Projekti Pameca V organizoi dhe mbështeti vizitën studimore në Itali të delegacionit të Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit.
Projekti Pameca V organizoi dhe mbështeti vizitën studimore në Itali të delegacionit të Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit.
Një delegacion nga Departamenti për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit, zhvilloi një vizitë studimore për “Planifikimin dhe menaxhimin e rendit publik për ngjarje të mëdha dhe të veçanta”, në strukturat e Policisë së Shtetit të Italisë, me qëllim shkëmbimin dhe marrjen e eksperiencave më të mira në këtë fushë.
Në vizitën studimore në Itali, delegacioni i Policisë së Shtetit, kryesohej nga Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik Drejtues Albert Dervishaj, Shef i Sektorit i Planifikimit Operacional, Drejtoria FLO Drejtues Hasan Ahmetaj, Zv.Drejtor për Sigurinë Publike në DVP Tiranë Drejtues Dhimitraq Ziu, Komandant i Reneas, Drejtoria FLO Kryekomisar Lorenc Shehu.
Delegacioni i Policisë së Shtetit shoqërohej nga Drejtues i Projektit Pameca V., Dr. Karlo D’achille dhe stafi i tij.
Delegacioni zhvilloi takime në Zyrën e Rendit Publik në Departamentin për Sigurinë Publike, ku paraprakisht u bë një prezantim i organizimit të Policisë së Shtetit në Shqipëri, i prioriteteve të saj dhe në mënyrë specifike të detyrave dhe strukturave qendrore dhe atyre të veçanta të Departamentit për Sigurinë Publike.
Nga pala italiane u prezantuan masat që planifikohen për menaxhimin e rendit publik, baza ligjore, procedurat, aktivitetet e parandalimit dhe të sigurisë në rastet e manifestimeve të mëdha publike, atyre sportive, për proceset zgjedhorë, masat kundër terrorizimit, mbrojtja e personaliteteve etj.
Gjithashtu u kryen vizita edhe në Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale, Shërbimi për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë, në të cilin u bë një prezantim për punën dhe drejtimet që ata ndjekin. Edhe nga ana e delegacionit, u bë një prezantim i shkurtër i prioriteteve dhe i punës që bëjnë strukturat e Policisë së Shtetit për realizimin e tyre.
Vizitë në Drejtorinë Qendrore të Policisë Parandaluese, Shërbimi për Informacionet e Përgjithshme, në të cilin u prezantuan aktivitetet e këtij Shërbimi me fokus të veçantë për aktivitetet informative në rastet e planifikimit dhe menaxhimit të rendit publik, për parandalimin dhe sigurinë, në rastet e ngjarjeve masive, të emergjencave të ndryshme etj.
Vizitë në Repartin e Forcave të Lëvizshme të Romës, dhe në Qendrën e përgatitjes për Inspektor të Policisë së Shtetit në Nettuno.
Nga kjo vizitë studimore, delegacioni konstatoi se eksperienca e Policisë Italiane sa i përket planifikimit të masave për menaxhimin e eventeve masive, për parandalimin dhe sigurinë, me mjetet, pajisjet dhe përgatitjen që bëhej, rezultonte efikase.
Nisur nga kjo eksperiencë, Policia e Shtetit do të shikojë mundësinë e implementimit, të saj kryesisht në fushën e trajnimeve, të veprimeve taktike gjatë aktiviteteve masive, krijimin e Pikës Kombëtare të shkëmbimit të informacionit për ndeshjet e futbollit me dimension ndërkombëtar, duke shfrytëzuar edhe përvojën e Policisë Italiane.