Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

AS, zhvilloi konferencën e II-të shkencore “Shkencat ligjore dhe sfidat bashkëkohore të sigurisë”

Më datë 15 nëntor 2017, Qendra e Kërkimeve Shkencore të Akademisë së Sigurisë, në bashkëpunim me Institutin e Policisë Shkencore, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Akademinë e Kosovës për Sigurinë Publike, Agjencinë e Kosovës për Forezikë, Universitetin e Romës “Tor Vergata”, Fakultetin e Mjekësisë Monstir, Tunizi, dhe Fakultetin e Sigurisë Shkup, Maqedoni, organizoi konferencën e II-të shkencore ndërkombëtare “Shkencat ligjore dhe sfidat bashkëkohore të sigurisë” (Forensic sciences and contemporary security challenge).

Të pranishëm në këtë konferencë shkencore ndërkombëtare ishin, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, sh. t. z. Edi Rama, Ministri i Brendshëm, z. Fatmir Xhafaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtues madhor Haki Çako, Drejtori/Rektori i Akademisë së Sigurisë, drejtues i lartë Bilbil Memaj, funksionarë të lartë të Policisë së Shtetit, drejtues e profesorë të akademive të sigurisë nga Maqedonia, Mali i Zi, Kosova, universitete italiane e universitete të tjera shqiptare, përfaqësues të ambasadave të akredituara në Shqipëri, përfaqësues nga misioni PAMECA, ICITAP, OSBE dhe INTERFORC.

Konferenca kishte për objekt, trajtimin në mënyrë gjithëpërfshirëse nga disiplina të ndryshme të shkencave ligjore, nëpërmjet punimeve të mirëfillta shkencore në nivel të gjerë kombëtar e ndërkombëtar, të rreziqeve dhe kërcënimeve të sigurisë nga kriminaliteti bashkëkohor, përgjithësimin e përvojës më të mirë, zgjerimin e dijeve aplikative, si dhe dhënien e rekomandimeve për hartimin e politikave, për përmirësimin e punës në shërbim të një policimi më efektiv.

Qëllimi i konferencës ishte mbledhja, përpunimi dhe zhvillimi i mendimit të kualifikuar shkencor të fushës së shkencave ligjore për përballjen me rreziqet dhe kërcënimet për sigurinë, nga forma të ndryshme të kriminalitetit bashkëkohor, trajtimin në këndvështrim analitik e në mënyrë shkencore të aplikimit të disiplinave të ndryshme të shkencave ligjore në hetimin e krimeve në Shqipëri, në aspektin ligjor e më gjerë, në varësi të fushave specifike e profesionale, kontributit dhe rëndësisë së tyre, në punën e punonjësve të policisë e më gjerë, evidentimin e problematikave dhe nevojave për përmirësim e punës nëpërmjet zhvillimit të dijeve, teknikave të reja e modeleve të përparuara të këtyre disiplinave përballë sfidave të kriminalitetit bashkëkohor.
Kjo konferencë arriti të bashkojë njëzëri akademikët, profesionistët, ekspertët, punonjësit e policisë si dhe pedagogët e fushave të shkencave ligjore, të sigurisë dhe jo vetëm, në nivel gjithëkombëtar (gjeohapësira shqiptare) e ndërkombëtar, për të ndarë eksperiencat, praktikat, punimet shkencore dhe gjetjet për të gjitha aspektet gjithëpërfshirëse të shkencave ligjore në raport me sfidat bashkëkohore të sigurisë.

Kumtuesit e kësaj konference patën mundësinë e prezantimit të punimeve të tyre dhe të shkëmbimit të ideve nëpërmjet diskutimeve të ndryshme. Në mbyllje të aktivitetit, ata u pajisën me certifikatat e konferencës. Kjo konferencë ndërkombëtare shkencore është vijimësia e një tradite të kërkimit shkencor nga Akademia e Sigurisë, traditë e cila ka nisur vite më parë nga institucionet arsimore policore, që dhe pse pas një shkëputje disavjeçare, ka rifilluar të shihet sot, me seriozitet maksimal.