Takimi i 8-të i Grupit Tematik të Punës të PCC SEE në lidhje me shkëmbimin e informacionit mes vendeve anëtare mbi Dokumentet e Falsifikuara të Udhëtimit

TiranëIMG 0110

Dokumentet e Falsifikuara të Udhëtimit.

Më datat 06 - 07 Nëntor 2018 në Tiranë po zhvillohet Takimi i 8-të i Grupit Tematik të Punës të PCC SEE në lidhje me shkëmbimin e informacionit mes vendeve anëtare mbi Dokumentet e Falsifikuara të Udhëtimit.

Takimi në kuadër të PCC SEE (Konventa e Bashkëpunimit Policor në Evropën Juglindore), ku Shqipëria ka kryesinë e radhës.

Gjatë dy ditëve të takimit Ekspertët e vendeve anëtare do të prezantojnë gjendjen në lidhje me format, metodat dhe keqpërdorimin e dokumenteve të falsifikuara të udhëtimit, si dhe masat e marra për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të tilla.

Takimi u përshëndet nga Zv. Drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj si dhe nga kreu i Sekretariatit të PCC SEE z.Thomas Herko.

Fjala përshëndetëse e Zv. Drejtoreshës së Përgjithshme të Policisë së Shtetit Aida Hajnaj

I nderuar Sekretar i Konventës, z. Herko,

Të nderuar përfaqësues të vendeve anëtare të Konventës së Bashkëpunimit Policor në Evropën
Juglindore,

Të nderuar të ftuar të vendeve dhe organizatave të pranishme,

Dëshiroj që t’ju uroj personalisht mirëseardhjen!

Prania sot e përfaqësuesve të vendeve të rajonit dhe më gjerë është vërtetë domethënëse, kjo për shkak të rolit dhe përgjegjësisë që ju keni në luftën kundër kriminalitetit.

Sot, rajoni dhe Europa përballen me sfida të ndryshme të sigurisë, por, krimet e rënda, krimi i organizuar, terrorizmi dhe flukset migratore përbëjnë padyshim sfidat më të mëdha të cilat kurrsesi nuk mund të adresohen të vetme. Karakteri ndërkufitar, madje transnacional i tyre bën domosdoshmëri bashkëpunimin dhe koordinimin e energjive të përbashkëta.

Natyra delikate e këtyre sfidave dhe interesat që preken nga forca reaguese e Policisë ndaj tyre, na detyrojnë të jemi akoma më të fokusuar në orientimin strategjik dhe operacional për një luftë sa më efikase kundër grupeve dhe interesave kriminale.

Europa aktualisht po përballet me flukse migratore nga vende të Afrikës Veriore, Lindjes së Mesme dhe Azisë. Kjo ka patur një impakt të drejtpërdrejtë, si në nivelin politik, ashtu dhe atë praktik. Lëvizje populiste dhe anti-migratore kanë shënuar rritje ashtu siç kanë shënuar rritje dhe veprimtaritë e paligjshme dhe rrjetet kriminale të kontrabandimit të migrantëve, të trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të armëve, etj.

Rreziku terrorist dhe format e ndryshme të ekstremizmit të dhunshëm janë bërë gjithashtu shoqëruese të këtyre fenomeneve. Të gjitha këto, kanë shtuar ndjeshëm barrën dhe pritshmëritë mbi agjencitë ligjzbatuese.

Policia është linja e parë, e cila përballet në çdo kohë, me vështirësi dhe jo rrallë edhe me risk për jetë me kontrabandistët, krimin e organizuar trafikantët dhe terroristët potencialë. Fatkeqësisht, adresimi i këtyre sfidave, përveç risqeve dhe kohës së mundimshme që kërkojnë, has edhe në sfida të tilla që lidhen më shumë me të shkuarën sesa kohët moderne në të cilat jetojmë. Ne duhet të kryejmë detyrën me gjithë barrierat dhe ndërlikimet e panevojshme të karakterit gjeopolitik, çështje të sovranitetit, burokraci të tej zgjatura për shkëmbim informacionesh, vendimesh penale, apo mandat-arrestesh.

Aktualisht Shqipëria ka firmosur bashkë me shtete të tjera palë të Konventës së Bashkëpunimit Policor në Evropën Juglindore marrëveshjen e ngjashme me atë të Prum, që do të lehtësojë ndjeshëm punën tuaj në shkëmbimin e të dhënave daktiloskopike, ADN-së dhe automjeteve. Uroj që kjo marrëveshje të fillojë nga zbatimi sa më shpejt, por jam e bindur se ju do ta shfrytëzoni këtë takim si një mundësi reale, gjatë të cilit do të diskutoni dhe bëni të gjitha përpjekjet e nevojshme për lehtësimin e punës së përditshme, duke përfshirë zgjerimin më tej të njohjeve, shkëmbimin e përvojave si dhe diskutimin pse jo të çështjeve konkrete në takime kokë më kokë apo mes vendeve të prekura drejtpërdrejt nga një veprimtari apo strukturë e caktuar kriminale.

Takimi juaj është padyshim një event i veçantë në rrafshin e bashkëpunimit policor, ashtu siç në javët dhe muajt në vijim do të ketë dhe takime të tjera të rëndësishme, të cilat synojnë forcimin më tej të këtij bashkëpunimi në rajon e më gjerë. E parë nga ky këndvështrim, ne po investojmë seriozisht në forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike të kontrollit kufitar.

Ashtu si dhe takimet paraardhës, janë mjaft tё rёndёsishme dhe japin njё kontribut tё çmuar nё forcimin e mёtejshёm tё bashkëpunimit ndёrmjet Policive tё vendeve tё Rajonit dhe të Europës, nё luftёn e pёrbashkёt ndaj krimit tё organizuar dhe tё gjitha llojeve tё trafiqeve tё paligjshme, pёrfshirё kёtu dhe luftёn kundёr trafikut tё qenieve njerëzore dhe azilkërkimin e paligjshëm.

Dёshiroj tё sjell nё vëmendjen Tuaj se Policia Shqiptare, është e qartë në objektivat e saj, ne po ecim në rrugën e mbarë për të adaptuar standardet e Schengen-it, nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit strategjik policor në rajon e në Europë.

Në këtë takim, ekspertët do të kenë mundësi të shkëmbejnë praktikat më të mira të tyre në drejtim të bashkëpunimin ndërkufitar, të identifikojnë nevojat dhe veprimet e mëtejshme që duhet të ndërmerren dhe të diskutojnë mundësitë për shfrytëzimin e mjeteve operacionale të PCC SEE.

Jam e bindur se rezultatet e takimit do të kontribuojnë gjerësisht në Planin Rajonal të Reagimit të Shpejtë të Veprimit të IISG, për të zbutur sfidat e migracionit dhe për të parandaluar një krizë të dytë të imigrimit të Ballkanit Perëndimor duke iu përgjigjur nevojave të identifikuara deri më sot.

Intensifikimi e forcimi i bashkëpunimit ndërmjet organizatave tona homologe tё Rajonit dhe të gjithë Europës është hapi i duhur dhe efikas për një Ballkan më të sigurt.

Duke Ju falënderuar për vëmendjen,

Ju uroj punime të mbara!

IMG 0108

IMG 0102

IMG 0132

IMG 0165

IMG 0179

IMG 0145

Arkiva

Nentor 2018
He Ma Me En Pr Sh Di
29 30 31 1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 1 2