Komunikimi Virtual

Me shume Informacion Rreth Nesh?

Sektori i Studimeve dhe Kërkimeve

 

Sektori i Studimeve dhe Kërkimeve (SSK) përgatit analiza strategjike, prognoza, studime shkencore në fushën e policimit dhe të sigurisë publike. Ky sektor kryen studime shkencore, projekte kërkimore në interes të përmbushjes së misionit të QKSH dhe Akademisë së Sigurisë dhe menaxhon veprimtarinë kërkimore e shkencore në përputhje me nevojat, vizionin dhe prioritetet strategjike të zhvillimit të Policisë Shtetit. SSK shpërndan rezultatet studimore në fushën e rendit dhe sigurisë nëpërmjet publikimeve, promovimeve studimore, diskutimeve në grupe specialistësh, seminare, simpoziume, konferenca, panele akademike etj, duke koordinuar punën studimore dhe kërkimore me njësitë bazë të Akademisë së Sigurisë dhe strukturat e tjera të Policisë së Shtetit.

Ai bashkëpunon në interes të projekteve kërkimore e shkencore me institucionet e tjera kërkimore të arsimit të lartë dhe agjencitë e sigurisë; garanton përmbushjen e standardeve akademike, etikën dhe normat e pranuara mbi pronësinë intelektuale të studimeve, projekteve kërkimore; bashkëpunon me departamentet dhe drejtoritë përkatëse në DPP për të pasur akses në të dhënat dhe materialet që gjykohen të nevojshme për kryerjen e studimeve shkencore, të kërkimeve dhe analizave, interpretimeve, prirjeve e parashikimeve të zhvillimeve të pritshme në fushën e policimit, për t’i vënë ato në dispozicion të nivelit vendimmarrës të policisë në përcaktimin e politikave kombëtare dhe lokale, si dhe në marrjen e vendimeve strategjike e operacionale për policinë.

SSK mbështet personelin akademik dhe studentët e Akademisë lidhur me hulumtimet dhe metodologjinë e hulumtimit shkencor. Ai menaxhon hartimin e projekt propozimeve dhe aplikimin për financimin e projekteve kërkimore shkencore në fushën e rendit dhe sigurisë publike dhe kontribuon në mësimdhënie mbi çështje të metodologjisë së kërkimit shkencor, në udhëheqje punimesh shkencore, recensa, oponenca të ciklit të dytë dhe të tretë, si pjesë e programeve dhe kurrikulave të Akademisë.