Drejtori i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Zoti Pëllumb Seferi ka lindur më 05.10.1971 në Kavajë dhe është banues në Tiranë që nga viti 2002. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Në vitet 1986-1990 ka kryer shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, Shqipëri. Në vitet 1990-1992 ka kryer akademinë ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, Shqipëri. Në 1992-1994 ka kryer akademinë ushtarake në Modena, Itali. Në 1994-1997 ka kryer shkollën e lartë të aplikimit në Torino, Itali (konvertuar në Akademinë e Policisë – Arben Zylyftari). Në vitet 1992-1997 ka mbaruar edhe Universitetin e Torinos, Itali, Fakulteti i Shkencave Politike, për Politikë Ndërkombëtare (diplomuar më 07.07.1997 në Torino, njohur edhe nga Ministria e Arsimit). Në vitin 2012 ka mbaruar Akademinë Kombëtare të FBI-së në Quantico në shtetin e Virxhinias, SHBA (konvertuar në Akademinë e Policisë – Arben Zylyftari). Në vitet 2010-2012 ka mbaruar Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë (Diplomë master në Marrëdhënie Ndërkombëtare).

Pas mbarimit të Universitetit në Itali, ai u kthye në Shqipëri dhe në vitin 1998 emërohet Shef i Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Në vitin 2000 është emëruar si Specialist i ZQK Interpol Tirana. Në vitin 2006 emërohet Shef i ZQK Interpol Tirana.

Në vitin 2012, pasi mbaroi Akademinë e FBI-së (Zyra Federale e Hetimeve) dhe konkursin  e organizuar nga Policia e Shtetit të Shqipërisë, për gradën Drejtues i Parë, ai fitoi gradën Drejtues i Parë dhe emërohet Drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës. Në vitin 2013 emërohet Specialist/Koordinator në Sektorin e Analizës dhe Studimeve Strategjike të Drejtorisë së Studimeve Strategjike. Në vitin 2014 emërohet Shef i Zyrës së Oficerëve Ndërlidhës dhe Sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar. Në vitin 2016 emërohet Shef i Sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Koordinimit dhe Përkthimit. Në vitin 2017 është emëruar si Shefi i ZQK Interpol Tirana. Në 2018 emërohet Drejtor i Kabinetit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe posti aktual, nga data 26 gusht 2020, është emëruar Drejtor i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (me gradën Drejtues i Lartë i Policisë).

Përveç arsimit të sipërpërmendur, ai ka përfunduar kurse të ndryshme profesionale, nga niveli i mesëm në atë strategjik në Shqipëri dhe në shtete të ndryshme si: SHBA, Hungari, Belgjikë, Poloni, Gjermani, Austri, Finlandë, Bullgari, Itali, Francë, Greqi, Turqi etj.

Gjatë karrierës së tij ai është vlerësuar me një sërë certifikatash nga Policia e Shtetit dhe në të njëjtën kohë nga partnerë ndërkombëtarë si: në tetor 2014, nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA (Byroja Federale e Hetimit), Drejtori i FBI James B. COMEY, me motivacionin “Për bashkëpunim të shkëlqyer me FBI në zhvillimin e përpjekjeve të ndërsjella kundër krimit në shkallë ndërkombëtare. Meqenëse aktiviteti kriminal tani kalon shumë kufij, agjencitë e zbatimit të ligjit në të gjithë botën duhet të zhvillojnë nivele të larta bashkëpunimi. Ju keni patur një rol të rëndësishëm në nxitjen e këtyre përpjekjeve dhe FBI është mirënjohës për kontributet tuaja vetëmohuese”.

Gjithashtu është vlerësuar nga Prokuroria e New York-ut për mbështetjen e dhënë për arrestimin e personave të kërkuar, nga Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it Z. Ronald NOBLE, etj.

Në të njëjtën kohë ai u vlerësua nga Policia e Shtetit Shqiptar me:

Certifikatë mbi Shërbimet e Dalluara “Për merita të veçanta, profesionalizëm dhe përkushtim në përmbushjen cilësore të detyrave dhe për kontributin e dhënë ndër vite, për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike, në Policinë e Shtetit”;

Certifikatë mbi Shërbimet e Dalluara, “Për merita të veçanta, profesionalizëm dhe përkushtim në përmbushjen cilësore të detyrave dhe për kontributin e dhënë ndër vite, për zhvillimin e vazhdueshëm të standardeve të policisë, në shërbim të Policisë së Shtetit”.

Z. Seferi mund të flasë rrjedhshëm italisht, anglisht dhe frëngjisht (mirë).