Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Dekani i Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit

Ilirjan Mandro   2
Jetëshkrim

            Dekani i Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit

                     Prof. Dr. Ilirjan MANDRO

 

Ilirjan Mandro ka lindur në Elbasan në vitin 1961. Ka mbaruar Studimet e Larta dhe është Diplomuar  “Specialist I Lartë Policie” në Qershor të vitit 1984. Mars të vitit 1985 përfundon kursin pasuniversitar dhe certifikohet “Ekspert Kriminalist”. Në korrik të vitit 1991 përfundon studimet pranë Fakultetit të Drejtësisë/ Universiteti i Tiranës dhe merr titullin “Jurist”. Në shtator 2002, diplomohet pranë Akademisë së Mbrojtësve të Ligjit (ILEA/ sesioni 37). Në Qershor të vitit 1994, mbron në Fakultetin e Drejtësisë, gradën shkencore “Doktor” dhe në shtator të vitin 1999 ka fituar titullin “Mjeshtër Kërkimesh”. Me vendim nr. 90/28.01.2004 të KKSH pranë Ministrisë së Arsimit merr titullin “Profesor” në fushën e Drejtësisë. Mban gradën policore “Drejtues i Parë”. Ka filluar karrierën profesionale në vitin 1985 dhe ka punuar fillimisht si specialist i këqyrjes së vendit të ngjarjes në disa drejtori policie vendore Vlorë, Lezhë, Shkodër, Rrëshen dhe Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë. E gjithë karriera e tij profesionale është evidente në fushën e hetimit në përgjithësi, këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kërkimeve shkencore kriminalistike në veçanti. Në vitin 1991 ka punuar në Akademinë e Rendit fillimisht si asistent pedagog në lëndën e “Kriminalistik” dhe më vonë si pedagog i kësaj lënde të cilën vazhdon të zhvillojë në vazhdimësi. Ka qenë pedagog në lëndën e të “Drejtës Penale (pjesa e përgjithshme dhe e posaçme)”. Në vitet 1993-2008 ka kryer detyrën e përgjegjësit të Departamentit të së Drejtës Penale në Akademinë e Rendit Publik. Në vitin 2001 emërohet zëvendësdrejtor i Akademisë së Policisë “Arben Zylyftari”. Me hapjen e Shkollës Pasuniversitare në Akademinë e Policisë i caktohet dhe drejtimi i saj. Në vitin 2008 emërohet “Drejtues i strukturës së trajnimeve vazhduese, trajnimeve në shërbim dhe trajnimit në terren” në Policinë e Shtetit. Në qershor të vitit 2015 është emëruar Dekan i Fakultetit te Hetimit të Krimit pranë Akademisë së Sigurisë dhe në Shtator të vitit 2016 emërohet “Dekan I Fakultetit të Sigurisë dhe Hetimit”.

Pas vitit 1993 dhe në vazhdim, është aktivizuar si pedagog i kriminalistikës në fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës dhe nga viti 2008 si pedagog i ftuar pranë departamentit të Drejtësisë, Universiteti “Ismail  Qemali” Vlorë, etj. Prej vitit 2004 e në vazhdimësi është lektor në Shkollën e Magjistraturës në lëndën e “Kriminalistikë”. Është aktivizuar si “Trajnues” në kurset e organizuara nga Misioni Policor ICITAP (USA), Misioni Policor-PAMECA dhe organizma të tjera Ndërkombëtare. Prej vitesh ka qenë Udhëheqës Shkencor për marrjen e Gradës “Doktor” të disa kandidatëve dhe Anëtar në Komisionet e krijuara për marrjen e titullit “Profesor” dhe “Profesor i asociuar” në fushën e të Drejtës Penale pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Është anëtar i disa komisioneve për Akreditimin e Programeve në Fakultetet e Drejtësisë të disa Universiteteve. Ka kryer kualifikime dhe specializime si brenda dhe jashtë vendit si në SHBA, Itali, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar etj, në fushën e hetimit, policisë shkencore, luftës kundër terrorizmit, menaxhim situatash kritike, drejtim dhe menaxhim operacionale, drejtim dhe analiza strategjike dhe në fushën e mësimdhënies. Prof. Dr. Ilirjan Mandro, është autor i disa teksteve mësimore universitare të tilla si “Këqyrja e vendit të ngjarjes në Vrasje”; “Metodikat e hetimit ne aksidentet automobilistike”; “Në labirintet e balistikës kriminalistike”; “Kriminalistika mbi identifikimin e armëve të zjarrit; “E drejta Penale (Pjesa e Përgjithshme)”; “Kriminologji/Penologji”, “Këqyrja e vendit të ngjarjes në katastrofat ajrore”; “Taktikat dhe teknikat në Procesin e Pyetjes”; “Njohuri mbi kriminalistikën”; “Kriminalistika Pjesa e Pare dhe e Dytë; “Policia Shkencore” si edhe bashkautor në manualet “Dhuna në Familje”, “A. B. C e Policimit”; “Policia dhe te Drejtat e Njeriut” etj. Ka qenë referues në mbi 37 konferenca Kombëtare dhe Ndërkombëtare për tema te hetimit te krimit, zhvillimit te procesit arsimor policor dhe mbi trajnimet vazhduese ne sistemet arsimore policore.