Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Senati Akademik

 

Senati është organi kolegjial vendimmarrës më i lartë akademik i AS-së, përgjegjës për përmbushjen e misionit të saj. Senati përcakton politikat e zhvillimit të AS-së, programon, bashkërendon, drejton dhe kontrollon veprimtaritë e mësimdhënies e të kërkimit shkencor dhe vlerëson efikasitetin e tyre. Senati kryesohet nga drejtori i përgjithshëm i AS-së/rektori.

Senati përbëhet nga anëtarët: personel akademik, personel joakademik dhe studentë, të cilët zgjidhen drejtpërdrejt nga personeli akademik i njësive kryesore, përmes një votimi të përgjithshëm, për një mandat trevjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje, midis anëtarëve të personelit akademik me kohë të plotë, të vetë kandiduar.

Anëtarët e senatit, personel akademik në AS, i përkasin kategorisë “Profesor” ose kanë gradën shkencore “Doktor”. Anëtarë të Senatit Akademik të AS-së, janë edhe nga radhët e mësimdhënësve me gradën policore “drejtues” dhe “drejtues i parë” apo edhe “drejtues të lartë të policisë”. Në Senatin Akademik të AS-së përfaqësohen edhe studentët.

Senati përbëhet nga 13 anëtarë, si më në vijim: Drejtori/rektori; dy përfaqësues nga administrata; tre nga fakulteti i sigurisë publike; tre nga Fakulteti i Hetimit të Krimit; një nga Qendra Kërkimore Shkencore; një përfaqësues i Shkollës Bazë të Policisë dhe dy përfaqësues të studentëve.

Funksionet e Senatit Akademik

Senati garanton respektimin e parimeve të autonomisë të AS-së, lirinë akademike si dhe të drejtat e studentëve. Ai propozon planin strategjik të zhvillimit të institucionit të arsimit të lartë, miraton statutin e AS-së me dy të tretat e votave të anëtarëve të tij pasi të jetë marrë miratimi paraprak i këshillit të administrimit, harton strukturën e përgjithshme të AS-së dhe i propozon bordit të administrimit numrin e personelit të institucionit në të gjitha nivelet, miraton rregulloret, planin vjetor të veprimtarive akademike dhe kërkimore-shkencore, raportin e detajuar vjetor të veprimtarisë së AS-së, me 2/3 e votave të senatit, etj.

Senati zgjedh përfaqësuesit e tij në Bordin e Administrimit dhe krijon komisionet e përhershme për të ndjekur veprimtaritë e rëndësishme akademike në AS. Ai përcakton kritere të veçanta për përzgjedhjen e kandidatëve për studentë, sipas propozimeve të dekanatit dhe miraton projektet e marrëveshjeve apo kontratave të bashkëpunimit me të tretë, të cilat i nënshkruan rektori në emër dhe për llogari të AS-së. Me ankim, me kërkesë apo kryesisht, ai shqyrton ligjshmërinë e vendimeve të njësive përbërëse të AS-së. Kur konstaton se ato bien ndesh me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tij, ia kthen për shqyrtim edhe njëherë njësisë përkatëse me sugjerimet e nevojshme.

Nëse njësia merr përsëri vendim në kundërshtim me aktet normative në fuqi, Senati Akademik vendos ndryshimin ose shfuqizimin e tij. Gjithashtu, senati miraton rregulloren e Këshillit të Etikës; miraton në shkallë të dytë planet mësimore dhe ato kërkimore-shkencore të fakultetit si dhe miraton rregullat, procedurat dhe programet e kualifikimit pasuniversitar. Në ushtrim të kompetencave, Senati Akademik shpreh vullnetin e tij me vendime të cilat kanë fuqi të drejtpërdrejtë si dhe me dhënie mendimi kolegjial.