Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Përfundon Trajnimi me temë “Krimi i Organizuar Ndërkufitar, Tiparet dhe Dimensionet e Krimit Modern”

Sot në datën 20 Prill 2018, në ambientet e Akademisë së Sigurisë u zhvillua ceremonia e Certifikimit për përfundimin e Trajnimit me temë “Krimi i Organizuar Ndërkufitar, Tiparet dhe Dimensionet e Krimit Modern”. Në këtë ceremoni Certifikimi morën pjesë, Zv. Kryetari i prezences së OSBE-së në Shqipëri, Z. Robert Wilton, Drejtori i Departamentit të Krimit të Organizuar, Drejtues i Lartë,  Eduart Merkaj, Drejtori i Akademisë se Sigurisë, Drejtues i Lartë Dr. Bilbil Memaj.

Ky trajnim u zhvillua si pjesë e një projekti të madh Rajonal të OSBE-së për “Forcimin e Kapaciteteve të Profesionistëve të Drejtësisë Penale që Luftojnë Krimin Kibernetik dhe Krimin e Mundësuar nga Kibernetika në Evropën Juglindore”.Në Akademinë e Sigurisë në Tiranë u zhvillua trajnimi i tretë për “Kriminalistikën e të Dhënave Live”. Ky kurs ishte i treti në një seri trajnimesh Rajonale që trajtojnë aspekte tematike të luftës kundër krimit kibernetik. Trajtimi i provave dixhitale nga reaguesit e parë (personat përgjegjës që arrijnë të parët në vendngjarje apo në arrestime e një të dyshuari) ishte fokusi i kursit të parë që u zhvillua në datat 22-26 Janar 2018. Kursi i dytë trajtoi temën mbi informacionin bazë për Rrjetin e Errët dhe Monedhave Virtuale dhe u zhvillua në datat 12 – 16 Shkurt 2018. Java e tretë u fokusua në fushën e kriminalistikës së të dhënave Live dhe u zhvillua në datat 26 Shkurt - 2 Mars 2018. Java e katërt përfshinte trajnim në hetimin e kripto-valutave dhe rrjeteve të errët dhe u zhvillua në datat 5 – 9 Mars 2018. Trajnimi pasëardhës lidhej me hetimin e Softuerwve keqdashës (malware) dhe u zhvillua në datat 19 - 23 Mars 2018. Seria e këtyre trajnimeve u mbyll me javën e fundit me temë “Krimi i Organizuar Ndërkufitar, Tiparet dhe Dimensionet e Krimit Modern”, 16-20 Prill 2018.

Projekti është një nisëm e përbashkët e Departamentit për Kërcënimet Transnacionale në Sekretariatin e OSBE-së, Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe autoritetet pritëse përkatëse. Në këto seri trajnimesh morën pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme të drejtësisë penale nga Shqipëria, si Prokurorë dhe Gjykatës si dhe pjesëmarrës nga Bosnja-Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia.