Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Akademia e Sigurisë (Qendra Kërkimore Shkencore) zhvilloi Konferencën e IV-të Shkencore Ndërkombëtare me teme “Siguria rrugore dhe përdoruesit e rrugës në Shqipëri”

Akademia e Sigurisë (Qendra Kërkimore Shkencore), në bashkëpunim më Universitetin Politeknik të Tiranës, Universitetin "Aleksandër Moisiu" Durrës, Kolegjin Universitar "Luarasi", Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, si dhe me mbështetjen e SHELL Albania, TAP Albania, Drejtorisë së Policisë Rrugore, Kryqit të Kuq Shqiptar, Institutit të Transportit Rrugor dhe DPSHTRR, organizoi sot me datën 23 maj 2019, konferencën e IV-të shkencore ndërkombëtare me titull "Siguria rrugore dhe përdoruesit e rrugës në Shqipëri".

Akademikë, profesionistë, ekspertë, nga brenda e jashtë vendit, studentë e punonjës të Policisë së Shtetit dhe të institucioneve publike e private që shprehën interes morën pjesë më punimet tyre në këtë konferencë.

Në Shqipëri, efektiviteti i sigurisë rrugore përbën një ndër sfidat kryesore në rang kombëtar në fushën e sigurisë. Si një vend në zhvillim, vendi ynë rezulton të jetë vend me probleme në fushën e sigurisë rrugore, krahasuar me vendet e zhvilluara dhe aksidentet rrugore regjistrojnë shifra më të larta sesa në ato vende.

Në këtë konferencë morën pjesë profesionistë, ekspertë e studiues, të cilët prezantuan kërkimet e tyre shkencore në këtë fushë si dhe diskutuar dhe ndanë mendimet, eksperiencat e praktikat rreth problematikës së sigurisë rrugore në vendin tone dhe më gjerë, duke përfshirë dhe jo vetëm, infrastrukturën rrugore , mjetet dhe përdoruesit e rrugës.

Punimet e konferencës i hapi Drejtori/ Rektori i Akademisë së Sigurisë Dr. Bilbil Memaj. Konferencën e përshëndetën, Shef i Zyrës së OBSH-së në Shqipëri Zoti Raul Gonzales, Zevendësministri i Brendshëm Julian Hodaj, Zevendesdrejtore e Përgjithshëme e Policisë së Shtetit, Drejtues i Larte Aida Hajnaj, Drejtor për Shqipërinë i SHELL Zoti Rohan D’Souzo, Drejtor për Shqipërinë i TAP Zoti Malfor Nuri dhe Kryetari i Komitetit Shkencor te Konferencës Prof. Dr. Ismet Elezi.

Në kuadrin shkencor kjo konferencë u shërben institucioneve, programeve, agjencive, dhe ekspertëve për të nxitur debate konstruktive për konceptin e sigurisë rrugore, rreziqet që parashtrohen në Shqipëri dhe masat e nevojshme për të parandaluar dhe reduktuar sa më shumë dhe në mënyrë efektive numrin e aksidenteve rrugore, në bazë të bashkëpunimit gjithëpërfshirës të institucioneve dhe shoqërisë shqiptare.

Objekti kryesor i arritur i kësaj konference ishte paraqitja e analizave e prognozave gjithëpërfshirëse për sigurinë rrugore në Shqipëri, nëpërmjet punimeve profesionale me karakter shkencor dhe zhvillimi i debateve konstruktive rreth kushteve nxitëse, perceptimeve e veçorive të aksidenteve rrugore në shkallë vendi, si dhe rekomandimeve për politika, strategji, plane veprimi, praktika e bashkëpunime, në shërbim të institucioneve përgjegjëse dhe të një policimi efektiv.

Qëllimi i konferencës ishte që nëpërmjet punimeve të thelluara kërkimore shkencore të situatës së sigurisë dhe aksidenteve rrugore në vend, duke përfshirë: problemet në infrastrukturën rrugore, rregullimin, gjendjen e mirëmbajtjen e rrugëve; problemet në mirëmbajtjen e infrastrukturës së automjeteve; sinjalistikën rrugore, ndriçimin, semaforët, etj; veçoritë e sjelljes së përdoruesve shqiptarë të rrugës; perceptimin e sigurisë rrugore nga qytetarët shqiptarë; funksionimit të shërbimeve të policisë rrugore në Policisë së Shtetit, të shërbimeve të emergjencës e të atyre ndihmëse; praktika të punëve të OJF-ve apo forumeve të ndryshme për këtë çështje, e të tjera, të ndihmojë në evidentimin e strategjive, planeve gjithëpërfshirëse të veprimit, masave dhe organizimit të punës së domosdoshme parandaluese për një siguri rrugore më të mirë.  

Konferenca i filloi punimet me seancën plenare ku dhe u bënë përshëndetjet e të ftuarve VIP.

Më pas konferenca i zhvilloi punimet në katër sesione paralele.

Sesioni i I-rë: Siguria rrugore si pjesë e rëndësishme e sigurisë publike. Kërkime shkencore e analiza profesionale; sesioni i II-të: Hetimi, legjislacioni shqiptar dhe veprimtaria policore për sigurinë dhe aksidentet rrugore; sesioni i III-të: Analiza teknike të infrastrukturës rrugore dhe mjeteve rrugore në Shqipëri dhe sesioni IV: Kultura e sjelljes së përdoruesve të rrugës dhe roli i edukimit qytetar në sigurinë rrugore. Në përfundim të katër sesioneve paralele u zhvillua sesioni i përbashkët përmbyllës ku u u bënë diskutimet përmbyllëse dhe u dhanë përfundimet dhe rekomandimet e konferencës. Në përfundim të konferencës u bë certifikimi i kumtuesve.

Konferenca e IV-të Ndërkombëtare e Akademisë së Sigurisë me temë "Siguria rrugore dhe përdoruesit e rrugës në Shqipëri" arriti të bashkojë njëzëri akademikët, shkencëtarët, profesionistët dhe ekspertët e fushave të sigurisë rrugore e jo vetëm, duke ndarë eksperiencat, praktikat, punimet shkencore dhe gjetjet për të gjitha aspektet gjithëpërfshirëse të fushës së sigurisë rrugore. Konferenca përmbushi qëllimin dhe objektivat e saj.