Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano

Z. Gledis Nano ka lindur në Shkodër, në vitin 1981. Është diplomuar në Akademinë e Policisë, ku i është dhënë titulli Specialist i Lartë i Policisë në vitin 2002. Po në këtë vit, ka filluar karrierën policore duke u emëruar fillimisht në Seksionin e Policisë Kriminale në Policinë e Korçës. Prej kësaj kohe, ka mbuluar detyra të ndryshme duke punuar në funksione të ndryshme në qytetet e Tiranës, të Vlorës dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në Drejtorinë e Antiterrorit.

Prej vitit 2016 deri në datën 06.10.2021, ka shërbyer në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Antiterrorit, duke mbajtur gradën policore Drejtues i Parë.

Ndër kualifikimet profesionale mund të përmenden përfundimi me sukses i Kursit të Sesionit të 268, në Akademinë Kombëtare të FBI-së, Quantico, Virginia, Washington DC, SHBA.

Medalja e Artë “Për rezultate të shkëlqyera në ndjekjen e studimeve në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit” Budapest, Hungari.

Ka përfunduar me sukses kurset me temë “Programi i Drejtuesve në Studimet e Avancuara të Sigurisë (LPASS)” dhe Programi mbi studimet e Terrorizmit dhe Sigurisë (PTSS)” në qendrën për Studimet e Sigurisë “George C. Marshall ”, Garmisch – Partenkirchen, Gjermani.

Përgjatë karrierës së tij ka marrë vlerësimet më të larta në institucionet shqiptare, përfaqësitë diplomatike të akredituara në Shqipëri, si dhe institucione arsimore jashtë vendit.

Ndër më kryesoret përmendim:

Medalja e Nderit, akorduar në vitin 2016, me motivacionin “Për shërbime të shquara dhe profesionalizëm të lartë të treguar në parandalimin, hetimin dhe ndjekjen penale të aktiviteteve terroriste në Shqipëri”;

Medalja për Trimëri, akorduar në vitin 2020, me motivacionin “Për kurajë e guxim në realizimin e misionit, për sigurimin e kushteve për lirimin nga kampet Al Hol dhe Roj, Siri, të shtetasve shqiptarë”;

Certifikatë Lavdërimi me motivacionin “Për Arritje të Shkëlqyera për sigurimin e informacioneve policore me vlerë për Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, si në raste të hetimit të terrorizmit, ashtu dhe në çështje të tjera me karakter policor. Përkushtimi dhe puna juaj e palodhur ka çuar lart emrin tuaj, atë të Drejtorisë së Antiterrorit, dhe të përpjekjeve tona të përbashkëta në luftën ndërkombëtare ndaj terrorizmit”, akorduar nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Sh. S. Yuri Kim.

Z. Nano është njohës shumë i mirë i gjuhës angleze, italiane dhe asaj turke.