“Forca e Ligjit” në veprim sekuestrohen 5 mln euro asete të një grupi kriminal, me aktivitet në fushën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, duke realizuar operacionin policor “Vazhdimi”

“Forca e Ligjit” në veprim sekuestrohen 5 mln euro asete të një grupi kriminal, me aktivitet në fushën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, duke realizuar operacionin policor “Vazhdimi”

Më datë 30 prill 2018, autoritetet policore spanjolle në bashkëpunim DEA dhe EUROPOL kanë arrestuar në flagrancë shtetasit shqiptarë:

• A.N., alias (D.G., A.N., M.P., M.Gj., D.Gj.,) 41 vjeç, lindur dhe banues në Laç Kurbin;

• J.D. (B.), vjeç 35, lindur dhe banues në Lezhë.

Ata akuzohen për veprën penale të “Trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, pas kapjes së një sasie prej 1.000 kg kokainë, e cila dyshohet se vinte nga Kolumbia si dhe të një shume prej 1.550.000 Euro cash.

Këta 2 shtetas janë anëtarë të një grupi kriminal që zhvillonte prej kohësh trafik të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Europës.

Menjëherë pas realizimit të këtij operacioni nga autoritetet e sipërpërmendura, Policia e Shtetit ka shkëmbyer informacione paraprake për identifikimin e shtetasve dhe pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi kriminal si edhe aseteve të përfituara nga veprimtaria e paligjshme.

Pas kryerjes së veprimeve paraprake nga Departamenti i Policisë Kriminale, materiali procedurial u referua nga Policia e Shtetit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, për Krimet e Rënda Tiranë dhe u regjistrua procedimi penal nr.85, viti 2018, për veprat penale të “Grupit të strukturuar kriminal”, “Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale“, në ngarkim të shtetasve A.N., dhe J.D.(B).

Nga kryerja e veprimeve hetimore u ngritën dyshime të arsyeshme se këta shtetas, të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal jashtë shtetit i kanë investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, në llogari bankare, për vetë dhe për familjarët e tyre dhe në disa raste duke i fshehur ato në emra të afërmve.

Konkretisht investimin e kane bërë në disa qytete të vendit, e kryesisht në Tiranë.

Gjate kryerjes së veprimeve hetimore, janë zhvilluar disa takime të përbashkëta operacionale me përfaqësues të Zyrës Rajonale të DEA Athinë, DEA Madrid, autoritete policore Spanjolle dhe EUROPOL, në kuadër të shkëmbimit në kohë reale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, oficeret e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, kanë kryer veprime intensive proceduriale, duke përdorur metoda speciale të hetimit dhe pajisje speciale për grumbullimin e provave materiale.

Në përfundim të veprimeve hetimore të kryera në terren, u siguruan prova të pa kontestueshme dhe Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, vendosi sekuestro preventive për llogaritë bankare dhe pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, të shtetasve A.N., J.D.(B.) dhe familjarëve të tyre.

Sot, oficerët e Task Forcës Speciale në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ekzekutuan Vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda pranë:

• 3 bankave të nivelit të dytë, të disa llogarive bankare me një sasi të konsiderueshme eurosh.

• Kuotat dhe aksionet e 1 shoqërie tregtare me aktivitet në fushën e ndërtimit.

• 1 Njësie banimi në pallat

• 8 apartamente, me një sipërfaqe ndërtimi 905 metro katror.

• 2 njësi tregtare (dyqane) me një sipërfaqe prej 280.4 metro katrore.

• 4 garazhe në total sipërfaqe 60 metro katror.

• 3 automjete të tipeve dhe llojeve të ndryshme.

Shuma e aseteve të sekuestruara në kuadër të operacionit, e përllogaritur me çmimin e tregut, kap vlerën prej 5 milion Eurosh.

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve te Renda dhe agjencitë ligjzbatuese amerikane dhe spanjolle, po vijojnë veprimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal si dhe për pasuri të tjera, të luajtshme apo të paluajtshme, llogari bankare, të dyshuara me prejardhje kriminale në shtete të ndryshme ku është zhvilluar ky aktivitet kriminal.

“Forca e Ligjit” është një veprimtari e cila nuk zhvillohet si reflektim spontan i ngjarjeve të caktuara. “Forca e Ligjit” është një veprimtari e cila karakterizohet nga organizmi profesional, programimi dhe serioziteti në veprimin ligjor, duke synuar kështu evidentimin qartë dhe me prova të veprimtarisë kriminale të kujtdo të përfshirë në këtë veprimtari.

“Forca e Ligjit” në veprim është faza vijuese operacionale e ndërmarrë nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria për goditjen e grupeve kriminale, me aktivitet brenda dhe jashtë vendit, të skeduara që prej fundvitit të kaluar nga autoritetet ligjzbatuese.

Ne i sigurojmë qytetarët e gjithë Shqipërisë se do të vazhdojmë të jemi të angazhuar për të garantuar qetësi, rend e siguri për ta, duke goditur me ashpërsinë e Forcës së Ligjit çdo individ të përfshirë në aktivitet kriminal.

Operacioni “Forca e Ligjit” vazhdon.

Arkiva

Shtator 2018
He Ma Me En Pr Sh Di
27 28 29 30 31 1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30