Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Historia e Akademisë

 

Arsimi i Lartë Policor në Shqipëri fillon në vitin 1972. Me Vendim të Këshillit të Ministrave (VKM) nr. 184 datë 20.12.1971, u vendos krijimi i Shkollës së Lartë trevjeçare të Ministrisë Punëve të Brendshme. Hapja e Shkollës së Lartë dhe fillimi i zhvillimit të programeve të rregullta mësimore u bë në shtator 1972.

Kjo shkollë u përfshi në sistemin e lartë arsimor policor (fillimisht jo universitar), me kohëzgjatje dy vjet me shkëputje nga puna dhe një vit stazh në organet policore vendore. Pas përfundimit të stazhit dhe diplomimit, studenti titullohej “Oficer policie”.

Shkolla përgatiste specialistë në fushën e sigurimit, policisë dhe kufirit. Përveç kësaj, funksiononte dhe sistemi i kurseve gjashtë dhe nëntëmujore. Në vitin 1973 u fut edhe sistemi me korrespondencë, me kohëzgjatje katër vjet.

Në maj të vitit 1979, studimet në Shkollën e Lartë u zgjatën në tre vjet pa shkëputje nga puna dhe një vit stazh në detyrë policore. Pasi jepej provimi i formimit, bëhej diplomimi dhe titullimi “Oficer policie”.

Në vitin 1984, Shkolla e Lartë mori një fizionomi të plotë në drejtim të ndryshimit të programeve mësimore, aktivitetit kërkimor shkencor, trupit pedagogjik dhe bazës didaktike. Shkolla filloi të funksionojë me sistem katërvjeçar me shkëputje nga puna dhe pesëvjeçar me korrespondencë. Gjatë kësaj periudhe janë përgatitur një numër i madh kuadrosh dhe specialistësh të policisë me aftësi të mira etike dhe profesionale.

Ndërsa trupa policore, nga viti 1946 e deri me hapjen e Shkollës së Ulët të Policisë në vitin 1986, është trajnuar me kurse disa mujore në qendra të veçanta instruksioni. Shkolla e Ulët e Policisë ishte e sistemit dyvjeçar. Në vitin 1991 kjo shkollë u shndërrua në Institutin e Policisë, me kohëzgjatje një vit.

Në shtator 1992, me VKM N. 405, datë 15.9.1992, u krijua Akademia e Rendit Publik e cila kishte në përbërjen e vet Shkollën e Lartë dhe Institutin njëvjeçar të Policisë.

Pas vitit 1992 shkolla pësoi ndryshime në drejtim të organizimit, depolitizimit të programeve mësimore dhe demokratizimit të brendshëm të saj. Ajo përgatiste vetëm punonjës policie të rolit të mesëm dhe shumë pak të rolit bazë. Për herë të parë, në shtator 1993, në Akademi u pranuan studente femra për t’u përgatitur si oficere policie.

Me VKM nr. 281, datë 02.06.2000, Shkolla emërohet “Akademia e Policisë”.

Në Gusht të vitit 2005, me mbështetje të programit ICITAP dhe Pameca, filloi procesi i reformimit të sistemit të edukim-trajnimit policor shqiptar dhe në shtator 2006 fillon programi i parë për trajnimin bazë policor me kohëzgjatje 20 javore.

Me VKM nr. 135, datë 11.2.2009 “Për mbylljen e Akademisë së Policisë “Arben Zylyftari” dhe riorganizimin e arsimimit policor si pjesë përbërëse e Drejtorisë së Policisë së Shtetit”, Akademia pushoi aktivitetin si institucion i arsimit të lartë dhe të ulët, në nivelin e një Qendre të Formimit Policor.

Në ligjin për Policinë e Shtetit nr. 108/2014, në nenin 37, parashikohet që Policia të ketë institucionin e saj arsimor përgjegjës për formimin, specializimin dhe kualifikimin e punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit të nivelit operues, administrativ dhe menaxherial. Në zbatim të këtij neni, me VKM nr. 185 datë 25.2.2015, u krijua Akademia e Sigurisë.