Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Ambasadori i Zvicrës në vendin tonë Sh.T.Z Christoph GRAF, i shoqëruar nga themeluesi i Qendrës së Urgjencës “ERA” z. Christian VÖGELI

 

Ambasadori i Zvicrës në vendin tonë Sh.T.Z Christoph GRAF, i shoqëruar nga themeluesi i Qendrës së Urgjencës “ERA” z. Christian VÖGELI, zhvilluan një vizitë në ambientet e Qendrës së Profilaksim- Mjekimit pranë Akademisë së Sigurisë.

Gjatë kësaj vizite Delegacioni i Ambasadës së Zvicrës u prit nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki ÇAKO, Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Sigurisë, Drejtues i Lartë Bilbil MEMAJ, Drejtori i Përgjithshëm për Shërbimet Mbështetëse, Drejtues i Lartë Ylli YMERI, Drejtori i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Marrëdhënieve me Publikun Arjan RUGJI si dhe Drejtor i Qendrës së Profilaksim-Mjekimit, Z. Dragush CANKA.

Ambasadori i Zvicrës dhe Drejtori i Policisë së Shtetit gjatë bashkëbisedimit mes tyre vlerësuan marrëdhëniet mjaft të mira mes dy Policive dhe rëndësinë e intensifikimit të komunikimit mes dy vendeve në kuadrin policor.

Gjatë vizitës në ambientet e Qendrës së Profilaksim- Mjekimit pranë Akademisë së Sigurisë Ambasadori i Zvicrës dhe themeluesi i Qendrës së Urgjencës “ERA” shprehën gatishmërinë e tyre për trajnimin e vazhdueshëm të mjekëve dhe efektivave të kësaj qendre për t’u specializuar më tej, në fusha të caktuara mjekësore dhe në fushën e dhënies së ndihmës së shpejtë.

Drejtori i Policisë së Shtetit i shprehu Ambasadorit Zviceran mbështetjen dhe gatishmërinë e tij për sigurinë e të gjithë shtetasve zvicerane dhe të huaj, që do të hyjnë në vendin tonë apo janë rezidentë dhe i ftoi gjithashtu që në rast nevoje të telefonojnë në numrat e Policisë për t’ju ardhur menjëherë në ndihmë.

Nga ana e tij Ambasadori theksoi se këtu ndihen po aq të sigurtë sa në Zvicër dhe se me Policinë e Shtetit kanë një marrëdhënie mjaft të mirë dhe një koordinim të shkëlqyer të veprimeve, përfshirë dhe Atasheun tonë policor që mbulon Shqipërinë dhe Kosovën. Tashmë është i dukshëm fakti, se niveli i efektivëve të Policisë dhe mënyra e ofrimit të shërbimeve prej tyre është rritur ndjeshëm, duke i dhënë një tjetër pamje Policisë së Shtetit.

Në vazhdim u diskutua se është e rëndësishme dhënia e ndihmës së shpejtë në rrugë dhe se është e nevojshme që shërbimi i Policisë Rrugore apo i Shqiponjave të bashkëpunojnë me mirë me Qendrën e Urgjencës “ERA” në raste aksidentesh apo raste emergjence.

Më pas Ambasadori u njoh edhe me ambientet e brendshme të Akademisë së Sigurisë, Muzeun e Policisë, Poligonin e Qitjes, ambientet e mësimdhënies si dhe ambientet e stërvitjes.