Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ardi Veliu, i akordon, "Certifikatën për shërbime të dalluara", Drejtorit të Akademisë së Sigurisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ardi Veliu, i akordon, "Certifikatën për shërbime të dalluara", Drejtorit të Akademisë së Sigurisë, Drejtues i Lartë Bilbil Memaj, me motivacionin: “Për merita të veçanta dhe veprimtari të shquar në fushën e sigurisë publike dhe zhvillimin e vazhdueshëm të standardeve të Policisë së Shtetit”.

Gjatë një ceremonie të organizuar me rastin e 60 - vjetorit të lindjes, Drejtues i Lartë Bilbil Memaj, u nderua me Certifikatën për shërbime të dalluara, nga Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu.

Drejtori i Përgjithshëm z.Veliu ka vlerësuar me nota pozitive gjithë kontributin e z. Memaj gjatë karierës së tij në Policinë e Shtetit, duke theksuar se Bilbil Memaj, është shembulli më i mirë i një drejtuesi në radhët e Policisë, që falë profesionalizmit dhe aftësive të larta menaxhuese, ka gëzuar dhe gëzon respektin e të gjithëve

Më tej ka përmendur kontributin e z.Memaj në arsimimin e brezave të tërë të Policisë, në ringritjen e arsimit të lartë policor, organizimin e një sërë konferencash shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e sigurisë, nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi me homologet e saj në Europë e më gjerë, zhvillimin e programeve të trajnimit dhe studimit në fushën e sigurisë publike dhe zbatimin e platformave të reja elektronike, si dhe në hartimin e një sërë aktesh ligjore, që normojnë punën e Policisë.

Drejtori i Përgjithshëm ka theksuar se z. Memaj me pasion, punë dhe këmbëngulje ka drejtuar strukturat e policisë në qarqet Shkodër dhe Tiranë, si edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në vitet e vështira të rivendosjes së rendit e të sigurisë publike, pas trazirave të vitit 1997, ku falë rezultateve të arritura e profesionalizmit të shfaqur, u emërua më pas në detyrën e lartë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Drejtues i Lartë Bilbil Memaj, ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm për këtë vlerësim, duke theksuar se mosha është thjesht numër dhe duhet të bashkojmë eksperiencat, aftësitë profesionale dhe të bëjmë më të mirën për organizatën e Policisë, për një shërbim sa më cilësor për komunitetin, si dhe për të krijuar një ambient shoqëror sa më të sigurt.