Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

AS, zhvilloi Konferencën e III-të Shkencore Ndërkombëtare me temë: “Krimi kompjuterik, kërcënimi kibernetik dhe siguria kombëtare” (Computer crime, cyber crime and national security)

Sot më datë 21 nëntor 2018, Qendra e Kërkimeve Shkencore në Akademinë e Sigurisë, në bashkëpunim me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO), Autoritetin Kombëtar Për Certifikimin Elektronik Dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) dhe Universitetin Aleksandër Moisiu Durrës (UAMD), si dhe me mbështetjen e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Prezenca në Shqipëri (OSCE), me Misionin PAMECA V dhe me Projektin IPA/2017 “Countering Serious Crime In The Western Balkans”, organizoi Konferencën e III-të Shkencore Ndërkombëtare me temë: “Krimi kompjuterik, kërcënimi kibernetik dhe siguria kombëtare” (Computer crime, cyber crime and national security).

Hapja e konferencës u realizua përgjatë sesionit plenar nga Drejtori i Qendrës së Kërkimeve Shkencore Z. Xhavit Shala, i cili falenderoi të ftuarit e pjesëmarrësit në konferencë dhe theksoi nevojën e zhvillimit të këtyre veprimtarive me karakter shkencor në përballjen me rreziqet nga format më të reja të kriminalitetit bashkëkohor, siç është edhe krimi kompjuterik, si dhe kërcënimet kibernetike për sigurinë tonë kombëtare.

Përgjatë këtij sesioni ishin të pranishëm, Zv.ministri i Brendshëm Z. Sandër Lleshaj, i cili shtroi problematikën e sfidës së re pas viteve 90 të sigurisë kibernetike dhe nevojën për investime serioze e të pandërprera, bazuar në strategji afatgjata të burimeve njerëzore, duke përfshirë këtu edhe Policinë e Shtetit; Zv. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Znj. Vasilika Hysi, e cila vlerësoi këtë aktivitet dhe paraqiti si shqetësuese problematikën e krimeve kompjuterike, sidomos tek fëmijët apo grupe të tjera vulnerable; Zv. Drejtorja e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtuese e Lartë Aida Hajnaj, që diskutoi ndër të tjera rreth rrezikut të inteligjencës artificiale, si kërcënim i së ardhmes. Ajo nënvizoi se për t’i bërë ballë kërcënimeve kibernetike duhet që vendi ynë të përmirësojë e të fuqizojë tre shtylla të rëndësishme; infrastrukturën kompjuterike, nivelin professional e shkencor tëe punonjësve që operopjnë në sferën kibernetike dhe bazën ligjore të përditësuar për krimin kibernetik.

Të pranishëm në konferencë ishin edhe përfaqësues nga misione të huaja si Zv. Ambasador i Prezencës së OSBE në Shqipëri Z. Robert Wilton, Përfaqësuesja e Divizionit të Mbrojtjes Kibernetike në NATO në Bruksel, Ms. Chelsey Slack, Drejtuesit i Projektit PAMECA V Z. Carlo D’ACHILLE, Drejtuesi i Projektit IPA 2017 Z. Gennaro Capoluongo, Përfaqësues nga Miminstria e Mbrojtjes Estoneze (MOD) Z. Tanel Sepp, si dhe drejtues, specialist, eskpertë e profesorë nga institucionetë tjera vendase e të huaja.

Konferenca kishte për objekt paraqitjen e analizave e prognozave nga aspekti i hetimit të krimeve kompjuterike dhe kërcënimeve kibernetike të sigurisë kombëtare e ndërkombëtare, që do të konkretizohen me punime të mirëfillta shkencore për të nxitur debate dhe për të trajtuar në nivel të gjerë, kombëtar e ndërkombëtar, rëndësinë dhe nevojën e zgjerimit të dijeve dhe aplikimit të tyre përballë sfidës së hetimit, kërcënimeve të reja të kufijve virtualë dhe parandalimit të krimeve kibernetike në Shqipëri, si dhe hartimin e politikave, masave, kurrikulave e trajnimeve për këtë çështje.        

Qëllimi i konferencës ishte trajtimi në mënyrë shkencore rreth aspektit proceduralo-hetimor të krimeve kompjuterike; aspektit analitik strategjik të kërcënimeve të krimeve kibernetike dhe terrorizmit kibernetik në sigurinë kombëtare dhe aspektit akademik, për paraqitjen e praktikave ekzistuese dhe rekomandimeve të mëtejshme të kurrikulave, programeve e trajnimeve për fushën e krimeve kibernetike te punonjësit e policisë e më gjerë.

Kjo konferencë kishte synim të bashkonte njëzëri akademikët, shkencëtarët, profesionistët dhe ekspertët e fushave të shkencave kompjuterike, prokurore, gjyqtare, oficere të policisë gjyqësore, e të tjerë, për të ndarë eksperiencat, praktikat, punimet shkencore dhe gjetjet për të gjitha aspektet gjithëpërfshirëse të fushës së krimeve kibernetike.

Gjatë konferencës u zhvilluan tre sesione tematike shkencore:

  1. ”Aspekte strategjike të krimit kibernetik dhe impakti në sigurinë kombëtare”
  2. “Hetime profesionale të krimeve kibernetike”
  3. “Aspekte ligjore, ekonomike e psiko-sociale të krimeve kibernetike”

Kumtuesit patën mundësinë e prezantimit të punimeve të tyre dhe të shkëmbimit të ideve nëpërmjet diskutimeve të ndryshme. Në mbyllje të aktivitetit, ata u pajisën me certifikatat e konferencës. Kjo konferencë me natyrë shkencore ndërkombëtare është vijimësia e një tradite të kërkimit shkencor nga Akademia e Sigurisë, traditë e cila ka nisur vite më parë nga institucionet arsimore policore, që dhe pse pas një shkëputje disavjeçare, ka rifilluar të shihet sot, me seriozitet maksimal.