Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Akademia e Sigurisë, analizon ecurinë e 2015-s

 

18 janar 2016. Akademia e Sigurisë ka zhvilluar së fundi analizën vjetore të vitit 2015. Krahas përfaqësuesve më të lartë të Akademisë së Sigurisë, në zhvillimin e kësaj analize ishte i pranishëm edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, drejtues i lartë Rebani Jaupi. Gjatë analizës u theksua njëzëri se prioriteti kryesor i Akademisë së Sigurisë për vitin 2015 ka qenë reformimi i sistemit të arsimit policor si dhe reformimi i institucionit të arsimit policor, - prandaj dhe puna kryesore u përqendrua në përgatitjen e akteve nënligjore dhe administrative. Prioritet, objektivat dhe indikatorët e matshëm, të përcaktuara në programin vjetor të Akademisë së Sigurisë, tashmë janë të realizuar. Këtë gjë e tregojnë arritjet e Akademisë së Sigurisë në të gjitha fushat e shkollim-trajnimeve për vitin 2015.

“Gjatë këtij viti u realizua një nga prioritetet më të rëndësishme të programit të KM dhe të Ministrisë së Brendshme për “rilindjen” e Policisë së Shtetit, me hapjen e Akademisë së Sigurisë. Kështu me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 185, datë 25.02. 2015 u organizua "Akademia e Sigurisë". Vlerësimi i Akademisë së Sigurisë është, se pas një mungese prej mëse një dekade u rihap institucioni i lartë arsimor i Policisë së Shtetit duke u bazuar në eksperiencën më të mirë të vendeve të BE-së, por edhe në eksperincën dhe traditën tonë policore” – tha drejtori i përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë, drejtues i lartë, Bilbil Memaj, gjatë prezantimit të analizës.

Me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme nr. 294 dt. 05.06.2015 u miratua organika e Akademisë së Sigurisë me një personel prej 161 personash. Akademia e Sigurisë, për vitin 2015, përveç shkollimeve për rolin bazë, shkollimit “Bachelor”, trajnimeve dhe kualifikimeve të ndryshme për punonjësit e policisë, ka ofruar kualifikime dhe specializime edhe për agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit.

Personeli dhe strukturat u fokusuan në objektivët më të rëndësishme, në krijimin e rezultateve specifike dhe ruajtjen e një standardi profesional policor. Me urdhër nr. 490 datë 21.09.2015 është miratuar Statuti i Akademisë së Sigurisë nga ministri i Punëve të Brendshme dhe ministri i Arsimit dhe Sporteve. Po me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme dhe ministrit të Arsimit dhe Sporteve është miratuar Programi “Bachelor” për Fakultetin e Sigurisë Publike dhe Fakultetin e Hetimit të Krimit për vitin akademik 2015-2016.

Viti i parë akademik filloi studimet në Akademinë e Sigurisë më 12 tetor 2015 me 122 studentë, të cilët rezultuan fitues në procesin e konkurrimit, për ndjekjen e studimeve për fitimin e gradës “Nënkomisar” në Akademinë e Sigurisë. Në kontekstin e analizës së veprimtarisë vjetore, u arrit në përfundimin se rezultatet e Akademisë së Sigurisë, si institucioni më i rëndësishëm dhe përgjegjës për formimin, kualifikimin, certifikimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm të aftësive profesionale të punonjësve të Policisë së Shtetit, gjatë vitit 2015, kanë qenë shumë më të mira se më parë. Nga strukturat e Akademisë së Sigurisë është përballuar një volum i madh e dinamikë intensive pune për hartimin e akteve ligjore e nënligjore, që burojnë dhe bëjnë të zbatueshëm ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, ligjin nr. 80/2015, “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në RSH” dhe dokumente të tjera me rëndësi strategjike për veprimtarinë e Akademisë se Sigurisë si institucioni përgjegjës për formimin, specializimin dhe kualifikimin e punonjësve e Policisë së Shtetit.

Gjatë 2015 pati më shumë trajnime të cilat u vlerësuan nga pjesëmarësit për cilësinë e tyre. Vlen të përmëndet puna e bërë dhe bashkëpunimi me strukturat përfituese të trajnimit. Gjatë vitit 2015, iu kushtua më shumë kohë dhe energji forcimit të kapaciteteve të brendshme, me qëllim që stafi mësimdhënës të jetë në kontakt të vazhdueshëm me përvojat operacionale të strukturave të Policisë. Gjithashtu, u vlerësua që në rezultatet pozitive të arritura, ka patur influencë të rëndësishme, drejtimi dhe mbështetja nga Drejtoria e e Policisë dhe strukturave të drejtorisë së personelit. Gjatë kësaj periudhe, u punua nga afër dhe u mbështetëm në mënyrë aktive nga Projekti PAMECA IV dhe programi ICITAP, nëpërmjet këshilltarëve përkatës të atashuar në DPSH dhe në Akademinë e Sigurisë.