonale për Menaxhimin e Migracionit me fokus tek mbrojtja në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”, organizuar nga FRONTEX dhe IOM.

Nëpërmjet modulit “Trajnim për Trajnuesit”, projekti ka ndihmuar në trajnimin e 4 trajnerëve të parë kombëtar në këtë fushë, të cilët kanë përfituar njohuri nga trajnerët më të mirë europianë. Trajnuesit kombëtarë me mbështetjen dhe asistencën e FRONTEX përçuan gjatë këtyre 5 ditëve njohuritë e tyre tek 20 oficerët e vijës së parë dhe të dytë të kontrollit kufitar.

Trajnimi ndihmoi në aftësimin e autoriteteve shqiptare për të zhvilluar trajnime të kësaj natyre, në nivel kombëtar dhe në mënyrë të pavarur si dhe ndihmoi në pajisjen e autoriteteve kufitare me njohuri praktike dhe teorike të nevojshme dhe të profilizuara në zbulimin e dokumenteve të falsifikuara.

Ceremonia e hapjes së këtij trajnimi u drejtua nga zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda dhe në të morën pjesë Drejtori/Rektori i Akademisë së Sigurisë Drejtuesi i Lartë Dr. Bilbil Memaj, Drejtori i Përgjithshëm për Kufirin dhe Migracionin në Drejtorinë e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, Drejtori i Përgjithshëm i Planifikimit Strategjik dhe Integrimit në Ministrinë e Brendshme Zhanina Dapi, si dhe përfaqësues të agjencisë FRONTEX dhe IOM.

Në fjalën e saj të hapjes zv.ministrja Voda shprehu në emër të Ministrisë së Brendshme konsideratën më të lartë për mbështetjen e vazhdueshme që agjencia FRONTEX dhe IOM ka dhënë për autoritetet shqiptare dhe veçanërisht për Ministrinë e Brendshme gjatë kësaj periudhe në kuadër të projektit.

“Kam kënaqësi të jem prezente në këtë moment shumë të rëndësishëm të fillimit të një nga trajnimeve më të veçanta dhe i pari i këtij lloji në Shqipëri lidhur me zbulimin e dokumenteve të falsifikuara. Gjej rastin t'ju falenderoj për vëmendjen e shtuar në adresë të Policisë së Shtetit por në mënyrë të veçantë në aftësimin e autoriteteve kufitare në zbulimin e dokumenteve të falsifikuara. Shansi dhe mundësia që na jep Bashkimi Evropian nëpërmjet Frontex është shumë i mirë, por që ne përveç mirënjohjes, do duhet të kemi një vëmendje të shtuar nga të gjithë oficerët për të përfituar sa më shumë nga ky trajnim dhe për ti përfshirë këto procese si pjesë e punës së përditshme”, theksoi ajo.

Zëvendësministrja e Brendshme shprehu gadishmërinë për vazhdimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen dhe theksoi synimin për përfshirjen e këtyre kurrikulave në kurrikulën e përgjithshme të Akademisë së Sigurisë.

Në përfundim të gjithë pjesëmarrësit si dhe trajnerët kombëtarë u pajisën me çertifikata për përfundimin me sukses të trajnimit pesë ditor për zbulimin e dokumenteve të falsifikuara.