Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Konferenca e I-rë Shkencore Ndërkombëtare e Akademisë së Sigurisë me temë: "Kontributi në sigurinë publike nëpërmjet arsimimit".

 

Më datë 01 nëntor 2016 u zhvillua Konferenca e I-rë Shkencore Ndërkombëtare e Akademisë së Sigurisë me temë: "Kontributi në sigurinë publike nëpërmjet arsimimit". Kjo, Konferencë zhvillohet në kuadër të reformës së ndërmarrë për reformimin rrënjësor të sistemit arsimor për punonjësit e Policisë, si dhe vënien në funksion të plotë të Akademisë së Sigurisë jo vetëm si qendër formimi, por edhe kërkimi shkencor.

Në këtë aktivitet morën pjesë, Ministri i Punëve të Brendshme Z. Saimir TAHIRI, Zv. Drejtori i Policisë së Shtetit Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë Drejtues i Lartë Bilbil MEMAJ, Përfaqësues të Lartë të Policisë së Shtetit, Misionet Policore që veprojnë në Shqipëri si dhe Oficerët Ndërlidhës, përfaqësues të “Universitetit Tor Vergata” të Romës, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, përfaqësues të Akademisë së Kosovës për Sigurinë Publike, si dhe përfaqësues nga Fakulteti i Sigurisë së Shkupit.

Në fjalën e hapjes Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë Drejtues i Lartë Bilbil MEMAJ, theksoi rëndësinë e veçantë të formimit dhe specializimit të strukturave Policore, rritjen e kapaciteteve profesionale të tyre, në rritjen e Sigurisë Publike dhe përmbushjen e kërkesave të komunitetit.

"Policimi si veprimtaria më e suksesshme deri tani për ofrimin e sigurisë kërkon një trajtim në shumë dimesione. Një nga dimensionet është rritja e kapaciteteve profesionale të strukturave që marrin pjesë në këtë veprimtari, por sidomos struktura e Policisë, e cila ka punën më të specializuar. Struktura që ka misionin kryesor për respektimin e rendit dhe të zbatimit të ligjit është Policia, pikërisht kjo strukturë duhet të zotërojë nivel shumë të lartë profesional, për të përmbushur kërkesën e komunitetit. Qëllimi i kësaj konference është t'i japi kontribut nëpërmjet shkollimit, rritjes së sigurisë publike për qytetarët"

Këtu do te gjeni fjalën e plot të Drejtori të Përgjithshëm të Akademisë së Sigurisë Drejtues i Lartë Bilbil MEMAJ. Kliko mbi link

Ministri i Punëve të Brendshme Z. Saimir TAHIRI gjatë fjalës së tij në këtë konferencë theksoi faktin se gjatë marrjes së detyrës trupa e Policisë së Shtetit ishte nivelin më të ulët arsimor në rajon, por tashmë përmes formimit dhe kualifikimit intesiv, Policia është kthyer në institucionin më të besuar në raport më qytetarët.

"Unë besoj që ne duhet të rikrijojmë traditën e vullnetarizmit në siguri. Ndaj është kjo arsyeja pse në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në Policinë e Shtetit, sot një grup specifik po merret për t’i hapur rrugë angazhimit vullnetar në Policinë e Shtetit nga të rinjtë dhe të rejat në Republikën e Shqipërisë. Në të kaluarën e largët ka pasur një traditë angazhimi vullnetar në Polici ku pjesë të komunitetit bëheshin bashkë me Policinë për të garantuar rendin në komunitetin lokal apo për të ndihmuar fëmijët në shkolla, apo për të ndihmuar qarkullimin rrugor. Unë besoj kësaj tradite duhet t’i marrim më të mirën dhe të krijojmë një model bashkëkohor të angazhimit vullnetar të të rinjve dhe të rejave në Policinë e Shtetit. Ne po punojmë për krijimin e një mundësie ligjore lidhur me angazhimin vullnetar në Policinë e Shtetit dhe më pas do fillojmë menjëherë me rekrutimin, sepse besojmë shumë fort se sot, sfida që kemi lidhur me sigurinë nuk është kurrë dhe as mund të jetë çështje e vetëm policisë në mënyrë ekskluzive. Por është sfida për t’u bërë bashkë, punonjës policie – komunitet".

Zv. Drejtori i Policisë së Shtetit Z.Rebani JAUPI në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi krijimin e një platforme të qëndrueshme arsimore profesionale, si një zgjidhje drejt emancipimit të strukturave Policore, rritjes së sigurisë dhe integrimit të institucionit të Policisë në shoqëri si aleat në zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.

"Siguria mund të përmirësohet nëpërmjet arsimimit. Tashmë, është një fakt i njohur nga kushdo se, niveli i arsimimit brenda radhëve të Policisë së Shtetit është në ngritje, në përmirësim. Mund të shihet përmirësimi i këtij niveli, si në drejtimin e atyre të rinjve që zgjedhin të bëhen punonjës të Policisë së Shtetit, edhe në drejtimin e formatimit të një sistemi arsimor të qëndrueshëm profesional policor. Të rinjtë e diplomuar që synojnë të bëhen punonjës Policie, janë duke u shtuar vit pas viti. Në iniciativën tonë për të ndërtuar një Polici sa më profesionale, pamë si zgjidhje arsimimin. Kjo gjë rezulton të jetë zgjidhja e duhur. Dimensioni, i cili vjen nëpërmjet arsimimit, është ai i emancipimit, emancipim për shoqërinë e për Policinë; emancipim që synon të rrisë sigurinë. Policia e Shtetit, jo vetëm që po e jep këtë mesazh, por edhe po e demonstron me shembuj".

Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Z. Ismail SMAKIQI, Profesor në Universitetin “Tor Vergata” në Romë, Itali Prof, Dr. Giovanni ARCUDI  mbajtën fjalët e tyre përshëndetëse përgjatë zhvillimit të konferencës.

Përfaqësuesit e institucioneve pjesëmarrëse vlerësuan organizimin e kësaj Konference, rihapjen e Akademisë së Policisë duke e ringritur atë në nivel universiteti të Policisë, (Akademia e Sigurisë) e cila do të shërbejë në arsimimin dhe kualifikimin e punonjësve të Policisë të çdo niveli.

Në vijim sipas progarimit  referuan kumtesat e tyre studiues nga Shqiperi, Kosova dhe Maqedonia.

Në përfundim u dhanë konkulzionet e Konferences dhe u shpërndan Certifikatat për  referuesit.