Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

AS, kremtohet 103 vjetori i krijimit të Policisë Shqiptare

 

Sot Akademinë e Sigurisë dt.13 janar 2016, në orën 08:00, u organizua një aktivitet në kuadër të kremtimit të 103 vjetorit të krijimit të Policisë Shqiptare. Ceremonia u zhvillua para fakulteteve të Akademisë ku me porosi të drejtorit të përgjithshëm të Akademisë së Sigurisë, drejtues i lartë Bilbil Memaj, në orën 08.00, ishte rreshtuar para fakulteteve i gjithë personeli mësimor, pedagogët, studentët, administrata, sektori i zhvillimit profesional, etj.

Ceremonia filloi me ngritjen e flamurit, shoqëruar me Himnin Kombëtar. Gjithashtu edhe në Durrës u zhvillua ngritja e flamurit, e shoqëruar me Himnin Kombëtar. Më pas, drejtori i përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë, mbajti fjalën e rastit para të pranishmëve.

“Si sot e 103 vite me parë, qeveria që shpalli të pavarur Shqipërinë në Vlorë, dekretoi krijimin e strukturës së Policisë. Do të ishte kjo strukturë që do të përballonte një detyrë shumë të vështirë për të gjithë periudhën e më shumë se një shekulli. Në këto 103 vite policia ka ndryshuar strukturë dhe model në përshtatshmëri me kërkesat e kohës, por një gjë ka qenë dhe është e pandryshuar për të: “Ti shërbejë me përkushtim dhe profesionalizëm popullit të vet”. Ajo në historinë e vet është krenare, se si askush tjetër, ka dhënë gjakun e qindra oficerëve për të mbrojtur jetën dhe për të garantuar rendin në vend.

Ne si pjesëtarë të kësaj organizate, jemi krenarë që jemi ne këtë strukturë dhe që shërbejmë për qetësinë dhe për një jetë më të mirë e në paqe të njerëzve tanë. Ne të gjithë jemi krenarë që shërbejmë në Policinë e Shtetit, në këtë organizatë që është më e vlerësuara nga populli. Këtë vlerësim e tregojnë kërkesat e vazhdueshme dhe besimi që ka komuniteti te policia. Ne e dimë që kemi shumë punë për të bërë, për të qenë sa më të efektshëm dhe sa më profesional dhe prandaj jeni dhe ju këtu, për të përvetësuar programin e Akademisë së Sigurisë, për tu bërë oficerë sa më inteligjentë. Gëzuar festën e 103 vjetorit të Policisë! Suksese!” – tha drejtori i përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë në fjalën e tij para të pranishmëve.

Gjatë gjithë ditës, Muzeu i Policisë së Shtetit në Akademinë e Sigurisë ishte i hapur në dispozicion të pedagogëve dhe studentëve. Gjatë orëve të studimit, studentët të shoqëruar nga pedagogët vizituan ambientet e muzeut.