Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Fjala e plotë e Drejtorit/Rektorit të Akademisë së Sigurisë, Drejtues i Lartë, Dr. Bilbil MEMAJ

 

I nderuar zoti Kryeministër!

I nderuar zoti Ministër!

I nderuar Drejtori i Përgjithshëm!

Të nderuar drejtues dhe profesor të Akademive të Sigurisë nga; Maqedonia, Mali i Zi, Kosova, Italia dhe   Universitetet e Shqipërisë!

Të nderuar, përfaqësues të Ambasadave të akredituara në Shqipëri!

Të nderuar koleg, nga PAMECA , ICITAP, OSCE dhe INTERFORC!

Të nderuar referues dhe pjesmarrës !

Zonja dhe zotrinjë!

Ju uroj mirë se ardhjen në Konferencën II-të Shkencore të Akademisë së Sigurisë, Shqipëtare.

Është nder për mua që të çel punimet e konferencës shkencore me temë: “Shkencat ligjore dhe sfidat bashkëkohore të sigurisë”

Konferencën e konsideroj mjaft të rëndësishme për sa i përket tematikës së trajtuar dhe kontributin që do të jap.

Sot, diskutohet gjerësisht, për problematikën e sistemit të sigurisë publike dhe mangësitë e sistemit të drejtësisë, si dhe për shkallën edhe për nivelin e tyre.

Ne jemi të ndërgjegjshëm që qytetarët presim më shumë nga ne, nga institucionet e zbatimit të ligjit.

Në vendet e zhvilluara, shkencat ligjore janë bërë një partner i fuqishëm në përmirësimin e punës parandaluese e zbuluese të kriminalitetit. Ato janë një faktor ndihmës në dhënien e vendimeve të drejta. Për këtë arsye, shkencat ligjore, ndihmojnë në vendosjen e sigurisë publike, në hetimin e krimit dhe në vendosjen e drejtësisë, madje korrigjojnë edhe vetë sistemin, kur ky i fundit gabon.

Punimet që do kemi mundësinë të ndjekim, nxjerrin në pah këtë rëndësi dhe vijnë me një qasje konstruktive e me rekomandime konkrete. Ofrohen pikëshikime të reja për gjetjen e zgjidhjeve nëpërmjet përmirësimit të shkencave ligjore në veprimtarinë e policisë.

Në këtë akademi, i kemi vënë vetes si synim që të rrisim kapacitetet, duke përmirësuar formimin e oficerëve të policisë me dije dhe duke i hapur një udhë më të gjerë shkollimit dhe kërkimit shkencor.

Jemi të vetëdijshëm se mangësitë ekzistojnë; vështirësitë po ashtu. Por, ne nuk do të tërhiqemi, do të përmirësohemi në vijim.

Shembull i kësaj rruge që vazhdon në ngjitje, është edhe hapja së fundmi, e programeve Master profesional në fushën e sigurisë dhe hetimit.

Duke uruar punimet e kësaj konference më lejoni të theksoj se kontributi ynë do të jetë i heshtur e i vazhdueshëm në të mirë të sigurisë e të zhvillimit të vendit. Vetëm duke zhvilluar shkencën dhe dijen, zhvillojmë një forcë policore, e cila do të mund të shndërrojë e të përmirësojë sistemin: të mundësojë drejtësinë!

Ju faleminderit!