Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Akademia e Sigurisë zhvilloi në datën 26 Prill 2018, Konferencën e II-të Shkencore Kombëtare me teme: “Dhuna ekstreme në familje dhe masat për parandalimin e reduktimin e vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare"

Gjatë ditës së sotme në datën 26 Prill 2018, në ambientet e Akademisë së Sigurisë u zhvillua Konferenca e dytë Shkencore, me pjesëmarrje në nivel kombëtar, me titull: “Dhuna ekstreme në familje dhe masat për parandalimin e reduktimin e vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Të pranishëm ishin, Zv/Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Vasilika Hysi, Zv/Ministre e Brendshëm, Znj. Romina Kuko, Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Drejtues i Lartë, Eduart Merkaj, Drejtori/Rektori i Akademisë së Sigurisë Drejtues i Lartë Dr.Bilbil Memaj, Drejtori i Qendrës Kërkimore Shkencore, Drejtues Dr. Xhavit Shala.

Kjo konferencë u përgatit dhe u organizua nga QKSH e Akademisë së Sigurisë me pjesëmarrje e përfaqësim të disa institucioneve të tjera kërkimore shkencore.

U përfaqësuan me punime: Lektorë të Qendrës së Kërkimeve Shkencore e të Fakultetit të Hetimit në Akademinë e Sigurisë, të Fakultetit të Sociologjisë në Universitetin e Tiranës, punonjës të strukturave të Policisë së Shtetit në nivel qendror e vendor, prokurorë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda e nga prokuroritë e rretheve, Shoqata Kombëtare e Avokatëve Penalistë etj.

Në punimet e paraqitura në Konferencë konstatohet një vëmendje e kënaqshme nga mjaft studiues dhe të interesuar për problemet e familjes dhe krimeve brenda saj. Tema e Konferencës rreth një problemi sa interesant kaq edhe të vështirë, siç është vrasja brenda familjes, tërhoqi praninë e një dimension relativisht të gjerë të interesuarish, studiues e pjesëmarrësish me punime e kumtesa që përfaqësonin Institucione të Arsimit të Lartë dhe struktura ligjzbatuese, pedagogë e lektorë me grada shkencore, punonjës të Institucioneve të Sigurisë, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, si edhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Kjo konferencë është e katërta që zhvillohet në Akademinë e Sigurisë nga QKSH dhe e dyta si konferencë kombëtare. Organizimi i Konferencës u bë sipas formatit të çdo Konference shkencore, me tematikë, me arritjen e disa synimeve të caktuar, që u paraqitën që në thirrjen e hapur, shpërndarë në uebsitet për këtë qëllim.

Në këtë konferencë Qendra e Kërkimeve Shkencore e Akademisë së Sigurisë prezantoi, nëpërmjet referuesve të saj, gjetjet dhe përfundimet kryesorë të projektit kërkimor shkencor “Vrasjet për shkak të marrëdhënieve familjare në Shqipëri” të realizuar së fundmi prej saj.

Përmbajtja e Konferencës:

Përqendrimi i tematikës së Konferencës rreth një çështje aktuale dhe delikate për shoqërinë e individin, siç vlerësohet edhe dhuna ekstreme në familje, natyrisht që të mundëson të njihesh e të ballafaqohesh me një sërë problemesh.

Spektri i përmbajtjes së këtyre problemeve varion nga vrasja, si krim kundër jetës, në vet kuptimin e marrëdhënieve familjare, në dobësimin e këtyre lidhjeve e shfaqjen e dhunës si tregues i qartë i degradimit të marrëdhënieve familjare e pararendës i mundësisë së aktit final, vrasjes së një anëtari brenda saj.

Në këtë kontekst, gjen vend e zbatim metoda e krahasimit midis zgjidhjeve juridike e atyre kanunore të traditës, nga e cila dalin përfundimet e rekomandimet, deri te kompleksi i masave parandaluese, që synojnë reduktimin e çdo lloj dhune brenda kësaj qelize jetike të shoqërisë.

Vrasjet janë e mbeten format më ekstreme të dhunës në familje dhe trajtimi e vështrimi i tyre historik në kushtet e vendit tonë, janë si një fill mendimi që përshkojnë punimet e kësaj Konference, pavarësisht se vrasjet brenda marrëdhënieve familjare nuk përbëjnë problem të ri për shoqërinë shqiptare. Historia dhe faktet tregojnë se kjo dukuri ka shoqëruar shoqërinë shqiptare ashtu si në gjithë kombet e tjerë. Jo rastësisht ky fenomen ka gjetur trajtim të veçantë edhe në të drejtën zakonore penale shqiptare.

Ai është problem po kaq i vjetër sa vrasja dhe historia e familjes në çdo shoqëri. Edhe pse shumë vende kanë mundur ta frenojnë deri diku këtë dukuri, në Shqipëri në periudha të ndryshme, vrasjet për shkak të marrëdhënieve familjare herë pas here kanë shënuar rritje.

Prandaj, ndër metodat bazë të përdorura në analizat e kësaj dukurie, zbatim më të gjerë në kumtesat e prezantuara gjen analiza krahasuese me periudhat e mëparshme. Kjo ka realizuar një synim të arritjes së disa objektivave të paraqitura midis qëllimeve të kësaj Konference, të evidentimit të problematikave, faktorëve nxitës të rritjes së formave të dhunës, dhënies së rekomandimeve për hartimin e politikave për parandalimin e reduktimin e dukurisë së vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare si edhe menaxhimit të konflikteve të ndryshme rreth saj.

Në kumtesat e prezantuara, trajtimi teorik i kësaj dukurie, studimi i dhunës ekstreme të vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare, krahas aspektit historik e juridik janë ndërthurur edhe treguesit objektiv, sipas statistikave dhe raporteve të rasteve realisht të evidentuara. Përveç kësaj, ato ndërthuren me treguesit subjektiv, që konstatohen e analizohen prej të dënuarve për vrasje në familje, prej perceptimit të publikut, madje edhe të punonjësve të policisë, të njerëzve të thjeshtë etj.

Trajtimi i problemeve në kumtesa pati një shtrirje të gjerë, multidimensionale, që nga syri i sociologut tek këndi i shikimit të juristit, nga vëzhgimi i psikologut tek kodet e penalistit, nga puna hetimore e parandaluese e punonjësit të sigurisë tek analiza e gjithsecilit sipas këndvështrimit të vet.

Të dhënat statistikore, si një formë e domosdoshme e metodave të studimit të këtyre dukurive, tregojnë se numri i rasteve të dhunës dhe krimeve të ndodhura në familje zë rreth 20% të numrit total të krimeve të ndodhura çdo vit. Veprat penale dhe format e dhunës janë nga më të rëndat, të cilat shkojnë nga dhuna emocionale, seksuale deri në vrasjen e viktimës. Për këtë -u theksua në studimet e paraqitura, në radhë të parë është e nevojshme një analizë dhe kuptim sa më i mirë nga gjykatat, prokuroria dhe policia gjyqësore i elementëve juridiko-penalë të kësaj figure krimi.

Ato duhet të thellohen me një analizë e kuptim të të gjitha veçorive juridiko-penale të këtij krimi, si në objektin juridik dhe material të saj, në anën objektive të kryerjes së kësaj vepre penale, në subjektin dhe anën subjektive të saj. Këto ndihmojnë në efikasitetin e funksionimin e institucioneve për parandalimin e reduktimin e këtyre veprave kriminale.

Janë marrë një sërë masash ligjore për parandalimin e dhunës në familje. Martesa dhe familja sot gëzojnë mbrojtjen e veçantë të shtetit, si një nga parimet më themelore të sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ndryshimet në Kodin Penal të bëra në vitin 2013 duke shtuar nenin 79/c “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, pas pothuajse 70 vitesh, sigurojnë dhe i rikthejnë mbrojtjen e posaçme pjesëtarëve të familjes nga vrasjet për shkak të marrëdhënieve familjare.

Ndër masat legjislative që konsistojnë në ndryshime ligjore, ishte edhe miratimi i paketës ligjore për dhunën në familje. Si rrjedhojë kjo solli ashpërsimin e dënimeve penale dhe krijimin e mekanizmave mbrojtës, ngritjen e disa strukturave të posaçme pranë qeverisjes qendrore dhe vendore, që kulmoi me hapjen e Zyrës së Ndihmës Juridike dhe Koordinimit të Dhunës në Familje, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Kjo masë, sikurse u theksua në Konferencë, në thelb të misionit të saj ka ofrimin e këshillimit ligjor falas, parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje.

Të dhënat tregojnë se pothuajse të gjitha rastet e dhunës në familje drejtohen ose denoncohen në Polici. Kjo dëshmon se një pjesë e mirë e publikut të anketuar, pothuajse 70%, shprehin besim te institucioni i policisë për trajtimin e zgjidhjen e problematikave të tyre familjare.

Punonjësit e policisë nënvizojnë që duhet më shumë punë me organet e pushtetit vendor dhe sistemin e drejtësisë për trajtim dhe parandalim të çështjeve të tilla.

Këto të dhëna, që pasurojnë studimet e kumtesat e paraqitura në Konferencë, vinë edhe nga anketimi me vet forcat e policisë, që shfaqin mendimet e problemet e tyre rreth masave efikase për reduktimin e këtij problemi. Kështu, të anketuarit nënvizojnë se çfarë masash konkrete duhen marrë për të parandaluar konfliktet, dhunën dhe vrasjet brenda familjes.

Sipas të dhënave anketore të punonjësve të policisë dhe të individëve të anketuar, rëndësi parësore i jepet:

- forcimit e bashkëpunimit institucional. Po kështu, nga këto burime vlerësohet shumë nxitja dhe organizimi i fushatave sensibilizuese dhe hartimi i programeve të veçantë profesional.

- në përqindje më të vogël renditen ndryshimet ligjore, ndërtimin e uebsiteve /linjave telefonike mbështetëse për autorët e viktimat, marrjen e masave për kushtet e strehimit dhe shërbimeve për autorët, etj.

- punonjësit e anketuar të policisë u shprehën se, detyrat e përgjegjësitë ku ata ndjejnë më shumë vështirësi në lidhje me ndjekjen e çështjeve të dhunës apo vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare janë mbrojtja dhe garantimi i sigurisë së viktimës, përgjigja ndaj njoftimeve të viktimave dhe orientimi i viktimave për shërbime sociale.

- ndërsa theksojnë se kanë më shumë vështirësi të bashkëpunojnë me organet e pushtetit vendor dhe sistemin e drejtësisë.

Përfundime.

• Nga punimet u vu në dukje se, siguria e jetës vjen ose kërcënohet edhe nga vet

pjesëtarët e familjes, prandaj rritja e sigurisë është një vlerë e fituar të cilën shoqëria shqiptare kërkon jo vetëm ta mbrojë atë që ka arritur, por dhe ta përmirësojë atë në mënyrë progresive. Për këtë është e nevojshme përmirësimi i informimit të komunitetit për punën që bëhet për parandalimin dhe reduktimin e krimit në përgjithësi dhe në këtë kuadër edhe të dhunës ekstreme e të vrasjeve në familje. Kjo do të ndikojë në rritjen e shkallës së objektivitetit në perceptimin e nivelit të sigurisë dhe të krimeve në familje, në rritjen e nivelit të kënaqësisë së publikut për punën e Policisë së Shtetit etj.

• Ka një tendencë të theksuar në rënie të numrit të vrasjeve gjatë periudhës së

fundit, për shkak të marrëdhënieve familjare dhe një rritje të evidentimit të rasteve të tjera të dhunës në familje. Tendencat e mësipërme mund të shpjegohen, ndërmjet të tjerave, me rritjen e ndërgjegjësimit për denoncimin e rasteve të dhunës në familje ashtu dhe me efektin e ndryshimeve në Kodin Penal.

• Konferenca doli, veç të tjerave, me mjaft përfundime të përgjithshme

dhe konkluzione praktike, që mund të shërbejnë e të japin ide orientuese në punën për të ardhmen, si për një organizatë sigurie, edukuese apo si një pjesëtar i familjes së sotme. Kështu, rezulton se dhuna në familje është një problem i përhapur global, që kapërcen kufijtë dhe ndodh në të gjitha kulturat dhe shoqëritë anembanë botës, pra të mos e konsiderojmë atë si një problem të veçuar apo shqiptar, si pohim i rëndomtë mediatik. Prandaj u theksua se të kuptuarit e veçorive brenda një shoqërie të caktuar është kyç për zhvillimin e reformave legjislative dhe hartimin e politikave, të nismave parandaluese dhe atyre të ndërhyrjes, si dhe të sistemeve të mbrojtjes dhe përkrahjes të viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës në familje.

• Lidhur me pozitën brenda familjes, konstatohet se ka shumë raste ku gratë kanë

një vend të nënshtruar ndaj burrave dhe madje deri diku konsiderohen si “pronë“ e bashkëshortëve. Gratë dëshmojnë se janë përballur në mënyrë sistematike me dhunën psikologjike dhe fizike të bashkëshortëve. Konfliktet midis familjarëve kanë qenë e janë të shumta. Nga ky fenomen, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, janë të prekura jo vetëm gratë, por edhe burrat e fëmijët.

Rekomandime:

Disa rekomandime që dalin nga analiza e punimeve të Konferencës së dytë Kombëtare të QKSH në Akademinë e Sigurisë janë:

Hartimi dhe zhvillimi i politikave të studiuara afatgjata për sensibilizimin e shoqërisë shqiptare për një vëmendje më të shtuar ndaj fenomenit të konflikteve në familje, dhunës ekstreme dhe vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare, për dhënien e informacionit të duhur mbi faktorët që ndikojnë dhe i kthejnë konfliktet në familje deri në vrasje si dhe masat për parandalimin dhe reduktimin e tyre, etj.

Hartimi, zhvillimi dhe zbatimi i politikave të studiuara afatgjata për fuqizimin e mekanizmave ekzistues dhe krijimi i mekanizmave të rinj institucionalë gjithëpërfshirës dhe efikas, për reagim të shpejtë ndaj rasteve të dhunës në familje, si dhe bashkëpunim të përgjegjshëm ndër-institucional, mes palëve pjesëmarrëse, Ministrisë së Brendshme e Policisë së Shtetit, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, në nivel qendror e vendor, të institucioneve të tjera që do të përfshihen në këtë proces si dhe të organizatave të shoqërisë civile, nën drejtimin e një organizmi koordinues kombëtar, me synimin koordinimin e punës për trajtimin, parandalimin e reduktimin e konflikteve në familje, dhunës ekstreme e vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare.

Hartimi dhe zbatimi i strategjisë së rekomanduar për koordinimin e punës për trajtimin, parandalimin e reduktimin e vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare do mundësoje që, të paktën për një periudhë afatmesme 5 vjeçare, shoqëria shqiptare të ndërgjegjësohet më tepër e të ballafaqohet më seriozisht me pasojat e kësaj dukurie.

Ky do të jetë fillimi i një investimi serioz për parandalimin e kësaj dukurie në të ardhmen, me ndikime në sigurinë publike.

Video Konferenca e II-të Shkencore Kombëtare “Dhuna ekstreme në familje dhe masat për parandalimin e reduktimin e vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare". (për video kliko mbi link)