Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Tryezë diskutimi për reformimin e Akademisë së Sigurisë

Më datën 22. 12. 2017, në Akademinë e Sigurisë, u zhvillua një tryezë me zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme, të Arsimit, Drejtësisë, deputetë, përfaqësues të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Akademisë së Forcave të Armatosura, SHÇBA–së, Prokurorisë, Drejtorisë së Burgjeve, Policisë Bashkiake, si dhe me pedagogë dhe ekspertë nga institucione të tjera.

Ministri i Brendshëm, z. Fatmir Xhafaj, gjatë fjalës së tij deklaroi se, Akademia e Sigurisë ka një vëmendje të veçantë edhe të Kryeministrit. Ministri theksoi se është e domosdoshme që, për të pasur një polici sa më të mirë, duhet të kemi një akademi po aq të mirë dhe më cilësore. Ai tha se do të investohet shpejt jo vetëm në infrastrukturë, por do punohet për afrimin e pedagogëve më të mirë dhe për përmirësimin e programeve arsimore. Një vëmendje të posaçme do të marrë shndërrimi i Akademisë në institucion lider të kërkimit shkencor në fushën e policimit dhe sigurisë.

‘’Ne kemi nevojë që këtu të kemi më të mirët, më të zotët dhe më të ndershmit që kemi në këtë fushë, përfshi edhe ata që ju quani trajner të trajnerëve, që dëshironi të merrni për të trajnuar në Policinë e Shtetit. Sepse ai, është shembulli që ndjekin studentët, dhe kjo është thelbësore për ne. Këtu fillon dhe mbi këtë bazament ngrihet çdo lloj qasje dhe çdo lloj vizioni. Pres vetëm të shoh se cilat janë propozimet, qoftë për çështjen e pagave, qoftë për elementë të tjerë, që ligjet i lejojnë apo që ne mund t'i përshtatim për të thithur kapacitetet më të mira në fushën e kriminologjisë dhe drejtësisë penale, por edhe në fushën e sigurisë”,- u shpreh ministri Xhafaj.

Ministri i Brendshëm e vuri theksin gjithashtu tek forcimi i Qendrës Kërkimore Shkencore dhe shtoi se për rekrutimet, krahas aftësive fizike, thelbësor mbetet testi i integritetit.

Në vlerësimin tim dhe, e ndaj këtë me ju, thelbësor mbetet formimi dhe testet e integritetit. Dhe besoj që duhet të biem dakord që në këto kurikula dhe këto programe, duhet të ketë më shumë formim dhe vlerësim për etikën profesionale, për vlerat humane të profesionit, - që flasim gjithnjë e më pak – dhe, sidomos për qëndrueshmërinë morale. Por, gjithashtu, duhet të mësohet që këtu në Akademi, për punën në ekip, Policia është një skuadër’’, - tha ministri Xhafaj.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Lindita Nikolla tha se do të ndërmerren hapa konkretë për reformimin e mëtejshëm të Akademisë së Sigurisë, që përfshin edhe studimet Master. Miratimin për të nisur masterat profesional e keni nga unë.

‘’Gjëja e parë që besoj se duhet bërë, është ecja me statusin e veçantë të kësaj Akademie. Momenti tjetër që është shumë i rëndësishëm, ka të bëjë me akreditimin. Në momentin që përcaktojmë statusin, ne bëjmë riorganizimin konform statusit dhe ligjit të ri të Arsimit të Lartë, përcaktojmë tipologjinë e programeve të formimit të studimit duke u përafruar me standardet më të mira, që do të thotë kurikula dhe gjitha të tjerat. Ne ecim përpara me procesin e akreditimit’’, - nënvizoi ministrja Nikolla.

Drejtori i Akademisë së Sigurisë, dr. Bilbil Memaj, pasi paraqiti vizionin për reformimin e Akademisë së Sigurisë, ndër të tjera deklaroi se objektiv i këtij sistemi arsimor do të jetë formimi i specialistëve për të gjithë agjencitë ligjzbatuese në vend, me një ligj të veçantë që do të rregullonte punën e AS-së edhe në vazhdim. Duke qëndruar te kjo çështje, dr. Memaj theksoi se, nga viti tjetër, cilido nga punonjësit e institucioneve të sigurisë publike që nuk kalon testet do të largohet nga vendi i punës. Ai shtoi më së fundi se objektiv kryesor është përafrimi i standardeve arsimore, me ato europiane.

‘’Numri është afërsisht 20 mijë e 200. Afërsisht them, sepse është dinamik. Po 50% afërsisht, është Policia e Shtetit. Po ju them që pjesa tjetër e punonjësve të sigurisë publike nuk kanë shkollë deri tani dhe nuk kanë detyrim për të ardhur në Akademinë e Sigurisë. Kanë bërë kurse kualifikimi, por nuk kanë bërë shkollë. Ne si Akademi Sigurie, mendojmë që të gjithë institucionet e sigurisë publike, për vitin që vjen, duhet t'i nënshtrohen kalimit në shkollim bazik, apo formim profesional të vazhdueshëm dhe nuk duhet të vijohet me këto praktika. Pra të gjithë institucionet e sigurisë publike duhet të vijnë në akademi, të testohen dhe të seleksionohen për të mbajtur në punë ata që plotësojnë kriteret’’, - propozoi Dr. Memaj.

Aktiviteti vijoi më pas me diskutime dhe shkëmbime idesh lidhur me këtë vizion të ri që pritet të zbatohet për rritjen e kapaciteteve të Akademisë së Sigurisë dhe të arsimit afatgjatë në Policinë e Shtetit dhe institucionet ligjzbatuese të sigurisë.