DVP Vlorë – Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 41 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”, Vlorë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë referuan materialet në Prokurori, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. G., 29 vjeç, banues në Kosovë. Gjatë kontrollit në dhomën e hotelit ku po qëndronte ky shtetas, së bashku me shtetasen E. B., e cila rrëzua aksidentalisht nga ballkoni i këtij hoteli, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, një sasi lënde të dyshuar narkotike ekstazi dhe një peshore elektronike. Shtetasja E. B. ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

– B. A., 50 vjeç, banues në fshatin Panaja, Vlorë, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor Novosel-Panaja, duke drejtuar automjetin, ka aksidentuar një fëmijë 10 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën;

-A. K., 23 vjeç, banues në Sarandë, pasi u kap nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.