Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Në Akademinë e Sigurisë trajnohen 15 Oficerët e parë të Sigurisë, pjesë e trupës mësimore pranë shkollave të mesme të Kryeqytetit

Në Akademinë e Sigurisë, në kuadër të një projekti pilot, mbështetur nga Ministria e Brendshme dhe Ministria e Arsimit, janë trajnuar 15 Oficerët e parë të Sigurisë, të cilët do të jenë pjesë e trupës mësimore pranë shkollave të mesme të Kryeqytetit, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në shkolla dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor. Roli i oficerëve të sigurisë do të jetë evidentimi i problemeve të ndryshme të sjelljes dhe parandalimi në kohë i konflikteve të vogla mes nxënësve, apo edhe në marrëdhënie me mësuesit.

Oficerët e Sigurisë do të jenë pika lidhëse mes shkollës dhe Ministrisë së Arsimit, në të cilën do të ekzistojë edhe një qendër operacionale, për shkëmbimin në kohë të informacioneve të ndryshme që vijnë nga shkollat, nëpërmjet Oficerëve të Sigurisë dhe dhënien e asistencës teknike për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që në fillesat e tyre.

Drejtori i Akademisë së Sigurisë Bilbil Memaj, gjatë një ore leksioni me Oficerët e Sigurisë, i ka inkurajuar ata për modelin që do të krijojnë dhe për suksesin e këtij projekti: "Jeni 15 oficerë sigurie model për Shqipërinë. Ju duhet të tregoni se si do të krijoni modelin e oficerit të sigurisë së shkollave, si do të punoni dhe puna juaj nuk do të jetë teorike, do të jetë praktike. Ju do të evidentoni problematikën, të gjitha këto që unë them dhe do të operoni vetë, ju do të jepni ndihmën në moment. Jeni atje për të dhënë ndihmën që të parandaloni që ne të mos kemi kriminelë. Ne duhet të shtojmë shkollat, jo burgjet në Shqipëri". Disa prej Oficerëve të sigurisë janë shprehur se ky projekt pilot është tejet i rëndësishëm, pasi kontribuon në sigurinë dhe edukimin e të ardhmes së vendit dhe në këtë kuadër do të japin maksimumin që ky të mos mbetet vetëm një projekt pilot, por të shtrihet në të gjitha shkollat e mesme të vendit, duke u shndërruar në një mision. Marsela Dyrmyshi, Oficere Sigurie: Roli ynë si Oficerë Sigurie është tejet i rëndësishëm, pasi ka të bëjë me psikologjinë e adoleshentëve dhe si i tillë është shumë i vështirë për t'u trajtuar. Por ne kemi besimin, se pas këtij trajnimi dhe në bashkëpunim me stafin pedagogjik, me bordin e prindërve, me qeverinë e nxënësve si dhe me psikologun e shkollës, do të përmbushim më së miri misionin tonë. Harris Meçolli, Oficer Sigurie: Ky nuk është vetëm një projekt, por një mision tepër i rëndësishëm për të parandaluar fenomenet negative, të cilat depërtojnë në ambientet shkollore, që "infektojnë" nxënësit, pra të ardhmen e vendit. Në Tempullin e Dijes, primare duhet të jetë edukimi, prandaj kemi një detyrë të vështirë, por që besoj se do ta përmbushim me sukses. Suada Rira, Oficere Sigurie: Roli i Oficerit të Sigurisë në shkolla është thelbësor, pasi detyra jonë parësore është krijimi i ambientit të sigurt në shkolla. Evidentimi i problemeve që në fillimet e tyre dhe trajtimi me të gjithë faktorët dhe aktorët, do të çojnë në parandalimin e tyre duke ofruar siguri në shkolla. Ne së bashku do të bëjmë të mundur që e Ardhmja të ndjehet më e sigurt ndaj fenomeneve negative të shoqërisë.

Në Akademinë e Sigurisë trajnohen 15 Oficerët e parë të Sigurisë (për video kliko mbi link)