Informacion mbi ngjarjet, arrestimet, ndalimet dhe procedimet në 24 orët e fundit 07 Maj 2018

DEPARTAMENTI I POLICISË KRIMINALE01drejtoria new
DREJTORITË VENDORE TË POLICISË

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Seksioni për hetimin e krimeve ndaj jetës
Tiranë
Informacion paraprak
Më datë 06.05.2018, rreth orës 15:00, në zonën e Unazës së Re, si pasojë e një konflikti të ndodhur jashtë një lokali, kanë mbetur të plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasi A. M., rreth 27 vjeç dhe e fejuara e tij, shtetasja K. K., rreth 23 vjeçe.
Shtetasit e dëmtuar janë transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka arrestuar autorët, shtetasit H. N., 23 vjeç, N. Sh., 23 vjeç dhe F. P., 25 vjeç.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 88, 25 dhe 279 të Kodit Penal.

Komisariati Rajonal i Policisë Rrugore
Më datë 06.05.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi E.I., vjeç 36, banues në Tiranë, pasi u kap duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Toyota”. Neni 291 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi D.K., vjeç 31, banues në Shijak pasi u kap duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Fiat”. Neni 291 i Kodit Penal.

Më datë 05.05.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi A.Sh., vjeç 47, banues në Tiranë, pasi në Kamëz, në bulevardin “Blu”, duke drejtuar mjetin tip ‘’Benz”, ka aksidentuar dhe është larguar nga vendi i ngjarjes shtetasen N.C., vjeçe 65, banuese në Tiranë, për pasojë ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Nenet 290 e 273 të Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin A.D., vjeç 27, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në rrugën “Ali Shefqeti”, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka aksidentuar këmbësorin B.P., vjeç 54, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Neni 290 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi E.Ç., vjeç 46, banues në Tiranë, pasi tek sheshi “Shqiponja”, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur, mjetin tip “Benz”. Neni 291 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin T.T., vjeç 36, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në rrugën “Ali Shefqeti”, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka aksidentuar këmbësorin S.C., vjeç 45, banues në Tiranë, i cili pasi ka marrë mjekimin, ka dalë nga spitali. Neni 290 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi F.P., vjeç 29, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Vangjel Noti”, në një lavazh, duke drejtuar mjetin tip “BMW”, është përplasur me mjetin e parkuar tip “Benz”, më pas është përplasur me mjetin e parkuar tip “Benz”, për pasojë janë aksidentuar këmbësorët L.Q., A.M., R.M., dhe A.L., vjeç 53, 52, 57 e 21, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve. Neni 290/2 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin F.H., vjeç 42, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në rrugën e vjetër Tiranë-Elbasan, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, është përplasur me mjetin tip “Ford”, me drejtues D.K., vjeç 27, banues në Tiranë, si pasojë ka mbetur e dëmtuar pasagjerja A.K., vjeçe 23, banuese në Tiranë, e cila pas mjekimit ndodhet në banesë. Neni 290 i Kodit Penal.

Informacion paraprak.
Më datë 06.05.2018, në Linzë, pranë një restoranti, mjeti me drejtues M.V., ka dalë nga rruga, për pasojë janë dëmtuar shtetaset E.M., dhe M.G., të cilat ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Seksioni për trafikun e paligjshëm
Port-Durrës.
Kontrollet intensive në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës godasin përsëri dhënien ndihmë për kalim të parregullt të kufirit dhe tentativat për kalim të parregullt në vendet e BE.
Gjatë procedurave të përbashkëta të Degës Doganore Durrës, Skanerit dhe kontrollit në vijën e dytë nga Policia Kufitare u konstatuan katër persona brenda një traileri.
Në vijim veprimet janë kryer nga Specialistët për Trafiqet në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës me arrestimin e dy shtetasve.
Më datë 06.05.2018, gjatë kontrollit të përbashkët të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës në brendësi të një mjeti, trailer janë konstatuar disa shtetas.
Në vijim janë vënë në dijeni edhe Specialistët e Doganës dhe Drejtorisë Vendore të Kufirit, të cilët gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip trailer, (i ngarkuar me makineri dhe konfeksione), me drejtues shtetasin M. M., kanë gjetur të fshehur 4 shtetas me qëllim për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, duke iu shmangur kontrollit kufitar.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore të kryera nga ana e Specialistëve për Trafiqet në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
•M.M., 24 vjeç , banues në Shijak, drejtuesi i mjetit tip trailer;
• A.H., 29 vjeç, banues në Durrës, i fshehur në trailer, me qëllim për të kaluar Kufirin në mënyrë të paligjshme.
Tre shtetasit e tjerë të gjetur në trailer ishin H.L. 32 vjeç, banues në Tiranë; V.M., 34 vjeç, banues në Mirditë dhe F.V., 28 vjeç, banues në Peshkopi.
Shtetasit e mësipërm janë persona me rekorde, si të parregullt në vendet e BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve" parashikuar në nenin 298 të Kodit Penal.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër
Seksioni për narkotikët
Tre Urat, Përmet
Policia Kufitare në Tre Urat Përmet ka goditur një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike.
Më datë 06.05.2018, punonjësit e Policisë Kufitare Përmet, në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
-R.B., 20 vjeç, banues në Shijak,
-K.R., 23 vjeç banues në Durrës,
Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në Pikën e Kalimit Kufitar Tre Urat, Përmet, në dalje, shërbimet e Policisë Kufitare gjatë kontrollit në automjetin në pronësi të shtetasit R.B., gjetën e bllokuan në cilësinë e provës materiale 43 kilogramë e 409 gramë lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa.
Gjithashtu u bë sekuestrimi i mjetit me të cilin po bënin transportin.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Trafikimi i narkotikëve" e kryer në bashkëpunim.

DEPARTAMENTI PËR SIGURINË PUBLIKE
KOMISARIATET E POLICISË

Komisariati i Policisë Nr. 1
Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasen E.K., vjeç 34, banuese në Tiranë, pasi dyshohet se ka kundërshtuar vendimin e gjykatës, duke mos i dalë në takim për t'i dhënë vajzën, ish-bashkëshortit shtetasit L.T., vjeç 37. Neni 321 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Nr. 2
Më datë 06.05.2018, gjatë natës, në rrugën “Haxhi Isuf Banka”, kanë tentuar të vjedhin banesën e shtetasit Xh.P., vjeç 20. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Nenet 134 e 22 të Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasit K.M., dhe E.H., vjeç 23 e 23, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në rrugën “Frederik Shiroka”, tek ish “Fusha e Zezë”, në bashkëpunim, kanë goditur me grushte shtetasin A.K., vjeç 26, banues në Tiranë. Punohet për kapjen e K.M., e E.M. Neni 90 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin J.H., vjeç 25, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në rrugën “Irfan Tomini”, në lokal u kap duke kryer punime pa leje. Neni 199/a/1 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Nr. 3
Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin M.A., vjeç 65, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në rrugën “Azem Galica”, ka hedhur disa grumbuj me gurë dhe asfalti, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve, me pretendimin se i kanë zënë derën e banesës. Neni 293 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin Sh.S., vjeç 48, banues në Tiranë, i dënuar, pasi dyshohet se në bulevardin “Zogu i Parë”, në një agjenci udhëtimesh, me anë të mashtrimit, i ka dhënë 2 bileta për në Kinë, shtetasit kinez Ch.Ë., vjeç 34, banues në Tiranë. Punohet për kapjen e Sh.S. Neni 143 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasen R.K., vjeçe 44, banuese në Tiranë, pasi dyshohet se në rrugën “Ibrahim Rrugova”, në ambientet e një argjendarie, i ka vjedhur çantën shtetasit B.Ç., vjeç 28, banues në Tiranë. Neni 134 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, shtetasi N.P., vjeç 81, banues në Tiranë, kallëzon se, në rrugën “Islam Alla”, në banesë, i kanë vjedhur një sasi lekësh. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Neni 134 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Nr. 4
Më datë 06.05.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi B.T., vjeç 31, banues në Tiranë, pasi në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes V.T, vjeçe 31. Neni 130/a i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin J.M., vjeç 64, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në rrugën “Myslym Keta”, në banesë, u kap duke kryer punime pa leje. Neni 199/a i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, gjatë natës, në rrugën “Ymer Sallaku”, është vjedhur banesa e shtetasit J.B., vjeç 62, ku kanë marrë disa rroba dhe bizhuteri. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Neni 134 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Nr. 5
Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin J.C., vjeç 20, banues në Tiranë, pasi dyshohet se gjatë natës, në Babrru, ka vjedhur banesën e shtetases R.K., vjeçe 34, banuese në Tiranë, ku ka marrë 1 telefon celular, 1 unazë floriri, kartën e identitetit dhe patentën. Punohet kapjen e J.C. Neni 134 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, në Bathore, në banesë, shtetasi i mitur A.I, vjeç 14, aksidentalisht ka pirë ilaç helmues nga një shishe duke e ngatërruar me ujë, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin M.T., vjeç 28, banues në Valias, pasi dyshohet se në Valias, ka goditur me grusht, shtetasin S.G., vjeç 27, banues në Valias. Neni 89 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Nr. 6
Më datë 06.05.2018, gjatë natës, në rrugën “Ardeno”, pranë banesës, shtetasit E.S., vjeç 24, i kanë vjedhur disa palë syze dielli dhe 1 varëse floriri, në mjetin tip “Porche”. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Neni 134 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, shtetasi B.B., vjeç 54, banues në Tiranë, kallëzon se, në rrugën “Shaban Bardhoshi”, në banesë, djali Xh.B., vjeç 27, i ka marrë një sasi lekësh. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vlerësim.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin B.K., vjeç 26, banues në Domje, pasi dyshohet se në Unazë të Re, në rrugën “Tom Plezha”, për shkak të detyrës, nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë së rendit. Neni 242 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin K.Xh., vjeç 49, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në rrugën “Llambi Bonata”, në një lokal bar kafe, ka goditur me grushte kushëririn B.Xh., vjeç 51, banues në Tiranë. Neni 130/a/1 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, në rrugën “Sokrat Mosko”, në banesë, është vetëvrarë me armë gjahu teke, shtetasi E.B., vjeç 69. Në cilësinë e provës u bllokua arma e gjahut e ndryshkur dhe 1 gëzhojë. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për vlerësim.

Komisariati i Policisë Vorë
Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin K.S., vjeç 23, banues në Tiranë, pasi dyshohet se në autostradën Durrës-Tiranë, pranë një karburanti, për shkak të detyrës, ka kundërshtuar punonjësit e policisë rendit. Neni 236/1 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Kavajë
Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për shtetasin E.P., vjeç 71, banues në Durrës, pasi dyshohet se në Golem, ka goditur me grushte shtetasin S.Ll., vjeç 29, banues në Kavajë. Neni 90 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Durrës
Më datë 06.05.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi H.H., vjeç 59, banues në fshatin Perlat, pasi më datë 05.05.2018, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes shtetases F.H., vjeçe 43, e cila ndodhet në spital në kujdesin e mjekëve. Neni 130/a i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë  Durrës, për shtetasit D.D., dhe E.D., vjeç 39 e 18, banues në Durrës, pasi dyshohet se në lagjen nr. 14/1, kanë goditur me sende të forta njëri-tjetrin.  Neni 90 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u arrestua në flagrancë  shtetasi A.D., vjeç 55, banues në Durrës, pasi te Ura Dajlanit, u kap duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin  tip “Tajota”. Neni 291  i Kodit Penal.

Më datë 07.05.2018, u arrestua në flagrancë  shtetasi  V.T., vjeç 37, banues në Durrës, pasi më datë 06.05.2018, në  lagjen  nr. 13,  u kap duke drejtuar në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi mjetin  tip “Opel”. Neni 291  i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Krujë
Informacion paraprak.
Më datë 06.05.2018, në Krujë, në një hotel ka vdekur shtetasi francez B.B., vjeç 59, banues në Francë. Nga hetimet paraprake dyshohet vdekje natyrale. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Më datë 06.05.2018 u arrestua në flagrancë shtetasi B.Sh., 49 vjeç, banues në Thumanë dhe u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë (për shkak të moshës) për shtetasin R. Sh. 78 vjeç, banues në Thumanë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit B.Sh., iu gjetën e bllokuan një pushkë model 56, kalibër 7.62 mm dhe dy krehra dhe 300 fishekë. Ndërsa shtetasit R.Sh., iu gjet një pushkë model 56, kalibër 7.62 mm.
Neni 278/2 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Shijak
Më datë 06.05.2018, gjatë natës, në lagjen Popullore, është vjedhur dyqani në pronësi të shtetasit F.K., vjeç 42, banues në Shijak, ku kanë marrë një sasi lekësh. Punohet për identifikimin e kapjen e autorit. Neni 134 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, në spital ka vdekur shtetasja Xh.R., vjeçe 79, banuese në Shijak, pasi dyshohet se më datë 04.06.2018, si pasojë  e një zjarri të shkaktuar nga bombola e gazit, aksidentalisht është djegur në banesën e saj,. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, si ngjarje aksidentale.

Komisariati i Policisë Elbasan
Më datë 07.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për shtetasit F.S., E.P., R.N., dhe B.Z., vjeç 17, 18, 17 e 18, banues në Elbasan, pasi dyshohet se më datë 06.05.2018, në lagjen “Visarion Xhuvani”, në lokalin me qira, kanë goditur me sende të forta shtetasin  B.R., vjeç 23, banues në Elbasan, si dhe kanë thyer edhe xhamin e frigoriferit. Nenet 89, 274 e 161 të Kodit Penal.

Elbasan
Më datë 06.05.2018, rreth orës  23:00, në lagjen "Visarion Xhuvani", është tentuar të digjet mjeti "Benz", në pronësi të shtetasit E.Ç., 33 vjeç, banues në lagjen "28 Nëntori", Elbasan.
Pronari i mjetit ndodhej në një lokal dhe kur ka parë mjetin që po merrte flakë ka ndërhyrë menjëherë së bashku me shokët e tij ku dhe kanë shuar zjarrin në kohë pa u dëmtuar mjeti.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ku po punon për sqarimin e plotë të rrethanave si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit, pasi dyshohet se kemi të bëjmë me një tentativë zjarrvënie të qëllimshme.

Komisariati i Policisë Cërrik
Shtetasi G.S, 61 vjeç, banues në Elbasan ka njoftuar Policinë se i është vjedhur farmacia që kishte me qira. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor ku ka konstatuar se ishin marrë 3 kuti me ilaçe të ndryshme. Gjatë veprimeve të kryera nga Policia të trija kutitë me ilaçe janë gjetur rreth 300 m larg farmacisë dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Po nga veprimet e para hetimore rezulton se nga kutitë nuk është vjedhur asnjë ilaç si dhe në farmaci nuk është vjedhur asnjë send tjetër. Vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorit.

Komisariati i Policisë Librazhd
Librazhd
Më datë 06.05.2018, në fshatin "Zabuzun" Njësia Administrative Steblevë, Librazhd, shtetasi B.Gj., 23 vjeç, banues në fshatin Zabuzun, duke vënë një mullar bari aksidentalisht është rrëzuar.
Menjëherë është transportuar për në spitalin e Librazhdit, po për shkak të dëmtimeve që ka marrë ka ndërruar jetë.

Komisariati i Policisë Korçë
Më datë 06.05.2018, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasin A.S., vjeç 52, banuese në Korçë, pasi dyshohet se bashkëshorti F.S., vjeç 52, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj tij. Materialet i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Më datë 06.05.2018, në lagjen nr 17, disa shtetas të paidentifikuar kanë plagosur lehtë me sende të forta, shtetasin V.A, vjeç 22, banues në Korçë. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Nenet 89 e 25 të Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Maliq
Specialistët e Seksionit për Policinë Rrugore, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit:
I.S., 42 vjeç, banues në fshatin Pirg.
Arrestimi i tij u bë pasi, pranë fshatit Velitërnë ky shtetas u kap duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Benz”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Pogradec
Më datë 06.05.2018,  u referuan materialet Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë  Pogradec,  për shtetasin R.Th., vjeç 36, banues në Pogradec, pasi dyshohet se në lagjen nr. 3, ka goditur me sende të forta shtetasin F.M., vjeç 59, banues në Pogradec. Neni 89 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, në lumin e fshatit Sllabinjë, aksidentalisht ka rënë lumë dhe është mbytur pa shenja dhune shtetasi B.J., vjeç 55, banues në fshatin Jollë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec,  për ngjarje aksidentale.

Komisariati i Policisë Berat
Më datë 06.05.2018, u plotësua kërkesë padia për lëshimit e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm për shtetasen S.Sh., vjeçe 54, banuese në Berat, pasi dyshohet se djali E.Sh., vjeç 30, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat. Ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006. “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat dhe punohet për kapjen e shtetasit B.B., vjeç 34, banues në Berat, pasi dyshohet se në mjediset e banesës e jashtë saj, ka ushtruar dhunë fizike, ndaj bashkëjetueses, shtetases R.B., vjeçe 18. Njëkohësisht ndaj saj, u përgatit kërkesë-padia, për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”. Nenet 130/a e 4 të Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Fier
Më datë 06.05.2018, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm për shtetasen E.H., vjeçe 37, banuese në Fier, pasi dyshohet se bashkëshorti A.H., vjeç 39, banues në fshatin Hamil, ushtron dhunë e psikologjike ndaj saj. Materialet kaluan pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për shtetasin G.S., vjeç 34, banues në fshatin Mbyet Fier, pasi dyshohet se më datë 03.05.2018, në lagjen “Apollonia”, ka kanosur dhe goditur me sende të forta shtetasin Q.H., vjeç 25, banues në fshatin Mbyet. Nenet 84 e 90 të Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Lushnje
Më datë 06.05.2018, në fshatin Stan Karbunarë, në banesën e shtetasit Th.B., vjeç 58, ka rënë zjarr, ku ka pasur dëme materiale. Nga veprimet e kryera rezultoi, se zjarri ka rënë nga pakujdesia, pasi është harruar ndezur furnela e gazit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnje, për vlerësim.

Komisariati i Policisë Vlorë
Më datë 06.05.2018, u ndalua shtetasi B.Ç., vjeç 29, banues në Orikum, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Vlorë, për shtetasin Xh.P., vjeç 18, banues ne fshatin Xhyherin, pasi dyshohet se në rrugën “Gjergj Kastrioti”, u kap duke drejtuar pa leje drejtimi motorin “Lifan”. Neni 291 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi E.K., vjeç 19, banues në Durrës, pasi në lagjen “Kushtrimi“, u kap duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin tip “Volkswagen”. Neni 291 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u plotësua kërkesëpadia, për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, për shtetasen L.M., vjeçe 28, banuese në Vlorë, pasi dyshohet se vëllai K.M., vjeç 25, banues në Vlorë, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006. “Për masa ndaj dhunës ne marrëdhëniet familjare”.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për shtetasen R.S., vjeçe 35, banuese në Vlorë, pasi dyshohet se në lagjen “28 Nëntori”, ka dëmtuar derën e lokalit në pronësi të shtetasit S.S., vjeç 48, banues në Vlorë, me pretendimin se është pronë e saj. Nenet 150 e 321 të Kodit Penal.

Llogara.
Pas 9 orë kërkimesh në pyllin e Llogarasë, rreth orës 01.35 të datës 07.05.2018 është gjetur në gjendje shëndetësore të mirë shtetasja austriake A,W., 45 vjeçe, e cila kishte ardhur si turiste në këtë zonë.
Gjatë kërkimit kanë marrë pjesë rreth 20 forca policore, si dhe 15 shtetas nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura dhe banorët e zonës.
Shtetases A.W., iu dha ndihma e parë mjekësore dhe aktualisht ndodhet në gjendje shumë të mirë shëndetësore.
Ajo falënderoi Policinë e Vlorës si dhe të gjithë ata që u angazhuan në operacionin e kërkim-shpëtimit të saj.

Informacion paraprak.
Më datë 07.05.2018, në Selenicë, në lagjen “Partizani”, si pasojë e rrjedhjes së gazit nga një bombol gazi në banesën e shtetases P.Rr., vjeç 66, është shkaktuar rënie zjarri ku është dëmtuar dera e banesës dhe një divan. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Komisariati i Policisë Himarë
Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë, për shtetasen A.R., vjeçe 48, banuese në Tiranë, inxhiniere pranë një firme, pasi dyshohet se në Dhërmi, është konstatuar se ka bërë rikonstruksionin e fjetores, pa leje. Neni 199/a/1 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, gjatë natës, në Himarë, në vendin e quajtur “Livadh”, shtetasit K.M., vjeç 35, pushues, i kanë vjedhur sendet personale. Punohet për identifikimin e kapjen e autorit. Neni 134 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë, për shtetasit F.P., dhe F.P., vjeç 59 e 37, banues në Borsh, pasi dyshohet se në Borsh, në Shkallë, kanë goditur me grushte shtetasin A.P., vjeç 36, banues Borsh. Nenet 90 e 25 të Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Sarandë
Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për shtetasen A.P., vjeçe  29, banuese në Sarandë, pasi dyshohet se në Ksamil, në vendin e quajtur “Manastir”, duke drejtuar mjetin tip “Daimler Crhyser”,  ka dalë nga rruga dhe për pasojë janë dëmtuar pasagjeret Z.D., dhe K.P., vjeçe 20 e 4, banuese në Sarandë, të cilat ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Neni 290 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, në fshatin Berdenesh, në banesën e shtetases K.D., vjeçe 48, shtetasi K.V., vjeç 58, banues në Tiranë, duke punuar me troko, iu thye disku fresibël dhe si pasojë u dëmtua në të dy duart dhe në këmbën e majtë, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për ngjarje aksidentale.

Komisariati i Policisë Përmet
Përmet.
Më datë 06.05.2018, rreth orës 17:00, në shtratin e lumit Vjosë pranë fshatit Kanikol, të Njësisë Administrative Çarshovë, është gjetur një skelet i pjesshëm i një shtetasi të paidentifikuar, (kafka dhe gjymtyrët e poshtëm si dhe disa tesha).
Ky shtetas dyshohet të jetë mbytur në lumin Vjosë para disa muajsh në Greqi.
Nga teshat e gjetura dyshohet të jetë shtetas nga vendet e treta.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet.

Këlcyrë, Përmet
Më datë 06.05.2018, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
D.E., 32 vjeç, banues në fshatin Mërtinjë, Këlcyrë.
Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas për motive të dobëta ka kanosur me fjalë dhe më pas u ka hedhur në oborrin e banesës disa fishekë luftarakë shtetasve D.K., 80 vjeç banues në Mërtinjë dhe D.K., 64 vjeç banues në Mërtinjë, Këlcyrë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Kanosja" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit", parashikuar nga nenet 84 & 278 të Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Lezhë
Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për shtetasin F.Gj.,  vjeç 79, banues në Kallmet, Lezhë, pasi dyshohet se në Kallmet, te banesa, ka kanosur me fjalë shtetasin L.Gj., vjeç 38, banues në Kallmet, Lezhë. Neni 84 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për shtetasin E.M., vjeç 17, banues në Laç, Kurbin, pasi dyshohet se në rrugën e Kunes, Shëngjin, është kapur duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin tip “Opel Corsa”. Neni 291 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Kurbin
Kurbin
Tentojnë të vjedhin gjatë natës një ofiçinë, kapen në flagrancë nga policia 3 autorët e dyshuar në momentin që po transportonin mallin e vjedhur për në makinën e tyre.
U sekuestrohen materialet që po tentonin të vidhnin.
Vërtetohet autorësia e një vjedhje tjetër të kryer ditë më parë nga njëri prej shtetasve të proceduar.
Më datë 06.05.2018, nga specialistët e Seksionit për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin, u arrestua në flagrancë shtetasi:
- A.M., 29 vjeç, banues në Kurbin
U referuan materialet për fillimin e procedimit penal në gjendje të lirë për shtetasit A.Ll., 16 vjeç dhe R.P., 16 vjeç, banues në Laç.
Procedimi penal ndaj tyre është referuar pasi, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri -tjetrin kanë tentuar të vjedhin ofiçinën e shtetasit L.K., në Laç, ku janë kapur në flagrancë nga forcat policore në momentin që po transportonin materialet për në automjetin e tyre.
Shtetasi A.M., dhe shtetasi R.P., janë kapur në flagrancë, kurse shtetasi A.Ll., ka arritur të largohet por falë një pune të mirëorganizuar nga forcat policore, u kap më pas.
Në cilësinë e provës materiale, u janë sekuestruar materiale si elektromotorë, dinamo etj., që po tentonin t'i vidhnin tek ofiçina si dhe mjeti tip 'Benz' që e përdornin autorët.
Gjithashtu, po gjatë natës, këta shtetas në bashkëpunim me njëri- tjetrin, kanë tentuar të vjedhin lokalin e shtetasit M.D., në Laç ku kanë thyer vetëm një xham.
Nga veprimet hetimore të kryera, është vërtetuar edhe autorësia e një vjedhje tjetër të ndodhur më datë 20.03.2018, të shtëpisë së shtetasit L.D., banues në Laç, ku janë marrë një televizor plazma si dhe disa vegla pune. Autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje është shtetasi A.Ll.,16 vjeç.
Veprat penale në ngarkim të tyre "Vjedhje, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë" parashikuar nga nenet 134 -25-22 të Kodit Penal.
Materialet procedurale në ngarkim të tyre u referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.

Komisariati i Policisë Vau Dejës
Më datë 06.05.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi V.R., vjeç 34, banues në fshatin Bushkash, Burrel, pasi në fshatin Sumëz, ka tentuar t'i vjedhë një mjet bujqësor frezë, shtetasit Rr.Gj., vjeç 52, banues në Bushat. Nenet 134 e 22 të Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, u ndalua shtetasi në kërkim L.V., vjeç 36, banues në fshatin Melgushë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale "Vjedhja". Neni 134/1 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Malësi e Madhe
Më datë 06.05.2018, në fshatin Drogovoj, në banesën e pabanuar të shtetasit A.B., vjeç 49, ka rënë zjarr, ku është djegur pjesërisht banesa. Nga veprimet e kryera rezultoi, se zjarri ka rënë nga një rrufe. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për ngjarje aksidentale.

Më datë 06.05.2018, në spitalin rajonal Shkodër, është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi A.B., vjeç 29, banues në fshatin Baqel. Nga veprimet e kryera rezulton se, në lokalin e tij, gabimisht ka pirë acid i cili pasi mori ndihën në spital u largua për në banesë, jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për ngjarje aksidentale.

Komisariati i Policisë Kukës
Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për shtetasin A.K., vjeç 75, banues në fshatin Ujmisht, pasi dyshohet se nëpërmjet telefonit, ka bërë njoftim të rremë në polici. Neni 272 i Kodit Penal.

Komisariati i Policisë Dibër
Më datë 06.05.2018, rrugës për në spital, ka vdekur shtetasi A.F., vjeç 21, banues në Muhur. Nga veprimet rezultoi se vdekja ka qenë natyrale. Materialet u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër.

Komisariati i Policisë Mat
Më datë 06.05.2018, në Burrel, në qytet, në banesën e shtetasit A.K., vjeç 56, gjatë gatimit i ka shpërthyer bombola e gazit e cila ka shkaktuar dëme materiale. Materialet u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat, për ngjarje aksidentale.

DEPARTAMENTI PER KUFIRIN DHE MIGRACIONIN

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Tiranë
Më datë 06.05.2018, pranë DVKM Tiranë janë paraqitur 8 shtetas të huaj imigrant të paligjshëm. Në përfundim të procedurave të përzgjedhjes, shtetasit kërkuan azil në R.Sh dhe u dërguan në QKPA Babrru, Tiranë.

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës
Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për shtetasin E.J., vjeç 29, banues në Elbasan, pasi dyshohet se automjeti tip BMW, pa targa, ka rezultuar i vjedhur në Itali, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Neni 141/a  i Kodit Penal.

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë
Qafë-Thanë
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë-Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim:
M.O., 30 vjeç, banues në fshatin Blacë-Pogradec.
Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec me vendim penal nr. 297-129 të datës 26.03.2018, e ka dënuar këtë shtetas me 1 muaj burg për veprën penale ''Vjedhja'' parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

Më datë 06.05.2018, në PKK Qafë Thanë, në dalje, u ndalua shtetasi K.M, 22 vjeç, banues në Tiranë, drejtues i mjetit tip “BMW”, si edhe u referuan materialet pranë Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Tiranë ndaj këtij të fundit, për veprën penale "Falsifikimi i monedhave" parashikuar nga neni 183 i Kodit Penal.

Komisariati i Kufirit dhe Migracionit Sarandë
Më datë 06.05.2018, në Konispol, në vendin ''Ura e Hekurt'',  kanë kapur 8 shtetas të huaj, me shtetësi somaleze, imigrantë të paligjshëm. Në përfundim të procedurave të përzgjedhjes, shtetasit kërkuan azil në R.Sh dhe u dërguan në Q.K.P, të Azilkërkuesve në Babrru, Tiranë.

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër
Më datë 06.05.2018, në afërsi të S.P.K.M, në bregun e lumit u kapën 24 shtetas të huaj, imigrantë të paligjshëm. Në përfundim të procedurave të përzgjedhjes, shtetasit kërkuan azil në R.Sh, e u dërguan në Q.K.P. të Azilkërkuesve Babrru, Tiranë.

Më datë 06.05.2018, u arrestuan në flagrancë shtetasit R.B. dhe K.R, 20 e 23 vjeç, banues në Durrës e Shijak, pasi në mjetin tip “Benz”, me të cilën udhëtonin, u gjetën e bllokuan në cilësinë e provës materiale 43 kilogramë e 409 gramë lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa. Neni 283/a i Kodit Penal.

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës
Më datë 06.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për shtetasin V.M., vjeç 33, banues Kodër Kamëz, Tiranë, pasi dyshohet se në afërsi të PKK Morinë, ka kaluar kufirin shtetëror në mënyrë të paligjshme. Neni 297 i Kodit Penal.

Arkiva

Maj 2018
He Ma Me En Pr Sh Di
30 1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31 1 2 3