“Forca e Ligjit” në veprim, goditen disa pjesëtarë të grupeve kriminale në Shkodër.


“Forca e Ligjit” në veprim, goditen disa pjesëtarë të grupeve kriminale në Shkodër. 

Pas një hetimi intensiv disa mujor mbi veprimtarinë e grupeve kriminale në qarkun Shkodër, zhvilluar këto hetime në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, si dhe në funksion të hetimeve të ngjarjeve të fundit kriminale të ndodhura në këtë qytet, Policia e Shtetit, përkatësisht Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, Departamenti i Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme, forcat speciale RENEA, FNSH, Trupat e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me organin e Prokurorisë, kanë arritur të ndalojnë dje në qytetin e Shkodrës disa elementë me rrezikshmëri shoqërore të lartë, anëtarë të grupeve kriminale aktive në këtë territor, por edhe më gjerë.

Veprimtaria hetimore disa mujore e Policisë së Shtetit e zhvilluar në këtë kuadër ka konsistuar në përgjimin, ndjekjen dhe gjurmimin e këtyre elementeve kriminalë si dhe mbledhjen e të dhënave në rrugë operative me qëllim evidentimin sa më të plotë dhe sa më të qartë të veprimtarisë kriminale të personave të dyshuar për kryerjen e kësaj veprimtarie.

Bazuar në 19 urdhra kontrolli të miratuar me vendim gjykate Policia e Shtetit ushtroi kontrolle në 20 banesa e lokale tregtare, të përdorura prej personave të dyshuar si anëtarë të grupeve kriminale.

Operacioni nisi dje rreth orës 02:30 të mëngjesit.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan 4 persona, 1 është në kërkim.
Të arrestuar janë:
• I.R. (B), 42 vjeç, lindur e banues në Dobraç, Shkodër;
• E.P., 22 vjeç, lindur e banues në Shkodër;
• A.B., 29 vjeç, lindur e banues në Shkodër;
• E.B., 36 vjeç, lindur e banues në Shkodër;

Gjithashtu janë sekuestruar armë, municione, mjete të blinduara dhe sende të tjera të poseduara në mënyrë të paligjshme.
Konkretisht janë sekuestruar:
• 3 armë zjarri, (2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë);
• 6 mjete të blinduara;
• rreth 800 fishekë;
• 1 armë e ftohtë
• 10.500 euro;
• 3 makina lojërash fati;
• njësi kompjuterike, DVR, CD dhe USB;
• telefona celularë dhe karta telefonike;
• 2 veshje antiplumb.

Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet përkatëse procedurale me këtë rast për të zbardhur rolin dhe aktivitetin anti-ligjor të të dyshuarve dhe disa personave të tjerë të lidhur me ta.

Ne dëshirojmë të falënderojmë shumë përzemërsisht qytetarët e Shkodrës për mbështetjen që na japin çdo ditë në ushtrimin e detyrës sonë të vështirë dhe veçanërisht për qetësinë dhe mbështetjen që na dhanë gjatë këtij operacioni.

Ne i sigurojmë qytetarët e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë se do të vazhdojmë të jemi të angazhuar për të garantuar qetësi, rend e siguri për ta duke goditur me ashpërsinë e forcës së ligjit çdo individ të përfshirë në aktivitet kriminal.

Operacioni “Forca e Ligjit” vazhdon.

Arkiva

Nentor 2018
He Ma Me En Pr Sh Di
29 30 31 1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 1 2