Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 04 Shkurt 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë01drejtoria new

Elbasan - Finalizohet operacioni "Zaranika", sekuestrohen lëndë narkotike dhe minë me telekomandë, në pranga poseduesi i tyre. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e personave që tentojnë të trafikojnë lëndë narkotike apo lëndë plasëse, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, pas një hetimi me metoda speciale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Zaranika", ku u arrestua në flagrancë shtetasi A.R.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruar në qytetin e Elbasanit i kanë gjetur këtij shtetasi 1 minë me telekomandë, si dhe rreth 7 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprat penale të “Prodhimi dhe mbajta pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".

Durrës - Më datë 03.02.2019 , rreth orës 22:50 , në lagjen Nr. 1 në Durrës, ka rënë zjarr në katin e shtatë të një pallati, në banesën e shtetit V.L. Menjëherë në vendngjarje shkuan forcat e Policisë dhe të Zjarrfikëses, të cilët gjatë përpjekjes për të evakuuar banorët, nga tymi janë asfiksuar 10 banorë, 4 punonjës Policisë dhe një punonjës i Zjarrfikëses, të cilët u dërguan në Spital dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore janë larguar në banesat e tyre pa probleme për jetën. Nga hetimet paraprake mësohet se zjarri ka rënë si pasojë e një shkëndije në një dyshek elektrik. Vijon puna për zbardhjen e plotë të shkakut të rënies së zjarrit

Fier- Vidhte portofolat pacientëve që shkonin në Urgjencën e Spitalit Rajonal Fier për të marrë ndihmë mjekësore, policia vë në pranga autorin e dyshuar. Pas një pune hetimore 1 - mujore, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, i cili ishte kthyer në një shqetësim për të moshuarit që merrnin shërbimet në Urgjencën e Spitalit Rajonal Fier. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin N. L,. 62 vjeç, banues në Kuçovë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në Urgjencën e Spitalit Rajonal Fier, ky shtetas dyshohet se në kohë të ndryshme ka kryer disa vjedhje, ku nga puna hetimore e deritanishme është bërë i mundur dokumentimi i tre prej tyre, konkretisht vjedhja e portofolit të shtetasit G.T., I.D, dhe A.Gj. Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjes të kryera nga ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale "Vjedhja".

Fier- Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme, në lagjen “Kastriot”, në lokalin në pronësi të shtetasit V.N., është konstatuar nga vetë pronari, xhami i dëmtuar në pjesën e përparme të lokalit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Nga këqyrja paraprake dyshohet se mund të jetë gjuajtur me pushkë sportive.

Elbasan - Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, arrestuan në flagrancë shtetasin K.C., 46 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi i tij u bë pasi në banesën e shtetasit P. A., dyshohet se i ka marrë me dhunë portofolin me një shumë parash si dhe një aparat celular. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale "Vjedhja me dhunë".

Po gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 56 shtetas, nga këta: 17 janë të arrestuar, 1 i ndaluar dhe 38 ndiqen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin janë evidentuar 5 raste, konkretisht: 1 rast i “Plagosjes së lehtë me dashje” në Tiranë dhe Dibër; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje” janë evidentuar po në qarkun Tiranë, si dhe 1 rast është evidentuar në qarkun Dibër.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste me dy autorë, konkretisht në qarkun Tiranë, ku 1 autor është arrestuar dhe 1 është proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Dhunës në familje”, konkretisht 1 në qarkun Tiranë ku autori është arrestuar dhe në 1 rast në Qarkun Korçë, ku autori është proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu janë plotësuar 2 kërkesë padi për urdhër mbrojtje të menjëhershëm.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e shkatërrimit të pronës, në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prishjes së qetësisë publike”, në qarkun Tiranë, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Ndërtimit pa leje" konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë; 1 raste në qarkun Vlorë, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prerjes së paligjshme të pyjeve” në qarkun Lezhë, ku autori është proceduar në gjendje të lirë.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 6 raste aksidentesh me 6 shtetas të lënduar të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 6 drejtues mjetesh nën efektin e alkoolit (4 në qarkun Tiranë, 1 në qarkun Korçë dhe 1 në qarkun Vlorë), të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të “Kalimit të paligjshëm të kufirit” (3 rastë në PKK Port Durrës dhe 1 rast në PKK Morinë), ku autorët janë proceduar në gjëndje të lirë.

Janë referuar materialet në Prokurori për 3 ngjarje të klasifikuara aksidentale.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, kaskën mbrojtëse, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Arkiva

Prill 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 1 2 3 4 5