Informacion mbi ngjarjet, arrestimet, ndalimet dhe procedimet në 24 orët e fundit 20 Prill 2017

DORËZIMI I ARMËVE 1Drejtoria PPSH.1
Vijon masivisht dorëzimi vullnetar i armëve në të gjithë vendin.
Dorëzohen dhjetëra armë e municione.
Paralelisht me dorëzimin e armëve ka vijuar gjithashtu trokitja derë me derë nga Specialistët e Policisë së Zonave për të ndërgjegjësuar banorët për domosdoshmërinë e dorëzimit të armëve që mbajnë pa leje.


DREJTORIA E PERGJITHSHME PËR HETIMIN E KRIMIT TE ORGANIZUAR DHE KRIMET E RËNDA
DREJTORITË VENDORE TË POLICISË


Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Seksioni për narkotikët
Shpërndante lëndë narkotike në zona të ndryshme të Kryeqytetit, arrestohet në flagrancë nga Policia.
Sekuestrohen 308 gramë lëndë narkotike e dyshuar Kokainë
Më datë 19.04.2017, Specialistët e Seksionit për Narkotikët, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin:
K.L, 34 vjeç, banues në Tiranë.
Në bazë të informacioneve që disponoheshin, se ky shtetas shpërndante lëndë narkotike të llojit "Kokainë", në zona të ndryshme të Tiranës, nga Specialistët e Seksionit për Narkotikët është bërë e mundur kapja e tij në flagrancë, në afërsi të zonës së Kinostudios, ku në automjetin tip "Volkswagen", janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
308 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit Kokainë.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotike”, parashikuar nga Neni 283 i Kodit Penal.

Seksioni për krimet ndaj pronës
Më datë 19.04.2017, u ndalua shtetasi në kërkim R.V, vjeç 28, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale "Vjedhja me pasojë vdekjen" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive", në bashkëpunim”. Nenet 141, 280 e 25 të Kodit Penal.

Komisariati Rajonal i Policisë Rrugore
Më datë 18.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin P.H, vjeç 36, banues në Tiranë, pasi dyshohet se, në Qytet Studenti, u kap duke drejtuar pa leje drejtimi motorin tip “Yianxiang”. Neni 291i Kodit Penal.

Më datë 18.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasit E.U dhe I.D, vjeç 35 e 19, banues në Tiranë, pasi dyshohet se rreth orës 02:00, në rrugën “Ibrahim Rrugova”, shtetasi E.U, duke drejtuar në gjendje të dehur, mjetin tip “Smart”, është përplasur me mjetin tip “BMV”, të drejtuar nga shtetasi I.D, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Nenet 291 e 290 të Kodit Penal.

Më datë 18.04.2017, rreth orës 16:30, në rrugën “Abedin Rexha”, një mjet ka aksidentuar shtetasin e mitur, vjeç 7, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Nenet 290 e 273 të Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, u arrestua në flagrancë shtetasi E.H, vjeç 21, banues në Krujë, pasi, në rrugën  “Laknas”, u kap pa leje drejtimi, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”. Neni 291 i Kodit Penal.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Seksioni kundër krimit ekonomik e financiar
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për shtetasin A.D, vjeç 51, banues në Durrës, pasi dyshohet se, ky shtetas i ka marrë borxh një sasi lekësh shtetases M.A 29 vjeçe, banuese në Durrës dhe nuk i’a ka kthyer. Neni 143 i Kodit Penal.

Seksioni i hetimit të ngjarjeve në qarkullimin dhe AIS
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, për shtetasin Sh.C, vjeç 39, banues në  fshatin Zall, pasi dyshohet se rreth orës 12:00, në fshatin Tapizë, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, është përplasur me mjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin N.L, vjeç 40, banues Vau i Dejës, Shkodër, për pasojë janë dëmtuar dy drejtuesit, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve. Neni 290/1 i Kodit Penal.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Seksioni kundër krimit ekonomik e financiar
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për shtetasin G.Xh, vjeç 50, banues në Përrenjas, pasi dyshohet se në Përrenjas, me anë të mashtrimit, shtetasit H.F, vjeç 44, i ka vjedhur një sasi lekësh. Neni 143/2 i Kodit Penal.

Seksioni i hetimit të ngjarjeve në qarkullimin dhe AIS
Më datë 19.04.2017, u arrestua në flagrancë shtetasi J.T, vjeç 45, banues në fshatin Lleshan, pasi, në lagjen Shënkoll, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin  tip “Dongar”. Neni 291 të Kodit Penal.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Seksioni për narkotikët
Finalizohet me sukses operacioni antidrogë i koduar “KONTRATA”.
Sekuestrohen në total 160 KG lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva, 2 armë zjarri me municion, 1 armë gjahu, si dhe 3 aparatura lojëra fati.
Arrestohen në flagrancë 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.
Në vijim të informacionit paraprak datë 19.04.2017, i cili bën fjalë për gjetjen e një sasie lënde të dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva në fshatin Vithkuq, ju sqarojmë se:

Specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në kuadër të finalizimit të këtij operacioni bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve të mëposhtëm:
J.Q, 52 vjeç, banues në Vithkuq.
A.K, 26 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për vjedhje.
Arrestimi i tyre u bë pasi, në bazë të disa informacioneve të siguruara në rrugë policore si edhe gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e shtetasit J.Q(të cilin ia kishte lënë në përdorim me kontratë qeraje shtetasit A.K) në vendin e quajtur “Vaskat e Peshkut”, në afërsi të centralit elektrik në fshatin Vithkuq, konkretisht në pjesën e tavanit u gjetë një sasi prej :

23 KG me lëndë të dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva e vendosur në 10 (dhjetë) thasë plasmasi me ngjyrë të zezë.
Gjithashtu në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient tjetër bar-kafe në pronësi po të këtij shtetasi, në qendër të fshatit Vithkuq u gjetën:
3(tre) aparatura lojëra fati,
1(një) armë gjahu pa leje,
2(dy) pajisje grirëse për lëndë narkotike të llojit “Cannabis Sattiva”.

Strukturat e Policisë Korçë, kanë vijuar me kontrollin e territorit që mbulon kjo njësi administrative dhe kanë konstatuar e goditur edhe një rast tjetër të prodhimit e shitjes të lëndës narkotike e posedimit të armëve luftarake dhe e municionit.
Si rezultat i këtyre kontrolleve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit :
P.D, 31 vjeç, banues në fshatin Vithkuq.
Si edhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i tij, shtetasi :
A.H, 24 vjeç, banues në Fier.
Kjo pasi në banesën e shtetases P.D, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej:
137 KG lëndë narkotike e dyshuar si Cannabis Sattiva e vendosur në 15 thasë plasmasi me ngjyrë të zezë.
2 armë zjarri dhe municion luftarak.
1 (një) autoveturë tip kamionçinë e markës “Mitsubishi”.
Materialet hetimore në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve në bashkëpunim”, ”Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara”, të parashikuara nga nenet 283/2; 280; 198 të Kodit Penal.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Seksioni për trafikun e paligjshëm
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për shtetasit H.K dhe T.I, vjeç 42 e 32, banues në Berat e Llugaj, Tropojë, pasi dyshohet se kanë trafikuar mjetin tip “Benz”. Punohet për gjetjen e mjetit dhe kapjen e tyre. Neni 141/a i Kodit Penal.

Seksioni kundër krimit ekonomik e financiar
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për shtetasin F.A, vjeç 53, banues në fshatin Peshtan, pasi dyshohet se në këtë fshat, në lokal ushtronte aktivitet me status të pezulluar në organin tatimor. Neni 180 i Kodit Penal.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Seksioni për trafikun e paligjshëm
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier për shtetasin, K.P , vjeç 19, banues në Fier, pasi më datë 19.04.2017 ka bërë kallëzim shtetasja E.Xh vjeç 28, se ky shtetas e ka kërcënuar për motive të dobëta. Nenet 121/a i Kodit Penal.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Seksioni kundër krimit ekonomik e financiar
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, për shtetasen R.Rr, vjeç 50, banuese në Vlorë, pasi dyshohet se në periudhën 2013-2017, me anë të mashtrimit, shtetases D.H, vjeç 35, banuese në Vlorë, i ka falsifikuar firmën në disa fatura tatimore. Nenet 186, 143/d/g/h e 180 të Kodit Penal.

Seksioni i hetimit të ngjarjeve në qarkullimin dhe AIS
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, për shtetasin A.S, vjeç 61, banues në Vlorë, pasi dyshohet se, në rrugën “Gjergj Kastrioti”, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, ka aksidentuar shtetasin N.P, vjeç 58, banues në Vlorë, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Neni 290 i Kodit Penal.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Seksioni kundër krimeve ndaj personit
Më datë 19.04.2017, rreth orës 23.55, në Ishull Shëngjin, Lezhë, te banesa e tij, një person, ka plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasin A.M, vjeç 38, banues në Ishull-Shëngjin, i cili ndodhet në spitalin Lezhë, nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje u gjet dhe bllokua 1 gëzhojë model 54, kalibër 7.62 mm. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Nenet 88 dhe 278 të Kodit Penal.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Seksioni për narkotikët
Finalizohet me sukses operacioni i koduar "THE WAVE".
Arrestohen në flagrancë 3 shtetas.
Sekuestrohen 11 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva dhe 1 armë gjahu.
Nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe dhe me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, pas një hetimi të mirëfilltë policor 2 mujor u finalizua me sukses operacioni i koduar "The Wave", ku u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:
L.V, 33 vjeç, banues në Reç, Shkodër, i dyshuar se ka kryer veprën penale "Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike në bashkëpunim", parashikuar nga neni 283/2 e 25 i Kodit Penal.
L.V, 36 vjeç, banues në Reç, Shkodër, i dyshuar se ka kryer veprën penale "Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike në bashkëpunim", e parashikuar nga neni 283/2 e 25 të Kodit Penal.
H.S, 58 vjeç, lindur dhe banues në Qafë-Gradë, Malësi e Madhe, i dyshuar se ka kryer veprën penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive", parashikuar nga neni 280 i Kodit Penal.
Shtetasit e lartpërmendur u kapën në vendin e quajtur fshati Reç, konkretisht në parkimin e një lokali, ku në bagazhin e automjetit tip Lancia, në pronësi të shtetasit L.V, u gjetën dhe u sekuetruan në cilësinë e provës materiale 11 kg lëndë e narkotike e dyshuar si Cannabis Sattiva.
Gjithashtu gjatë kontrolleve të ushtruara në banesën e shtetasit H.S u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu Çifte, të cilën e mbante pa leje.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Kukës
Seksioni i hetimit të ngjarjeve në qarkullimin dhe AIS
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës, për shtetasin E.B, vjeç 62, banues në Tiranë, pasi dyshohet se, rrugën e Kombit, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen” ka dalë nga rruga, për pasojë është dëmtuar drejtuesi, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Neni 290 i Kodit Penal.

DREJTORIA E PERGJITHSHME PËR SIGURINË PUBLIKE

KOMISARIATET E POLICISË

Komisariati i Policisë Nr. 1
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasen Dh.M, vjeç 42, banuese në Tiranë, pasi dyshohet se më datë 18.04.2017, në rrugën “Mihal Grameno”, në banesën e saj, pa dëshirën e saj, ka mbajtur mirëmbajtësen e shtëpisë shtetasen F.B, vjeç 38, banuese në Tiranë. Neni 110 i Kodit Penal.

Në vijim të komunikatës, që bën fjalë për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, më datë 19.04.2017, u ndalua shtetasi në kërkim U.S, vjeç 39, banues në Kukës. Nenet 130/a e 99 të Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin E.Z, vjeç 18, banues në Domje, pasi dyshohet se, në afërsi të një shkolle ka goditur me grushte shtetasin A.M, vjeç 17, banues në Tiranë. Neni 90 i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin G.M, vjeç 40, banues në Tiranë, pasi dyshohet se, në rrugën “Mustafa Matohiti”, ka goditur me grushte shtetasen I.K, vjeç 53, banuese në Tiranë. Neni 89 i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin K.P, vjeç 26, banues në Tiranë, pasi dyshohet se, në rrugën e “Dibrës”, për shkak të detyrës nuk i është bindur duke e kanosur punonjësin e policisë rendit. Punohet për kapjen e tij. Neni 238 dhe 242 i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, u ndalua shtetasi në kërkim B.B, vjeç 30, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 2 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja”. Neni 134 i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin E.H, vjeç 22, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka përndjekur shtetasin E.S, vjeç 18, banues në Tiranë. Punohet për kapjen e tij. Neni 121/a i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Nr. 2
Më datë 19.04.2017, u plotësua kërkesë padia për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes së menjëhershëm për shtetasen D.A, vjeç 28, banuese në Tiranë, pasi dyshohet se bashkëshorti, shtetasi E.Z, vjeç 32, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj saj. Materialet u referuan në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ligji Nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Më datë 19.04.2017, u arrestua në flagrancë shtetasi L.K, vjeç 50, banues në Tiranë, pasi, në rrugën “Ndreko Rino”, ka goditur me sende të forta shtetasin A.Xh, vjeç 50, banues në Korçë. Shtetasi L.K ka bërë kallëzim të rremë në polici. Nenet 89 dhe 305 të Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Nr. 3
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin Ë.M, vjeç 56, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në rrugën “Eshref Frashëri”, ka kanosur shtetasin N.H, vjeç 71, banues në Tiranë. Punohet për kapjen e shtetasit Ë.M. Neni 84 i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, shtetasi M.K, vjeç 64, banues në Tiranë, ka bërë kallëzim se, në muajin prill 2016, i është larguar nga banesa bashkëshortja shtetasja S.K, vjeç 54. Punohet për gjetjen e saj. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Më datë 20.04.2017, u arrestuan në flagrancë shtetasit E.P, L.M dhe u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për shtetasin Xh.M, vjeç 15, 15 e 14, banues në Tiranë, pasi më datë 19.04.2017, në rrugën “Kastriotët”, u kapën duke vjedhur një antenë interneti në pronësi të shtetasit G.P. Neni 134/2 i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, në rrugën “Bon Bosko”, në banesë, ka vdekur shtetasja V.K, vjeç 37. Nga veprimet e kryera, rezultoi se vdekja ka ardhur si pasojë e konsumimit të fotoksinës. Materialet u referuan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Komisariati i Policisë Nr. 4
Më datë 19.04.2017, u arrestua në flagrancë shtetasi R.C, vjeç 19, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Fortuzi”, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, gjatë kontrollit iu gjet e sekuestrua 1 pistoletë tip “Ekol Special 99, kalibër 9 mm, pa leje. Neni 278 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Nr. 5
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin S.Zh, vjeç 30, banues në Kukës, pasi dyshohet se nëpërmjet telefonit ka kanosur shtetasin L.D, vjeç 28. Punohet për kapjen e shtetasit S.Zh. Nenet 84 dhe 275 të Kodit Penal.

Në vijim të komunikatës, që bën fjalë për veprën penale vjedhja, më datë 19.04.2017, u ndalua shtetasi në kërkim Sh.C, vjeç 32, banues në Bathore. Neni 134 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Nr. 6
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin J.L, vjeç 22, banues në Tiranë, pasi dyshohet se, në Unazën e Re,te një pallat, ka vjedhur në banesën e shtetasit S.Sh, vjeç 18, banues në Tiranë, ku ka marrë 1 lap-top, 1 orë dhe një sasi lekësh. Punohet për kapjen e shtetasit J.L. Neni 134 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Rrogozhinë
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë e punohet për kapjen e shtetasit S.T, vjeç 24, banues në Rrogozhinë, pasi dyshohet se në banesë, nënës shtetases V.T, vjeç 53, i ka marrë një bizhuteri dhe një celular. Neni 134/1 i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, shtetasja E.M, vjeç 27, banuese në Rrogozhinë, ka bërë kallëzim se, është larguar nga banesa gjyshi shtetasi N.M, vjeç 79, i sëmurë me sklerozë. Punohet për gjetjen e tij. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit  Gjyqësor Kavajë.

Komisariati i Policisë Durrës
Më datë 19.04.2017, u ndalua shtetasi në kërkim A.G vjeç 43, banues në Durrës, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, e ka dënuar me 20 ditë burg për veprën penale, “Vjedhje e energjisë elektrike”. Neni 137/1 i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, gjatë natës, në lagjen nr. 12, është vjedhur dyqani në pronësi të shtetasit F.B, vjeç 58,  banues në Durrës, ku kanë marrë mallra të ndryshme. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Neni 134 i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, u plotësua kërkesë padia për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasin S.T, vjeç 80, banues në Durrës, pasi dyshohet se djali shtetasi M.T, vjeç 51, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj tij. Materialet u referuan në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Më datë 19.04.2017, u plotësua kërkesë padia për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes së menjëhershme për  shtetasen N.T, vjeç 78, banuese në Durrës, pasi dyshohet se nusja e djalit shtetasja L.T, vjeç 40, banuese në Durrës, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet u referuan në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës e punohet për kapjen e shtetases E.A, vjeç 29, banuese në Lushnjë, pasi dyshohet se, në autostradën Durrës-Tiranë, shtetasit C.S, vjeç 50, banues në Itali, i ka thyer 3 xhama të makinës tip B.M.V. Neni 150 i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, rreth orës 19:40, në fshatin Katund i Ri, në katin e dytë të banesës, së shtetasit A.S, vjeç 60, ka rënë zjarr, ku janë djegur orenditë shtëpiake. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Informacion paraprak.

Komisariati i Policisë Krujë
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë, për shtetasin A.M, vjeç 45, banues në  Fushë Krujë, pasi dyshohet se, në Fushë Krujë, në tokën në pronësi të tij, ka ndërtuar një objekt, pa leje. Neni 199/a i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Shijak
Më datë 19.04.2017, gjatë natës, në fshatin Maminas, është vjedhur magazina në pronësi të shtetasit D.D. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Neni 134 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Elbasan
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për shtetasin B.K, vjeç 50, banues në fshatin Broshkë, pasi dyshohet se, në këtë fshat, u konstatua i ndërtuar një objekt pa leje. Neni 199/a i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, rreth orës 11:50, në lagjen “Shënkoll”, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit A.G, vjeç 43, ku janë djegur orenditë shtëpiake. Nga veprimet e kryera rezultoi, se zjarri ka rënë si pasojë e rrjedhjes së bombolës së gazit. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, si ngjarje aksidentale.

Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për shtetasin A.Ç, vjeç 36, banues në fshatin Shushicë, pasi dyshohet se në banesë, ka ndërtuar një objekt, pa leje. Neni 199/a i Kodit Penal.

Më datë 20.04.2017, shtetasi A.E, vjeç 38, banues në Elbasan, ka bërë kallëzim se, i është larguar nga banesa bashkëshortja shtetasja E.E, vjeç 35. Punohet për gjetjen e saj. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Komisariati i Policisë Cërrik
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, për shtetasin M.M, vjeç 19, banues në Cërrik, administrator në një lokal në Cërrik, pasi dyshohet se, në Cërrik, në një shkollë duke tregtuar sanduiça, janë  helmuar tre shtetas të mitur vjeç 16, banues në Cërrik, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Neni 288 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Librazhd
Më datë 19.04.2017, Specialistët për Krimet, në Stacionin e Policisë Prrenjas bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
F.Ç, 15 vjeç banues në fshatin Rrajcë Fushë,
A.R, 15 vjeç banues në fshatin Rrajcë Fushë.
Arrestimi i tyre u bë pasi më datë 18.04.2017 në fshatin Rrajcë Fushë dyshohen të kenë vjedhur një motorsekë dhe një sasi lekësh në banesën e shtetasit V.V, 59 vjeç. Sendi i vjedhur u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Gjatë hetimit rezultoi se këta shtetas më datë 16.04.2017 në Prrenjas dyshohen të kenë vjedhur banesën e shtetases M.M, 42 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja” parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal.
Komisariati i Policisë Pogradec
Më datë 19.04.2017, u arrestuan në flagrancë shtetasit R.M dhe F.Z, vjeç 38 e 35, banues në Elbasan, pasi, në qytet, në xhep, shtetasit R.Y, vjeç 61, i kanë vjedhur një sasi lekësh. Neni 134/2  i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017,  u arrestua në flagrancë shtetasi A.B, vjeç 43, banues në fshatin Kuturman, Librazhd, pasi, në lagjen nr. 1, për shkak të detyrës, ka kundërshtuar punonjësit e policisë së rendit. Neni 236/2 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Berat
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për shtetasen M.D, vjeç 30, banuese në Berat, pasi ish bashkëshorti shtetasi M.L, vjeç 39, kallëzon se ka braktisur fëmijën, vjeç 6. Neni 124 i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, u arrestua në flagrancë shtetasi Dh.K, vjeç 36, banues në Berat, pasi, në banesë ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes shtetases M.K, vjeç 29. Neni 130/a/4 i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, u plotësua kërkesë padia për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes së menjëhershëm, për shtetasen M.K, vjeç 29, banuese në Berat, pasi dyshohet se bashkëshorti Dh.K, vjeç 36, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet u referuan në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Berat. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, ‘’Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Komisariati i Policisë Ura Vajgurore
Më datë 19.04.2017, u plotësua kërkesë padia për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes së menjëhershme, për shtetasen E.T, vjeç 39, pasi dyshohet se bashkëshorti V.T, vjeç 43, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Berat. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës ne marrëdhëniet familjare”.

Më datë 20.04.2017, rreth orës 00:20, në fshatin Kutalli, duke fjetur në lokalin e tij, shtetasit E.Ç, dy persona të paidentifikuar, i kishin hedhur një mushama në kokë dhe nën kërcënimin e një armë i kanë marrë lekët e xhiros. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Informacion paraprak.

Komisariati i Policisë Kuçovë
Më datë 19.04.2017, gjatë natës, në fshatin Lumas, në oborrin e banesës, shtetasit A.K, vjeç 41, i kanë vjedhur motorin tip “Yinxiang”. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Neni 134 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Fier
Më datë 19.02.2017, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin N.M, 27 vjeç, banues në Fier.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në ambientet e punës në pikën e grumbullimit të materialeve plastike në pronësi të tij, nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, i është gjetur një armë zjarri pushkë model 56 dhe 24 copë fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak" parashikuar nga Neni 278 i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, gjatë natës, në fshatin  Ndrenie, në banesën e shtetasit, M.L, vjeç 57, ka rënë zjarr, ku janë djegur orenditë shtëpiake dhe disa kv vaj ulliri. Nga veprimet e kryera rezultoi, se zjarri ka rënë nga pakujdesia. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, për ngjarje aksidentale.

Më datë 19.04.2017, u referuan materialet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, për shtetasin K.P, vjeç 19, banues në Fier, pasi dyshohet se në lagjen “15 Tetori”, ka kërcënuar e përndjekur shtetasen E.Xh, vjeç 28, banuese Fier. Nenet 121/a i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Vlorë
Më datë 19.04.2017, gjatë natës, Selenicë, është vjedhur banesa e shtetasit shtetasit P.M, vjeç 51, ku kanë marrë 1 televizor dhe disa shishe me pije alkoolike. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Neni 134 i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, u plotësua kërkesë-padia, për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasen A.H, vjeç 46, banuese në Vlorë, pasi dyshohet se djali B.S, vjeç 33, banues në Vlorë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, ”Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Komisariati i Policisë Lezhë
Më  datë 19.04.2017, gjatë natës, në fshatin Balldre i Ri, në banesë shtetasit A.Gj, vjeç 32, i kanë vjedhur një sasi lekësh. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Neni 134 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Kurbin
Më  datë 19.04.2017, në Milot, para banesës, shtetasit B.H, vjeç 21, i kanë vjedhur mjetin tip “BMV”. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Neni 134 i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për shtetasit T.N, M.N, L.B dhe A.B, vjeç 48, 47, 37 e 44, banues në Barbullojë, pasi dyshohet se më datë 18.04.2017, kanë goditur me grushte njëri-tjetrin. Neni 90 i Kodit Penal.

Më datë 20.04.2017, rreth orës 01.10, në Milot, Kurbin, në oborrin e banesës, të shtetasit B.B, vjeç 53, në mjetin tip “Benz”, ka rënë zjarr, ku ka dëme materiale. Punohet për identifikimin e autorit. Neni 151 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Mirditë
Më datë 19.04.2017, rreth orës 16.30, në qytetin Rrëshen, në afërsi të banesës, tre persona të paidentifikuar kanë goditur me mjete të forta shtetasin P.B, vjeç 57, banues në Rrëshen, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nenet 89 dhe 25 të Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Shkodër
Në vijim të komunikatës datë 01.04.2017, që bën fjalë për kanosje e përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike, në bashkëpunim, më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për shtetasin D.B, vjeç 14, banues në Tiranë. Nenet 84 dhe 275 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Kukës
Më datë 19.04.2017, gjatë natës, në qytet, është vjedhur banesa e shtetasit S.Z, vjeç 65, ku kanë marrë një sasi lekësh. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Neni 134 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Mat
Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat, për shtetasen S.Ç, vjeç 57, banues në fshatin Xibër, pasi dyshohet se me datë 18.04.2017, në Xibër, për motive pronësie, ka kanosur shtetasen L.Ç, vjeç 41. Neni 84 i Kodit Penal.

DREJTORIA E PERGJITHSHME PER KUFIRIN&MIGRACIONIN

Komisariati i Kufirit&Migracionit Rinas
Interpol Tirana ekstradon një tjetër shtetas shqiptar të dënuar për vrasje.
Nga Specialistët e Interpol Tirana është bërë i mundur ekstradimi nga Italia drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar:
A.H, 42 vjeç, lindur në Gramsh.
Gjykata e Rrethit Gramsh me vendim nr.38, datë 09.07.2001, e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprën penale, "Vrasjes" dhe “Armëmbajtjes pa leje”, parashikuar nga neni 76 e 278/ 2 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. 
Ky shtetas më datë 06.08.1997 rreth orës 21.30 në qytetin e Gramshit pas një sherri për motive të dobëta ka vrarë me armë zjarri shtetasin G.B.
Pas bashkëpunimit me homologët e Interpol Romës, në vitin 2007 është bërë e mundur të lokalizohet në Itali, pasi ishte arrestuar nga autoritetet italiane për veprën penale të “Trafikut të Drogës”. I ekstraduari në PKK Rinas i'u dorëzua autoriteteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Më datë 19.04.2017, u transferua nga Norvegjia për vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit, shtetasi E.Z, vjeç 29, banues në Elbasan, i dënuar me 8 vjet 6 muaj burg për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike“. Kodit Penal Norvegjez.

Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin G.Ll, vjeç 27, banues në Kurbin, kthyer deportiv nga Gjermania, pasi dyshohet se më datë 30.01.2017, në afërsi të P.K.K, Bllatë, ka kaluar kufirin shtetëror në mënyrë të paligjshme. Neni 297 i Kodit Penal.

Më datë 19.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin E.L, vjeç 26, banues në Tiranë, kthyer deportiv nga Belgjika, pasi dyshohet se më datë 04.03.2017, në afërsi të Konispolit, ka kaluar kufirin shtetëror në mënyrë të paligjshme. Neni 297 i Kodit Penal.

Më datë 20.04.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin  A.K, vjeç 28, banues në Shkodër, pasi dyshohet se iu gjetën e bllokuan dy karta identiteti italiane, të falsifikuara. Neni 189 i Kodit Penal.

Drejtoritë Vendore për Kufirin&Migracionin Gjirokastër
Më datë 19.04.2017, në P.K.K, Kakavijë, u kap shtetasi në kërkim I.F, vjeç 35, banues në Berat, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, e ka dënuar me 1 muaj burg, për veprën penale "Mosdhënia e mjeteve për jetesë". Neni 125 i Kodit Penal.

Përmbledhje e rezultateve të arritura të punës të Strukturave të Policisë gjatë 24 orëve të fundit.
Policia e Shtetit në të gjithë vendin vijon zbatimin e masave të përcaktuara në Planin e masave, për “Rritjen e parametrave të sigurisë”, mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale, kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë, goditjen e trafikut të lëndëve narkotike e trafìqeve të paligjshme, parandalimin e aksidenteve rrugore”.

Në këtë kontekst, gjatë 24 –orëve në të gjithë vendin kanë funksionuar pika kontrolli dhe të lëvizshme, ku është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i 19 personave, është sekuestruar lëndë narkotike dhe armë zjarri.

Nga Policia Rrugore në të gjithë vendin duke përdorur Dragerat dhe Radarët janë arrestuar në flagrancë për drejtim mjeti në gjendje të dehur, pa leje drejtimi 2 drejtues mjetesh.

Nga kontrollet e kryera nga strukturat e Drejtorive Vendore të Policisë janë arrestuar 7 persona për narkotikët.
Janë kapur 7 persona për vjedhje, dhunë në familje dhe kundërshtim të punonjësit të policisë.
Eshtë arrestuar 1 person për krime ndaj personit dhe 2 persona për armëmbajtje pa leje.
6 persona në kërkim.
Janë sekuestruar rreth 172 kg lëndë e dyshuar Cannabis Sattiva, 6 armë zjarri dhe 24 fishekë.
Po gjatë kontrolleve janë shoqëruar për verifìkim 39 persona.
Gjatë 24-Orëve janë finalizuar me sukses Operacionet konkretisht:

Finalizohet me sukses Operacioni antidrogë i koduar “KONTRATA”.
Janë sekuestruar në total 160 KG lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva, 2 armë zjarri me municion, 1 armë gjahu, si dhe 3 aparatura lojëra fati.
Janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër.
Nga Specialistët e Seksionit kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë.

Finalizohet me sukses Operacioni i koduar "THE WAVE".
Janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas.
Janë sekuestruar 11 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva dhe 1 armë gjahu.
Nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe dhe me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Edhe në ditët në vijim do vijojë puna e Policisë së Shtetit për rritjen e parametrave të sigurisë në vend.

Arkiva

Prill 2017
He Ma Me En Pr Sh Di
27 28 29 30 31 1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30

Fushata Sensibilizuese

Video te tjera ...