Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Përfunduan trajnimin 24 punonjës të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH)

Sot në datën 3 maj 2019, në ambientet e Akademisë së Sigurisë në Tiranë, u zhvillua ceremonia e ndarjes së certifikatave mbi përfundimin e trjanimit të zhvilluar nga “Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Turke”.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin, Drejtori/Rektori i Akademisë së Sigurisë, Drejtues i Lartë, Dr. Bilbil Memaj, sekretarja e tretë pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Seda Kırdar, përfaqësuesja e TIKA-s, Dilek Sayin, koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Necip Özay Özütok, si dhe përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë.

Drejtori/Rektori i Akademisë, në fjalën e tij përshëndetëse tha se në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve do të realizohen përsëri trajnime të tilla në të ardhmen.

"Në emër të Akademisë së Sigurisë falënderoj Policinë Turke për këtë bashkëpunim të ngushtë që ne kemi dhe për faktin që këtë vit është viti më i suksesshëm i bashkëpunimit tonë që do të vazhdojë, në bazë të projektit që kemi. Ky trajnim është i veçantë pasi këtë eksperiencë e marrim nga Policia Turke, pasi ka shumë raste të menaxhimit të situatave rreth menaxhimit të turmave, të aktiviteteve masive", tha Memaj.

Ai u shpreh më tej se "Ne e dimë tashmë që koleget tanë të Policisë së Turqisë kanë menaxhuar me sukses tubime të tilla, të përmasa shumë të mëdha. Policia duhet të jetë e paanshme sidomos në menaxhimin e turmave pasi nuk duhet të ndikohemi nga politika dhe në rastin e menaxhimit të turmave duhet të jemi shumë të kujdesshëm".

Përfaqësuesja e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Seda Kırdar, theksoi se duke u shpërndarë eksperiencat në këtë fushë zgjerohen dhe pasurohen më tepër marrëdhëniet midis dy vendeve.

Përfaqësuesi i Policisë së Turqisë, Hakan Er, tha se "Kemi përfunduar me sukses trajnimin, ku kemi folur për taktikat dhe teknikat e ndërhyrjes dhe masat parandaluese që duhet të marrin forcat e ndërhyrjes së shpejtë, për menaxhimin e ngjarjeve me karakter social. Jemi përpjekur maksimalisht të japim më të mirën".

Pjesë e trajnimit ishin 24 punonjës të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) nga disa qytete të vendit, ndërsa dy përfaqësues nga Policia e Turqisë kanë trajnuar koleget e tyre shqiptarë për parimet e ndërhyrjes në ngjarjet sociale, ose gjatë trazirave të ndryshme, sidomos për menaxhimin e turmave.