Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako gjatë raportimit tek Kryeministri “Për punën e bërë në drejtim të parandalimit dhe goditjes së kultivimit dhe trafikimit të kanabisit".

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako gjatë raportimit tek Kryeministri “Për punën e bërë në drejtim të parandalimit dhe goditjes së kultivimit dhe trafikimit të kanabisit". (për video kliko mbi link). 18korrikcako001

I nderuar Zoti Kryeministër

Të nderuar pjesëmarrës

Policia e Shtetit krahas detyrave të tjera është angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj në realizimin e prioriteteve dhe objektivave kryesore të planit kombëtar të veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit 2017 – 2020.

Mund t'ju them me bindje të plotë se serioziteti i analizimit te situatës, vlerësimit të saj, gjetjes së rrugëve efikase të bashkëpunimit dhe goditjes në themel të kësaj paligjshmërie, do të bëjë që këtë vit të jemi në minimumin e këtij fenomeni.

Realizimi i prioriteteve të këtij plani është si më poshtë.
Kontrolli periodik i territorit në funksion të identifikimit të sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike nëpërmjet përqëndrimit të forcave dhe mjeteve policore në kontrollin e plotë të territorit në veçanti në fazën e kultivimit paraprak të fidanëve të bimëve narkotike në mjedise të mbyllura dhe në sipërfaqe të vogla në zonat malore.

Që në fillim të këtij viti, Policia e Shtetit, hartoi një plan të detajuar për kontrollin e territorit, për evidentimin dhe goditjen e fenomenit të sigurimit të farërave, kultivimit të fidanëve dhe bimëve narkotike, krahas kontrollit në sera diellore, tunele të braktisura, ish rezerva shtetërore dhe çdo ambient tjetër privat apo shtetëror, të mundshëm për përdorim nga grupet kriminale.

Është bërë ndarja e zonave të përgjegjësisë dhe krijimi i grupeve të monitorimit në nivel Qendror për 12 D.V.P-të, ku përgjegjës të këtyre grupeve kanë qenë Drejtorët Qendrorë dhe anëtarë të grupeve, shefa sektorësh dhe specialistë nga të gjitha strukturat vartëse në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtoritë Vendore të Policisë. Çdo punonjës policie mban përgjegjësi për një territor të caktuar".
Gjate këtij viti janë kryer gjithsej 101 696 kontrolle e rikontrolle ku janë përfshirë 40 023 punonjës policie, 9 637automjete policie, 135 540 orë shërbimi.
Është ndërtuar harta digjitale e sipërfaqeve të tokave dhe të pyjeve, kullotave, ku janë kultivuar bimë narkotike gjatë vitit 2016 ose potencialisht mund të kultivohen bimë narkotike gjatë vitit 2017.

E reja e këtij viti është krijimi dhe implementimi në rrjetin informatik të Policisë së Shtetit i sistemit elektronik “GIS - NARKOTIK”

Ky sistem siguron të dhëna të plota dhe na mundëson raporte të ndryshme analitike për 4 aktivitetet kryesore të Policisë:

Kontrolli i territorit;

Informacionet e dërguara nga institucionet e tjera ligjzbatuese.

Raportet e monitorimit ajror të Guardia di Financës.

Rastet e kultivimit të bimëve narkotike të identifikuara dhe ato të asgjësuara

Përfshirja e gjerë e publikut në procesin e informimit të kultivimit të bimëve narkotike nëpërmjet ndërgjegjësimit dhe krijimi i mundësive praktike për sigurimin e informacionit nga qytetarët ka qenë një nga prioritetet e Policisë së Shtetit.

Janë kryer gjithësej gjatë gjithë kohës në shkallë vendi rreth 1107 takime sensibilizuese dhe informuese në të gjitha grupët shoqërore.

Funksionojnë Task-Forcat vendore nën drejtimin e Prefektëve të Qarqeve. Janë bërë takime me drejtuesit e njësive administrative dhe deri tek kryetarët e fshatrave, të cilët kanë marë detyrimet e tyre ligjore per këtë proces. Janë njohur me sanksionet ligjore të gjitha njësitë dhe kryetarët dhe administratorët të cilët japin me qera toka publike pa verifikuar periodikisht personat dhe vendin e lëshuar me qera.

Për herë të parë gjatë këtij viti, u bënë takime dhe morën përgjegjësi edhe administratorët dhe drejtuesit teknikë të Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF) bashkë me gjithë punonjësit e tyre, duke nënshkruar formularin e vetëdeklarimit për moskultivim të bimëve narkotike nga ana e tyre dhe familjarëve të tyre.
Gjithashtu janë marë takime me administratorë të bizneseve private, për t'i ndërgjegjesuar në luften ndaj këtij fenomeni dhe njëkohësisht për të marë përgjegjësitë e tyre në territoret që ata kanë në administrim.

Përforcimi i kontrollit të integritetit dhe personalitetit të punonjësve te policisë të ngarkuar me detyra në fushën e parandalimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, nëpërmjet bashkëpunimit edhe kontrollit me Shërbimin për Çështje te Brendshme, Prokurorinë dhe SHISH-in, ka qenë gjithashtu një nga prioritetet e Policisë së Shtetit.

Punonjësi i Policisë duhet të jetë shembulli i sakrificës në kryerjen e detyrës dhe modeli prej të cilit do të duhet të marrin shembull që të gjithë.
Përgjatë kësaj periudhe janë hetuar disiplinarisht dhe verifikuar një numër i konsiderueshëm punonjësish Policie, të cilët janë konstatuar në moszbatim të detyrave dhe në shkelje të Rregullores së Policisë së Shtetit, konkretisht:

Janë hetuar dhe verifikuar gjithsej 51 punonjës policie, ku ndër ta nuk kanë munguar të arrestuarit, të përjashtuarit nga Policia (14), dhe një numër i konsiderueshëm i ndëshkuar me masa disiplinore.

Forcimi i kapaciteteve të njësive të specializuara për luftën kundër drogës nëpërmjet trajnimit e pajisjes së tyre me mjetet e nevojshme. Identifikimi i sipërfaqeve të mbjella nëpërmjet sigurimit të informacioneve nga të gjitha burimet policore, bashkëpunimit dhe koordinimit me institucionet e tjera shtetërore dhe partnerët, gjithashtu ka qenë prioritet.

E rëndësishme për Policinë e Shtetit këtë vit ka qenë informacioni policor, pasi nëpërmjet orientimit te burimeve të informacionit, policia ka ndërtuar punën e saj, ka kontrolluar persona me precedentë kriminalë, me tendenca të kultivimit dhe trafikimit dhe ka filluar hetime proaktive.

Gjatë kësaj periudhe në sistemin policor, janë administruar gjithsej 1844 informacione policore vetëm në drejtim të kultivimit të kanabisit.
Këtë vit në bashkëpunim me Policinë Italiane, monitorimi ajror filloi shumë herët dhe me kohëzgjatje më të madhe.

Nga ana e Policisë Shtetit u krijuan kushte që skuadra e Guardia di Finanza të instalojë “laboratorin e monitorimit” pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, që çdo e dhënë nga monitorimi të përpunohet dhe të jepet në kohë sa më reale.
Deri më datë 16.07.2017, janë kryer gjithsej 10 fluturime ajrore nga GdF dhe kanë ardhur gjithsej 7 Raporte Monitorimi Ajror.

Përparësi i është dhënë shkëmbimit dhe trajtimit të informacioneve me agjensitë e tjera ligjzbatuese si SHISH, SHÇBA, Prokurorinë, Agjensinë e Informacionit të Ushtrisë etj., të cilat janë administruar, verifikuar, ndjekur dhe kthyer përgjigje në kohën e duhur.

Goditja e aktivitetit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike, nëpërmjet zhvillimit të veprimeve operacionale për asgjësimin e bimëve narkotike dhe kryerjes së veprimeve proceduriale për dokumentimin ligjor dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, është finalizimi i punës së Policisë së Shtetit.

Gjate ketij viti janë evidentuar 147 vepra penale për kultivim të bimëve narkotike, janë identifikuar dhe asgjësuar 41 462 bimë narkotike, nga të cilat 28 947 të kultivuara që përbëjnë edhe objektin e punës së Policisë dhe pjesa tjetër e rimbirë ose e mbetur nga viti i kaluar

Gjithashtu, janë proceduar penalisht edhe 76 autorë (administratorë të Njësive administrative, kryetarë fshati dhe inspektorë të shërbimit pyjor), për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Mos kallëzim krimi"

Duke krahasuar të njëjtën periudhë midis dy viteve, për këtë vit ka 331 raste më pak dhe 725 749 bimë narkotike më pak se në vitin 2016.
Duke krahasuar numrin e bimëve te kultivuara që nga viti 1996 dhe duke pare ecurinë e kultivimit të bimëve narkotike gjate këtij viti, mund t'ju them se ky vit do të këtë numrin më ulët të bimëve narkotike, gjatë gjithë tranzicionit.

Duke vlerësuar situatën e kultivimit të bimëve narkotike gjatë kësaj periudhe rezulton se qarqet me risk më të lartë për sa i përket numrit të rasteve të kultivimit të bimëve narkotike janë evidentuar siç është Shkodra, Durrësi, Vlora dhe Fieri, ku është përqëndruar më shumë puna gjatë kontrollit dhe evidentimit.

Gjatë kësaj kohe puna e Policisë është përqëndruar edhe me evidentimin dhe goditjen e grupeve kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Janë goditur 60 grupe kriminale, të trafikut e shpërndarjes së lëndëve narkotike, me 313 autorë

Janë goditur 32 grupe kriminale më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2016.

Veprat penale të identifikuara / Çështjet e Referuara në Prokurori

Janë evidentuar 984 vepra penale në fushën e trafikimit të narkotikëve nga të cilat:

• 847 vepra penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”

• 116 vepra penale “trafikimi i narkotikëve “

• 21 vepra penale të tjera

Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar 57 ton e 809 kg, ose 24 herë më shumë se një vit më parë. Vetëm në dy operacionet e fundit në Vlorë dhe Kavajë janë sekuestruar rreth 17 ton marijuanë.

Janë referuar 99 hetime proaktive, të cilat ndiqen në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë dhe pranë Prokurorive të Rretheve Gjyqësore, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Trafikim i narkotikëve“, “Grup i strukturuar Kriminal”

Janë implikuar 1201 autorë, prej të cilëve 719 janë arrestuar, 396 proceduar në gjendje të lirë dhe 52 shpallur në kërkim

Vazhdon intensivisht nga te gjitha strukturat e policore puna për parandalimin e kultivimit, zbulimin, dokumetimin dhe goditjen e grupeve dhe organizatave kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike dhe çdo lloji trafikimi tjetër, por edhe objektivave të tjera të Policisë së Shtetit.

I nderuar Zoti Kryeministër:

Duke ju falënderuar për mbështetjen e dhënë ndaj Policisë së shtetit, më lejoni t'ju informoj se Policia e Shtetit është e fokusuar totalisht në realizimin me sukses të këtij misioni të rëndësishëm, në vlerësim të analizës së faktit të treguesve objektivë.

Sot mund të deklarojmë me bindje të plotë së jemi në një moment parandalimi dhe goditjeje historike të fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike, krahasuar me të gjitha vitet e tranzicionit.

Ju faleminderit.

18korrikcako001

18korrikcako002

18korrikcako003

18korrikcako004

18korrikcako005

Arkiva

Dhjetor 2017
He Ma Me En Pr Sh Di
27 28 29 30 1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31

Fushata Sensibilizuese

Video te tjera ...